1920-1080_1600435921

NAMAZI NË KURAN (HUTBE)

Namazi është përmendur në Kuran mbi gjashtëdhjetë herë. Normalisht se urdhri për namaz “faleni namazin!” nuk ka ardhur vetëm kështu si urdhër, porse sigurisht se ky urdhër ka diç para edhe diç pas. Pra, urdhri për faljen e namazit ka një kontekst të caktuar. Urdhri par ta falur namazin ka një lidhje me ndonjë këshillë, me ndonjë urdhër tjetër, me ndonjë dispozitë tjetër…

Këto minuta do të mundohem t’i sjelli disa ajete kur përmendet namazi, dhe të shohim se në çfarë konteksti ka ardhur përmendja e namazit. E përmenda se ajetet ku përmendet namazi janë mbi gjashtëdhjetë ajete, për këtë edhe nuk mund t’i përmendim të gjitha, këto ajete, porse vetëm disa prej tyre.

Në fillim të sures Bekare, pra menjëherë pas sures Fatiha, në faqen e dytë të Kuranit, Allahu thotë:

﴿الٓمٓ١ ذَٰلِكَ ٱلۡكِتَٰبُ لَا رَيۡبَۛ فِيهِۛ هُدٗى لِّلۡمُتَّقِينَ٢ ٱلَّذِينَ يُؤۡمِنُونَ بِٱلۡغَيۡبِ وَيُقِيمُونَ ٱلصَّلَوٰةَ وَمِمَّا رَزَقۡنَٰهُمۡ يُنفِقُونَ٣﴾

 

“Elif, Lam, Mim. Ky është libri në të cilin nuk ka dyshim, udhëzues për të devotshmit. Të cilët e besojnë të fshehtën, e falin namazin dhe prej asaj që Ne i kemi furnizuar, japin.” (Bekare, 1-3)

Ky ajet po na i përmend cilësitë e besimtarëve, cilësitë e të devotshmëve. Shikojeni këtë trekëndësh: Besojnë në ‘gajb’ pra në të fshehtën; në Allahun, në melekët, në Xhenet e në Xhehenem etj., falen dhe japin.

Ky ajet po na e përmend namazin në këtë kontekst, besim, falje dhe sadaka.

Pastaj fundi i ajetit të pestë, na e tregon rezultatin e atyre që e plotësojnë këtë trekëndësh. Allahu thotë:

﴿ وَأُوْلَٰٓئِكَ هُمُ ٱلۡمُفۡلِحُونَ٥﴾

“… dhe të tillët janë të shpëtuarit.” (Bekare, 5)

Kështu, ata që falen e plotësojnë trekëndëshin dhe bëhen prej të shpëtuarve, ndërsa ata që nuk falen, e lënë të zbrazur këtë trekëndësh, dhe këta nuk i përfshinë ajeti se do të jenë të shpëtuar.

Prej ajeteve tjera që është përmendur namazi është ajeti i sures Taha, ku Allahu thotë:

﴿وَأۡمُرۡ أَهۡلَكَ بِٱلصَّلَوٰةِ وَٱصۡطَبِرۡ عَلَيۡهَاۖ لَا نَسۡ‍َٔلُكَ رِزۡقٗاۖ نَّحۡنُ نَرۡزُقُكَۗ ١٣٢﴾

 

“Urdhëroje familjen tënde ta falin namazin dhe insisto në këtë! Ne nuk kërkojmë prej teje furnizim. Ne ty do të furnizojmë!

Së pari, në këtë ajet po e shohim se e kemi një lidhje mes namazit dhe furnizimit. Pra falu dhe urdhëroji familjarët të falen se Ne ju furnizojmë juve.

Pastaj fjala arabe “vastabir” bë shumë sabër, insisto në vazhdimësi. Fjala “vasbir” do të thotë: duro!, porse “vastabir” do të thotë më shumë se durim, pra duro dhe insisto në vazhdimësi.

Ne e dimë se Pejgamberi ﷺ  na ka urdhëruar që t’ua mësojmë fëmijëve tanë namazin, prej moshës shtatë vjeçare. Kështu ne duhet t’i kapim për dore, t’ua mësojmë abdesin e namazin, t’i dërgojmë në xhami te hoxha, t’i presim për namaz për t’u falur me ne, e t’u blejmë libra islam.

Askush mos të thotë: qe njëqind herë i kam thënë, tash e kam lënë!

Jo. Allahu nuk po thotë thuaj njëqind herë, por urdhëroji ata edhe më shumë se njëqind herë, mos u dorëzo, por duro shumë.

Përse sot, ka disa që fillojnë të falen në moshë të shtyrë, porse lutjet apo suret e Kuranit, i dinë qysh prej fëmijërisë, sepse babai apo gjyshi i tij ka bërë shumë durim për t’ia mësuar atij, dhe tash ky ende i kujtohen ato lutje dhe ato sure.

Ndërsa ne sot këtë “vastabir” që me bo shumë durim e gjejmë në çështjet tjera. Sa e britmën ua bëjmë nëse nuk i kryejnë detyrat shkollore. Nëse djali ynë është i moshës njëzet vjeçare, nuk i lëmë vend duke i folur, e duke e munduar, që të punojë diç e mos të rrijë kot. Këto të gjitha janë në rregull. Duhet të kujdesemi për ta e t’i edukojmë, porse ne këtë durim të madh, këtë insistim nuk e kemi për namaz. Ende nuk e kemi vendosur namazin në rend të parë në listë. Puna e mësimi janë shumë të rëndësishme për fëmijët tanë, porse namazi duhet të jetë edhe më i rëndësishëm për ne. Për këtë edhe duhet të insistojmë për t’i edukuar në namaz.

Shikojeni kontekstin e ajetit në të cilin është ndaluar alkooli apo rakia.

Sikur të na pyes dikush: përse rakia është e ndaluar? Ne i themi: sepse është pije dehëse. Është shumë e dëmshme për njeriun e për shoqërinë. Rakia shkakton dhunë në familje etj.

Këto të gjitha janë në rregull, porse Allahu po na e tregon një prej shkaqeve kryesore përse rakia është haram. Allahu tregon se shejtani përmes rakisë:

﴿ وَيَصُدَّكُمۡ عَن ذِكۡرِ ٱللَّهِ وَعَنِ ٱلصَّلَوٰةِۖ ٩١﴾

“… t’ju largojë nga përmendja e Allahut dhe falja e namazit…”

Pra, rakia na largon prej namazit. Na privon prej namazit.

Këto dyja: namazi dhe rakia nuk shkojnë bashkë. Ose njëra ose tjetra.

Po ashtu narkotikët, e kanë të njëjtën dispozitë.

Nëse duam ta lëmë narkotikun, duhet të falemi. Sepse namazi e përzë narkotikun.

Namazi është përmendur te këshilla e Lukmanit ﷺ  drejtuar të birit të vet.

Allahu na i tregon këto këshilla në suren Lukman. Këshilla e parë është: Mos i bëjë Allahut shirk apo ortak.

E dyta: t’i respektojë prindërit. E treta: ta ketë parasysh se Allahu e përcjellë atë, e sheh dhe e di se çfarë vepron njeriu. Pastaj këshilla e katërt është:

﴿يَٰبُنَيَّ أَقِمِ ٱلصَّلَوٰةَ ١٧﴾

“O biri im, fale namazin!” (Lukman, 17)

Ne e dimë o vëllezër se babai, ka dëshirë që t’i dhurojë shumë fëmijës së vet. Ka dëshirë që të shkollohet në shkollën më të mirë, të punojë në punë të mirë. Ta mjekojë në spitalin më të mirë, në rast të sëmundjes. Thjeshtë fëmijën e do më shumë se veten.

Në këto ajete të aurës Lukman, po e shohim se babai po ia dëshiron të mirën djalit të vet. Po dëshiron që ta shpëtojë në Ahiret. Po dëshirën që të jenë se bashku në Xhenet. Për këtë edhe po i thotë: “Falu!” që të hysh në Xhenet, e të mbrohesh prej Xhehenemi.

Po ashtu edhe Ibrahimi ﷺ , sikurse të gjithë Pejgamberët e tjerë, i kushtonte rëndësi namazit. Allahu na tregon për këtë burrë të madh, për këtë Pejgamber të dalluar me shumë virtyte të larta se është lutur me këtë lutje:

﴿رَبِّ ٱجۡعَلۡنِي مُقِيمَ ٱلصَّلَوٰةِ وَمِن ذُرِّيَّتِيۚ رَبَّنَا وَتَقَبَّلۡ دُعَآءِ٤٠﴾

“O Zoti im! Më bëj mua nga ata që falin namazin, e edhe prej pasardhësve të mi.” (Ibrahim, 40)

Po duhet ta lusim Allahun që ta na e mundësojë të falemi, kështu është lutur Ibrahimi ﷺ , e po ashtu Muhamedi ﷺ  na ka mësuar që në fund të namazit, para se të japim selam nga namazi, të lutemi me këtë lutje:

الَّلهُمَّ أَعِنِّي عَلَى ذِكرِك وشُكرِك وحُسْن عِبادَتِك

“O Allah, më ndihmo të të përmendi, të të falënderojë dhe të të adhurojë në formën më të mirë.”

Vëllezër, ne të gjithë jemi pastruar apo kemi marrë abdes për të ardhur këtu në xhami.

Secili prej neve, e ka një nënë, apo një grua, apo një motër në shtëpi, a thua, a kanë marrë abdes ato?!

Ne i jem përgjigjur thirrjes:

حي على الصلاة

Ejani në namaz.

Gratë nuk e kanë obligim t’i përgjigjen thirrjes ejani në namaz, por e kanë obligim t’i përgjigjen thirrjes “ejani në shpëtim!”

حي عبى الفلاح

A janë duke u falur ato? A janë duke shpëtuar ato?

Ibrahimi ﷺ  e kishte këtë brengë. Lutej edhe për familjen dhe pasardhësit e tij që të falen.

Të shikojmë edhe Musain ﷺ . Ajetet e para, urdhrat e parë që i erdhën Musait ﷺ , menjëherë posa i zbriti shpallja janë këto:

﴿إِنَّنِيٓ أَنَا ٱللَّهُ لَآ إِلَٰهَ إِلَّآ أَنَا۠ فَٱعۡبُدۡنِي وَأَقِمِ ٱلصَّلَوٰةَ لِذِكۡرِيٓ١٤﴾

“Vërtet, vetëm Unë jam Allahu, nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet pos Meje, pra Mua më adhuro dhe fale namazin për të më kujtuar Mua.” (Taha, 14)

E the shahadetin?

Po.

Atëherë falu.

Ende pa shkuar te faraoni. Ende pa i ua lexuar Tevratin popullit, ende pa u treguar se t’i je i dërguar o Musa, falu o Musa, falu!

 

Hutbeja e dytë:

Në suren Maun, Allahu na i tregon cilësitë e atyre që nuk e besojnë ditën e Kiametit, dhe këta janë që nuk interesohen as për jetimin, madje lëre që nuk japin sadaka, por as që i nxisin të tjetër për të dhënë, e pastaj thotë Allahu:

﴿فَوَيۡلٞ لِّلۡمُصَلِّينَ٤ ٱلَّذِينَ هُمۡ عَن صَلَاتِهِمۡ سَاهُونَ٥﴾

“Mjerë për ata që falen. E që ndaj namazit janë të shkujdesur.” (Maun, 4,5)

Shkujdesa këtu ka të bëjë me lënien e namazit të kalojë koha e vet. Pra, vjen koha e drekës, e pastaj e ikindisë, e pastaj e akshamit dhe ky nuk mërzitet fare, për të tillët Allahu po thotë: Mjerë për ta.

Pastaj shikojini edhe këto dy ajete të sures Mudethir:

﴿مَا سَلَكَكُمۡ فِي سَقَرَ٤٢ قَالُواْ لَمۡ نَكُ مِنَ ٱلۡمُصَلِّينَ٤٣﴾

“Çka u solli juve në Sekar (Xhehenem)? Ata thonë: Nuk kemi qenë prej atyre që faleshin.” (Mudethir 42,43).

Pra, përgjigjja e parë e tyre në Xhehenem është se nuk kanë falur namaz.

Kështu të gjitha këto ajete që i përmendëm e edhe ajetet dhe hadithet e shumta që nuk i kemi përmendur na tregojnë se çelësi i Xhenetit është namazi, kurse çelësi i Xhehenemit është mos falja e namazit.

Namazi është shëndet, namazi është qetësi në shpirt dhe qetësi në shtëpi, namazi është furnizim, namazi është dritë në dynja, dritë na varrë e dritë në ahiret. Prandaj edhe nuk ka vend për përtaci e për dembeli këtu fare.

Përgatiti: Mr. Flamur KABASHI