Nënshkruhet Memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame dhe Institutit Albanologjik

Nënshkruhet Memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame dhe Institutit Albanologjik

Instituti për Hulumtime dhe Studime Islame në Prishtinë dhe Instituti Albanologjik, sot kanë nënshkruar Memorandumin e bashkëpunimit, me ç’rast prof. Sabri ef. Bajgora, drejtor i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame si dhe prof. dr. Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik e vlerësuan lart këtë Memorandum, i cili do t’u shërbejë dy institucioneve në fushëveprimin e bashkëpunimit të ndërsjellë për realizimin e interesave të dyanshme në fushën kërkimore dhe shkencore.

“Ne do të bashkëpunojmë në shumë fusha e sidomos në fushën e letërsisë dhe në fokus të përbashkët do ta kemi trajtimin e trashëgimisë shpirtërore te shqiptarët, sidomos të periudhës së Alamiados apo poezisë së Bejtexhinjve dhe jam shumë i lumtur që ky është memorandumi i parë që po nënshkruhet nga Instituti për Hulumtime dhe Studime Islame me një Institut tjetër simotër” – tha drejtori Bajgora, i cili njëherësh falënderoi drejtorin Matoshi për ndihmën dhe gatishmërinë e tij në këtë bashkëpunim, por edhe ndihmesën e tij gjatë periudhës së themelimit të IHSI-së.

Nga ana e tij, prof. dr. Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik theksoi se themelimi i këtij Instituti e begaton skenën shkencore dhe e pasuron një formë të munguar të studimeve në vendin tonë. “Besoj se ne, bashkërisht, do të realizojmë projekte me interes të përbashkët për kulturën shqiptare, e pse jo edhe në sferën e trashëgimisë islame në Kosovë” – tha drejtori Matoshi.

Dy institucionet pajtohen që të bashkëpunojnë për krijimin e një këshilli koordinues për bashkërendimin e punës kërkimore dhe shkencore. Po ashtu, në këtë fushë të veprimit, do të botohen dokumente dhe punime të veçanta nga fushat e interesit të përbashkët në gjuhë, histori, letërsi dhe trashëgimi shpirtërore.