
Myftiu Tërnava pret në selinë e BIK-ut Imamin e Qabesë, shejh Dr. Bender Belilah
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në selinë e BIK-ut Imamin e Qabesë, shejh Dr. Bandar Baleela, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vendin tonë.
Gjatë takimit, Myftiu Tërnava e informoi imamin e Qabesë për organizimin e jetës fetare islame në Kosovë, sfidat dhe të arriturat ndër vite, si dhe për historikun dhe rrugëtimin e popullit të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.
Nga ana e tij, imami i Qabesë, shejh Belilah, u shpreh i lumtur për mundësinë që më në fund po e viziton Kosovën, një vend për të cilin kishte dëgjuar shumë më parë. Ai falënderoi Bashkësinë Islame për mikpritjen dhe uroi që vizita e tij të jetë një nxitje për thellimin e bashkëpunimit mes institucioneve fetare të dy vendeve.
Vizita e shejh Belilah në Kosovë po zhvillohet në kuadër të Garave Kuranore Ndërkombëtare që po mbahen në Prishtinë si dhe do të vazhdojë me vizita në vende me rëndësi fetare dhe historike në mbarë vendin tonë.