Rtv Pendimi

Një delegacion i lartë i shoqatës Swiss Barakah Charity vizitoi Kosovën

Një delegacion i lartë i shoqatës Swiss Barakah Charity vizitoi Kosovën

Për nder të muajit të bekuar Ramazan, një delegacion i shoqatës Swiss Barakah Charity, i përbërë nga Muhamad Ahmad Ajami, Muatasim Bouhouch, Lahoussine Etaleb, vizituan Kosovën, të cilët u pritën nga udhëheqësit e Shoqatës Humanitare Bamirëse “Bereqeti”, z. Behxhet Ajvazi dhe Xheladin Fazliu.

Fillimisht drejtori i shoqatës, Behxhet Ajvazi iu shprehu mirëseardhje mysafirëve, duke i njohur kështu me aktivitetet dhe me punët e shoqatës. Ai më pas i falënderoi ata për ndihmat e dhuruara ndër vite për shoqatën “Bereqeti”.

Gjatë kësaj vizite, ata vizituan disa shoqata dhe organizata të ndryshme, si dhe disa familje nevojtare.

Fillimisht ata vizituan Down Syndrome Kosova, në të cilën u pritën nga drejtoresha e kësaj shoqate Sebahate Hajdini-Beqiri, e cila i falënderoi ata për ndihmat e dhëna për këtë shoqatë. Shoqata Swiss Barakah Charity, përmes shoqatës “Bereqeti” i kanë dhuruar Down Syndrome Kosovës mjete pune për degët Prishtinë dhe Prizren.

Në ditën e dytë të vizitës, delegacioni nga Swiss Barakah Charity vizitoi 70 fëmijë jetimë të Prishtinës dhe Fushë Kosovës, të cilët i ndihmoi me veshmbathje në vlerë të 40 eurove për çdo fëmijë. Këta fëmijë janë përzgjedhur nga shoqata e autizmit, shoqata Down Syndrome, nga shkolla Mihail Grameno në Fushë Kosovë, nga Departamenti i Gruas së BIK-ut dhe nga komunitet e tjera.

Pas kësaj, 40 familje të Prishtinës, Fushë Kosovës, Janjevës dhe të Plemetinit janë ndihmuar me para të gatshme nga zekati. Përveç këtyre, ata kanë vizituar edhe shkollën Kongresi i Manastirit në Gllamnik, në të cilën vizituan klasën e fëmijëve me nevoja të veçanta, ku ndihmuan me para të gatshme 17 nxënës të kësaj klase.

Gjatë ditës, ata vizituan edhe familjet e komunitetit RAE në Plemetin, ku shpërndanë për ta 150 pako ushqimore.

Vizitën e tyre në Kosovë e përfunduan me vizitën në medresenë e mesme “Alauddin” në Prishtinë dhe dyqanin humanitar në Prizren.

Gjatë tri ditëve të vizitës, delegacioni i Swiss Barakah Charity vizitoi edhe disa degë të shoqatës “Bereqeti”, ku panë nga afër punët dhe aktivitetet e kësaj shoqate.

Vlen të përmendet se shoqata “Bereqeti” ka një bashkëpunim të shkëlqyer me shoqatën Swiss Barakah Charity.

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH