Në Shqipëri arrestohen 35 persona për mashtrim, mes tyre një shtetas izraelit

Në Shqipëri arrestohen 35 persona për mashtrim, mes tyre një shtetas izraelit

Gjatë një operacioni të Policisë së Shqipërisë janë arrestuar 35 persona, mes tyre edhe një shtetas izraelit, në lidhje me një aktivitet kriminal në fushën e mashtrimeve kompjuterike që kishte të bënte më mashtrimin e shtetasve të huaj nëpërmjet rrjetit kompjuterik, transmeton Anadolu Agecy (AA).

Në një deklaratë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë thuhet se nga hetimet e zhvilluara rezultonte se prej disa vitesh një subjekt tregtar zhvillonte aktivitetin e tij në fushën e qendrave të thirrjeve telefonike (call center), ku sipas policisë “nga bashkëpunimi i ngushtë me partnerët u arrit të evidentoheshin viktima të kësaj veprimtarie kriminale jashtë territorit të Shqipërisë”.

Më tej theksohet se personat e kontaktuar nga kjo skemë mashtrimi janë mbi 2 milionë dhe ndodhen në shtete të ndryshme të botës.

“Nga veprimet hetimore të kryera, si dhe nga ndërhyrja policore nga ana e Njësisë së Hetimit të Krimeve Kibernetike, e mbështetur dhe nga strukturat e tjera të Drejtorisë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë u realizua operacioni policor ‘Komunikimi’. U arrestuan në flagrancë 35 shtetas, nga të cilët njëri i huaj, shtetasi izraelit Refael Genish, i cili nga hetimet ka rezultuar se është organizatori i kësaj veprimtarie kriminale, si dhe u proceduan në gjendje të lirë 20 shtetas”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, deri më tani janë identifikuar të dhënat personale të shumë shtetasve të huaj të cilat janë përdorur për t‘i kontaktuar këta shtetas dhe më pas “t’i tërhiqnin drejt skemës së mashtrimit kompjuterik”.

Gjatë operacionit ku u arrestuan shtetasit e Shqipërisë dhe shtetasi izraelit, policia ka sekuestruar edhe pajisje kompjuterike, pajisje të telefonisë së lëvizshme, laptopë dhe pajisje të tjera.