
Ministri Vengu: 800 banesa të përmbytura në Durrës, 180 banorë të evakuuar
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, mblodhi sot Komitetin e Emergjencave Civile për ta analizuar situatën alarmante të krijuar nga reshjet e dendura të shiut në qarkun e Durrësit.
Pas përfundimit të mbledhjes, ministri informoi mediat se përmbytjet kanë prekur rreth 800 banesa, ndërsa 180 banorë janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe janë evakuuar për arsye sigurie.
Vengu bëri të ditur se strukturat janë të angazhuara në terren dhe se situata po monitorohet nga afër, pasi rreziku mbetet ende aktiv.
“Kemi një situatë me prezencë uji në ish-Kënetë, në Shkozet dhe mbeten në terren të angazhuara të gjitha skuadrat. Nuk do ndahem nga terreni deri sa të ketë largim total të ujërave. Kemi 800 banesa të prekura nga uji. Janë evakuuar 180 banorë, të cilët janë akomoduar në dy Konvaleshenca e Ministrisë së Brendshme dhe të Mbrojtjes. Parashikohen prurje domethënëse”, tha ai.
Ndërkohë, kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, sqaroi se në orët e para pati hezitim nga ana e disa banorëve për t’u evakuuar.
“Duke qenë se shirat patën kapacitete dhe kohëzgjatje të lartë, kemi evakuuar 180 persona që janë akomoduar në kavalishencë dhe u është siguruar edhe ushqim”, shtoi ajo.
Ndërkohë, të dyja kavalishencat janë të hapura për t’i akomoduar qytetarët e evakuuar.