
PARADOKSI DHE FORMAT E TIJ
Ditëve të sotme po përhapet një zhurmë goxha e madhe për kontradiktat ateiste se kanë ndikim të fortë dhe janë të shumta. Realiteti është krejtësisht ndryshe. Atij që i vështron për së afërmi, i bëhet e qartë se janë të paktë në numër dhe shpeshherë përsëriten të njëjtat. Dallohen për nga mënyra e trajtimit, por thelbin e kanë të njëjtë. Fatmirësisht, në kohën tonë, hisja e tyre është e vogël. Fokusin kryesor më tepër e kanë te rrafshi i dijes. Mundohen që shkencën dhe dijen t’i shfrytëzojnë në përkrahjen e ateizmit.
Dyshimet e ateistëve që qarkullojnë janë i llojit të kufizuar: disa ndërlidhen me realitetin e ekzistimit, bie fjala, përjetësia e materies; disa ndërlidhen me realitetin e Qenies Hyjnore në përshkrimet dhe veprimet e Tij. Lloji i fundit është më i komplikuar krahasuar me llojin e parë, sepse merret me gjykimin e asaj që ekziston përtej botës materiale e që shqisa e pamjes nuk mund ta perceptojë drejtpërdrejt.
Një prej dyshimeve që ka të bëjë me Qenien e Allahut është pyetja e tyre për urtësinë e kërkesës së Allahut për ta adhuruar Atë. Pyetja hulumton domethënien e një veprimi që s’ka të bëjë me ndonjë dobi, sikurse konkretisht në këtë rast: cila është ajo dobi që i shtyn njerëzit të veprojnë?! Përgjithësisht pyetja vjen e formuluar në këtë mënyrë: “Pse Allahu kërkon prej nesh ta adhurojmë Atë kur Ai s’ka nevojë për adhurimin tonë? Çfarë përfiton Krijuesi prej namazeve, lutjeve dhe agjërimit tonë? Kërkesa që Ai të adhurohet a nuk është shenjë e mangësisë dhe nevojës?”
Më vonë pyetja “ngjitet një shkallë më lart”, saqë pyetësi parashtron pyetjen: “Në thelb ku qëndron urtësia e krijimit të krijesave?” Nëse i përgjigjesh skeptikut se njeriu është krijuar për ta adhuruar Allahun, ai me neveri do të kundërpërgjigjet: “E çka përfiton Zoti që krijesat e adhurojnë Atë?” Në këtë mënyrë na kthen te pyetja e parë: “Çka përfiton Allahu prej adhurimit që ne krijesat ia bëjmë Atij?” Nëse pyetësit i ngushtohet shpirti e futet në siklet, mund të reagojë keq me nervozizëm e të thotë: “E pse Allahu nuk më ka pyetur mua se a dua të ekzistoj?”
Nën hijedritën e domethënieve të mëhershme do të mundohem, me lejen e Allahut, t’i diskutoj me shpirt të qetë këto pyetje të nxehta. Paraprakisht dua të qartësoj se tema jonë domosdoshmërisht është e ndërlidhur me kundërshtimin e dyshimeve ateiste, andaj kam dëshirë që t’ia jap hakun përgjigjes me argumentim, qartësim dhe sqarim në detaje.
Dr. Sami Amirij
Nga arabishtja: Irfan JAHIU
Pjesë nga libri i përkthyer në gjuhën shqipe: “PSE ALLAHU NA KËRKON TA ADHUROJMË? (Rrënimi i dyshimit se munguaka urtësia në urdhrin e Allahut që njerëzit ta adhurojnë Atë)”