Palestinezi i qëlluar nga ushtria izraelite kërkon ndihmë drejtpërdrejtë në Facebook

Palestinezi i qëlluar nga ushtria izraelite kërkon ndihmë drejtpërdrejtë në Facebook

Një i ri palestinez i plagosur nga të shtënat izraelite në qytetin Jenin në Bregun Perëndimor, transmetoi drejtpërdrejt veten në Facebook duke kërkuar ndihmë teksa ishte i mbuluar me gjak, raporton Anadolu Agency (AA).

“Për hir të Zotit, unë jam këtu”, u lut Ayham al-Amer, i cili më vonë u dërgua me urgjencë në spital për mjekim.

Babai i tij, Muhamed al-Amer, tha për AA se djali i tij 21-vjeçar u qëllua në këmbë dhe krah dhe se ai e telefonoi atë duke kërkuar një ambulancë.

“Ayham ndau agoninë e tij drejtpërdrejt në Facebook që na ndihmoi ta gjejmë atë”, tha babai i tij, duke shtuar se ambulanca arriti gjysmë ore më vonë.

“Ai është mirë me shëndet dhe ka kaluar fazën e rrezikut pasi i është nënshtruar një operacioni”, tha al-Amer.

Dëshmitarët okularë thanë se 6 palestinezë u plagosën dhe pesë të tjerë u arrestuan kur forcat izraelite sulmuan lagjet e banimit në qytetin Jenin.

Dëshmitarët okularë thanë se forcat izraelite qëlluan me plumba të vërtetë, plumba gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë palestinezët që protestonin ndaj ndërhyrjes izraelite.

“Disa oficerë të fshehtë ushtarakë sulmuan lagjet e qytetit në agim për të arrestuar palestinezët dhe më vonë atyre iu bashkua një forcë ushtarake”, tha për AA një dëshmitar okular i cili preferoi të mbeste anonim.

Përleshjet midis forcave izraelite dhe të rinjve palestinezë që përdorin gurë janë të zakonshme në zonat nën kontrollin e Autoritetit Palestinez, ndërsa rrallëherë ndodhin edhe përleshje të armatosura.