[There are no radio stations in the database]

NËSE KJO BOTË ENDE QËNDRON NË KËMBË KJO ËSHTË FALË PASTËRTISË SË SHPIRTIT TË FËMIJËVE!

NËSE KJO BOTË ENDE QËNDRON NË KËMBË KJO ËSHTË FALË PASTËRTISË SË SHPIRTIT TË FËMIJËVE!

Sot, me 1 Qershor simbolikisht shënohet “Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve”, një ditë që i kushtohet buzëqeshjes, pafajësisë dhe ëndrrave që marrin jetë në sytë e vegjël që na ndriçojnë përditshmëritë.

Për ju fëmijët, e mi të dashur, uroj jetëgjatësi të shoqëruar me gëzime, shëndet dhe mundësi pa fund. Qoftë fëmijëria juaj një udhëtim i mbushur me dije, ngrohtësi dhe dashuri. Të rriteni duke ditur se jeni të dashur, të mbrojtur dhe të vlerësuar!

Por, ky urim nuk mjafton nëse nuk fluturon edhe përtej pragut të shtëpisë sonë, dhuratë për çdo fëmijë në botë.

UROJ që; Çdo zemër fëmije, pavarësisht ngjyrës, gjuhës, vendit apo besimit, të ndiej paqen që i takon me të drejtë. Qoftë kjo ditë një thirrje për ndërgjegjen e të rriturve, që të ndërtojnë ura e jo mure për një botë më të sigurt, më të drejtë dhe më të dhembshur për brezat që rriten.

Ata janë drita në errësirat tona. Gëzimi mes dhimbjeve. Por, jo të gjithë fëmijët kanë fatin të përjetojnë fëmijëri, andaj, sot, nga thellësia e zemrës dua të lutem për ta.

Unë që bëjë lutje nuk i takoj ndonjë posti politik. Nuk jam askush në pushtet që të më dëgjohet fjala. Por, jam një nënë, një qytetare e thjesht e këtij vendi, me një zë që s’mund ta mbaj më të ndrydhur e të heshtur e kur zëri vjen nga dhimbja, ai është më i vërtetë se çdo fjalim zyrtar.

Një LUTJE PËR FËMIJËT që bota po i harron;

Për ata që nuk kan pasur fatin të jetojnë një fëmijëri të vërtetë.

Për ata që rriten pa përqafimin e prindërve, pa një zë që u thotë “të dua”, në fund të ditës.

Lutem për fëmijët që enden rrugëve në kërkim të një kafshate buke, me sy të përlotur e duar bosh.

Lutem për mirëqenien e shëndetit të fëmijëve të sëmurë, që luftojnë betejat e mëdha, me trupat e tyre të njomë e të vegjël.

Lutem për fëmijët me aftësi të kufizuara, për të cilet, duket se kjo botë është ndërtuar me mure, jo me dyer e dritare që ju ofrojnë mundësi.

Ata që përveç sfidave të përditshme, përballen me bullizim dhe perjashtim, që vuajnë në heshtje mungesën e mbështetjes financiare nga institucionet, që ju nevojitet për trajtim e zhvillim.

Mbi të gjitha, me shpirtin plot dhimbje, sot lutem, për fëmijët që janë zënë në kthetrat e luftës. Për ata që zgjohen mes zhurmës së shpërthimeve të bombardimeve dhe jo të këngës së zogjve dhe ata që si rezultat s’zgjohen fare, për ata që mbajnë lodra të thyera dhe dhe jo ëndrra të ndritura, për ata që po jetojnë mes rrënojash dhe zjarresh, pa ushqim, pa ujë, pa strehë, pa prindër.

Lutem për ata që po vdesin, jo vetëm nga plumbat, por edhe nga uria, një padrejtësi që dhemb deri në palcë.

Për ata që kanë harruar kur kanë buzëqeshur se fundi herë. Kanë harruar se ç’është loja, gëzimi, mësimi.

Lutem që së shpejti, me emër të Zotit edhe ata të mund të festojnë këtë datë, jo nën kërcënime për jetët e tyre, por nën qiellin e lirë.

Fëmijët janë pasqyrë e pastër e asaj çka duhet të jetë bota, e ndershme, e butë e guximshme. Ta ruajmë këtë pasuri, ta ushqejmë me dashuri e kujdes sepse në sytë e tyre është shkruar e ardhmja e njerëzimit.

Sot, me 1 Qershor në Ditën e Fëmijëve, lutem që të gjithë fëmijët të ndihen të dashur. Qoftë kjo ditë e jetës suaj një festë, një përqafim i ngrohtë i njerëzimit, 1ë askush të mos përjashtohet nga e drejta për lumturi, zhvillim e përfshirje, që zemrat tona të zbuten dhe sytë tanë të shohin përtej paragjykimit.

Të mos harrojmë se, nuk ka fëmijë me më pa vlerë, ka vetëm fëmijë me më pak mundësi dhe është përgjegjësi e jona që t’ua japim ato!

Qoftë bota më e drejtë për ta!

Qoftë dashuria më pranë tyre!

Afërdita Topallaj

Drenas, Kosovë, 1 Qershor 2025


[There are no radio stations in the database]