OKB-ja falënderon Turqinë për përpjekjet për paqe në Ukrainë

OKB-ja falënderon Turqinë për përpjekjet për paqe në Ukrainë

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) shprehu mirënjohje ndaj Turqisë për përpjekjet e saj për të arritur paqen në Ukrainë, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric, tha në konferencën e tij të përditshme për shtyp se vazhdojnë të mbështesin bisedimet për përfundimin e luftës Rusi-Ukrainë dhe shpresojnë që bisedimet të jenë të suksesshme.

“Ne i jemi jashtëzakonisht mirënjohës Turqisë për përpjekjet e saj në këtë kontekst”, tha Dujarric.

Dujarric shprehu shpresë se deklaratat dhe fjalët do të kthehen në veprim dhe se armët do të pushojnë.

Ndryshe, dje në Stamboll u mbajt një raund i ri negociatash midis delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë për zgjidhjen e konfliktit.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, ka hasur në zemërim ndërkombëtar, ku BE-ja, SHBA-ja dhe Britania, ndër të tjera, kanë zbatuar sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Të paktën 1.179 civilë janë vrarë dhe 1.860 janë plagosur në Ukrainë, kurse shifra e vërtetë mendohet të jetë shumë më e lartë, sipas OKB-së.

Më shumë se 4 milionë ukrainas kanë ikur gjithashtu në vende të tjera, kurse miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët.