Rtv Pendimi

Parapërgatitja për Ramazan (HUTBE)

Mysafiri është afër. Erën po ia ndiejmë. Ditët po i numërojmë. Tashmë po na troket. Sa na ka marrë malli ta dëgjojmë këtë ajet:

﴿يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ كُتِبَ عَلَيۡكُمُ ٱلصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى ٱلَّذِينَ مِن قَبۡلِكُمۡ لَعَلَّكُمۡ تَتَّقُونَ١٨٣﴾

“O ju që keni besuar, ju është bërë obligim agjërimi, ashtu siç ishte obligim edhe për popujt para jush, që të bëheni të devotshëm.” (El Bekare, 183)

Na ka marrë malli për këtë ajet. Jo vetëm ta dëgjojmë, por edhe të punojmë me të: “… që të bëheni të devotshëm”, e jo thjesht t’i bashkëngjitem familjes e të mos ndahem prej tyre. Po, gjithsesi, të agjërosh së bashku me familjarët dhe shokët ka shije të veçantë, porse kryesorja është të arrihet devotshmëria.

Devotshmëri është t’i kryesh obligimet dhe të largohesh prej ndalesave ose harameve. Kështu, kur të agjërosh do të kesh hise në devotshmëri apo takva. Kur të falesh, ke hise në devotshmëri – takva. Kur të japësh lëmoshë, do të kesh hise në devotshmëri – takva. Kur të largohesh nga një haram, do të kesh hise në devotshmëri – takva. E, kur të jesh i devotshëm, do të kesh shumë merita:

Allahu thotë:

﴿ إِنَّمَا يَتَقَبَّلُ ٱللَّهُ مِنَ ٱلۡمُتَّقِينَ٢٧﴾

“Allahu e pranon prej të devotshmëve.” (El Maide, 28)

 

Po ashtu thotë:

﴿ إِنَّ أَكۡرَمَكُمۡ عِندَ ٱللَّهِ أَتۡقَىٰكُمۡۚ إِنَّ ٱللَّهَ عَلِيمٌ خَبِيرٞ١٣﴾

“Më i ndershmi nga ju, tek Allahu, është ai që është më i devotshëm.” (El Huxhurat, 13)

 

Pasi që Ramazani është:

﴿أَيَّامٗا مَّعۡدُودَٰت١٨٤﴾

“Ditë të numëruara.” (El Bekare, 184)

Vjen shpejt dhe ikën shpejt. Pak ditë.

Veprat e mira që mund të bëhen në Ramazan janë të llojllojshme,  andaj prej nesh kërkohet vetëm seriozitet, mund i madh, të përvilen duart dhe të fillohet fuqishëm, sidomos në kohën që po jetojmë, në kohën e fitneve. Kohë pandemie, sprova e pasurisë, kriza të ndryshme politike, ekonomike, shëndetësore etj.

Pejgamberi ﷺ  ka thënë: “Ibadeti (adhurimi i Allahut) në kohë të trazirave (fitneve) llogaritet sikurse hixhreti tek unë.”[1]

Pastaj ndjenja se ky mysafir do të qëndrojë shumë pak, e po ashtu ndjenja se nuk e dimë a do ta presim shëndoshë? Këto na bëjnë që t’i kushtojmë rëndësi më shumë dhe na bëjnë që të mos dalim prej tij vetëm se si fitimtarë.

Shikoni çfarë u tha Pejgamberi ﷺ  gjithë atij grumbulli njerëzish në Haxhillëkun Lamtumirës: “Mësojini ritet e haxhit, sepse unë nuk e di, ndoshta nuk do të bëj më haxhillëk pas këtij.”[2]

Çfarë gjurme la kjo fjalë në zemrat e tyre? Sigurisht se kjo i shtyri që ta mësojnë haxhillëkun prej tij në formë më të përkryer, të mësojnë prej tij edhe gjëra të tjera, ta pyesin për çdo gjë, sepse ndoshta ky është haxhillëku i fundit i Pejgamberit ﷺ  dhe nuk do ta takojnë më. E këtillë le të jetë edhe ndenja jonë për  Ramazanin.

Njëherë Pejgamberi ﷺ , teksa po ngjitej në minber, tha: “Amin, amin, amin.” Kur e pyetën  Pejgamberin ﷺ  për këtë, u tha: “Xhibrili ﷺ  më erdhi e më tha: “Personin i cili e arrin muajin Ramazan dhe nuk i falen mëkatet, e pastaj hyn në Zjarr, Allahu e largoftë! Atëherë unë thashë: “Amin.”[3]

Reflekto se si këtë bisedë po e bën meleku më i mirë në qiell, Xhibrili, me Pejgamberin më të dalluar në tokë, Muhamedin ﷺ . Çfarë do të thotë kjo lutje? Do të thotë se në Ramazan ose je fitimtar e i falur, ose do të jesh humbës dhe nuk ka kategori të tretë këtu. Nuk ka mes këtu.

Pra, çështja se për të dalë fitimtar është shumë e lehtë, me lejen e Allahut.

Dëgjojini këto hadithe:

“Atij që falet Natën e Kadrit, duke besuar dhe llogaritur shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e së kaluarës. Atij që agjëron Ramazanin duke besuar dhe llogaritur shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e së kaluarës.”[4]

Allahu në lidhje me agjërimin ka thënë: “Ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të.”[5]

Po ashtu Pejgamberi ﷺ  na ka treguar se shejtanët prangosen gjatë muajit Ramazan.

Pra, po e shohim se çështja qenka e lehtë, me lejen e Allahut, porse kërkohet pak mund prej nesh.

Vëllezër, nuk duam Ramazan rutinë e as Ramazan në të cilën humbet koha, andaj prej tash përgatitu.

“O ti që e do të mirën, ec para! Dhe, o ti që e do të keqen, ndalu!”[6]

Që tani bëje programin çfarë kohe do të lexosh Kuran? Sa do të japësh lëmoshë? Sa do të falesh me xhemat?

Thuaji vetes: Prej tash po e bëj nijet që ta fal namazin e sabahut në këtë xhami. Prej tash po e bëj nijet se çdo ditë, para iftarit, do të lexoj Kuran së paku gjysmë ore. Aty ku ligjërohet do të jem i pranishëm. Ose, ligjërata që transmetohen në televizor para syfyrit do t’i dëgjoj rregullisht.

Nëse ke dëshirë të jesh fitimtar në Ramazan, gjithsesi duhet të kesh kujdes: “Allahu nuk ka nevojë që dikush ta lërë ushqimin dhe pijen nëse paraprakisht nuk i lë fjalët e rrejshme, të punuarit sipas tyre dhe injorancën.”[7]

Pastaj, përveç vetvetes, këto të mira ua trego edhe të tjerëve, sepse ne dëshirojmë të jemi fitimtarë dhe të na falen mëkatet, si për vete, ashtu edhe për ata që i duam.

Shikoje Omer ibn Hatabin (Allahu qoftë i kënaqur me të!‎‎). Ishte një njeri nga Shami, i cili kur vinte në Medinë dhe e vizitonte Omerin. Pas një kohe ai nuk vajti tek Omeri fare, kështu që Omeri pyeti rreth tij. Dikush i tha se ai person ka filluar të ndjekë rrugën e gabuar. Atëherë Omeri i shkroi atij dhe e këshilloi. Posa i arriti shkresa e Omerit, ai qau dhe menjëherë u pendua. Në atë rast Omeri tha: “Kështu veproni! Kur ta shihni vëllanë tuaj se ka lajthitur, përmirësojeni dhe luteni Allahun që t’ia falë mëkatet, e assesi mos e ndihmoni shejtanin kundër vëllait tuaj![8]

 

Pjesa e dytë e hutbes

Po ashtu për atë që dëshiron të dalë fitimtar në muajin Ramazan le t’i kushtojë kujdes bamirësisë:

“Pejgamberi ﷺ  ishte njeriu më bamirës, porse në Ramazan ishte edhe më bamirës…”[9]

Dyert e bamirësisë janë të hapura: e kemi zekatin, lëmoshat e ndryshme, dhënien e ushqimit, dhuratat, vakëfet etj.

Me rëndësi është që prej tash të mendosh për këto dyer, ku do të trokasësh më shumë dhe ku do t’i lësh gjurmët e tua!

[1] Muslimi nr.2948.

[2] Muslimi nr.1297.

[3] Ibn Hibani nr.907 dhe Shejh Albani e saktëson këtë hadith.

[4] Buhariu nr.1901.

[5] Buhariu nr.7538.

[6] Tirmidhiu nr.682 dhe Shejh Albani thotë se është hasen (i mirë).

[7] Buhariu nr.6057.

[8] Hiljetul eulija, v.4, f.97.

[9] Buhariu nr.6.

Përgatiti: Mr. Flamur Kabashi

 

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH