Dr. Muhamed Salih el-Munexhid
Nga arabishtja: Irfan Jahiu
Pjesë e librit “UDHËZIME DHE DISPOZITA PËR NDODHITË E NDRYSHME GJATË VITIT”
Kurani është udhëzim, mëshirë, dritë, komunikim, tregues i qartë, dallues (i së vërtetës nga e kota), këshillë, i përsosur në urtësitë e tij.
Allahu thotë: “O njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.” (Junus: 57)
“Ky Kuran është tregues i qartë, udhërrëfyes dhe mëshirë për njerëzit që kanë besim të patundur.” (El-Xhathije: 20)
“O njerëz! Me të vërtetë, juve ju ka ardhur një provë bindëse (Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të) nga Zoti juaj dhe ju është zbritur një Dritë e dukshme (Kurani).” (En-Nisa: 174)
“I lartësuar qoftë Ai që i ka zbritur Dalluesin robit të Vet, që të jetë paralajmërues për botët.” (El-Furkan: 1)
“Këto që po t’i tregojmë ty (o Muhamed) janë vargje dhe këshilla të larta (nga Kurani).” (Ali Imran: 58)
Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, në komentin e këtij ajeti thotë: “Nuk do të humbë në dynja dhe nuk do të bjerë në mjerim në ahiret.”[1]
Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Më i miri në mesin tuaj është ai që e mëson Kuranin dhe të tjerëve ua mëson atë.”[2]
I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Allahu ka miq nga njerëzit.” I thanë: “O i Dërguar i Allahut! Cilët janë ata?!” Tha: “Ata janë hafizët (shoqëruesit) e Kuranit, ata janë miqtë e Allahut dhe të veçuarit e Tij.”[3]
Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kur mblidhen njerëzit në shtëpitë e Allahut, e lexojnë Kuranin dhe e mësojnë së bashku me njëri-tjetrin, vetëm se mbi ta zbret qetësia, i mbulon mëshira e Allahut, i rrethojnë melekët dhe Allahu i përmend në mesin e atyre që janë tek Ai.”[4]
Lloji i parë: Mosbesimi i tij dhe fakteve që gjenden në të, siç është gjendja e idhujtarëve dhe e hipokritëve.
Lloji i dytë: Shpërfillja e leximit dhe dëgjimit të tij, moskushtimi i vëmendjes dhe dhënia përparësi fjalëve të njerëzve mbi të, si: poezive, muzikës, zbavitjes, llomotitjeve etj.
Lloji i tretë: Shpërfillja e të punuarit me të, mosndalja tek e lejuara dhe e ndaluara e tij, moszbatimi i urdhrave dhe largimi nga ndalesat e tij, edhe nëse e lexon dhe i beson atij.
Lloji i katërt: Shpërfillja e gjykimit dhe të gjykuarit me të në bazat e fesë dhe degët e tij, besimi që Kurani nuk jep njohuri bindëse dhe nuk arrihet dija me argumentet e tij tekstuale.
Lloji i pestë: Shpërfillja e meditimit, kuptimit, njohjes, komentit dhe qëllimeve të tij.
Lloji i gjashtë: Shpërfillja e kërkimit të kurimit dhe të kuruarit me të për të gjitha sëmundjet dhe zararet e zemrës. Kurimi i tyre kërkohet diku tjetër, duke shkuar te magjistarët, fallxhorët e të ngjashmit me ta dhe shpërfillet kurimi me Kuran.
E gjithë kjo bën pjesë në fjalët e Allahut: “Dhe i Dërguari do të thotë: “O Zoti im! Populli im e shpërfilli Kuranin, si (diçka) të urryer”.” (El-Furkan: 30); megjithatë llojet e shpërfilljes dallojnë në mes vete, disa lloje janë më të lehta se disa të tjera.[6]
Me një hadith tjetër: “Agjërimi dhe Kurani do të ndërmjetësojnë për robin në Ditën e Kiametit. Agjërimi do të thotë: ‘O Zot, gjatë ditës e privova nga ushqimi dhe epshet, më jep leje të ndërmjetësoj për të.’ Kurani do të thotë: ‘O Zot, gjatë natës e privova nga gjumi, më jep leje të ndërmjetësoj për të.’ Tha: ‘Kështu do t’u jepet leje të ndërmjetësojnë.”[9]
Ukbe ibën Amir, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Ishim duke qëndruar në ‘es-suffa’[12] dhe Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, doli jashtë e na tha: “Kush nga ju dëshiron që për çdo ditë në mëngjes herët të shkojë deri në But’han ose deri në El-Akik[13] dhe prej aty të vijë me dy deve me gunga të mëdha, pa bërë gjynah dhe duke mos i shkëputur lidhjet farefisnore?” I thamë: ‘O i Dërguari i Allahut, të gjithë e duam këtë.’ Tha: “Të shkojë ndokush nga ju në xhami dhe t’i mësojë ose t’i lexojë dy ajete nga libri i Allahut, është më e mirë për të se dy deve, tri (ajete) janë më të mira se tri deve, katër (ajete) janë më të mira se katër deve. Sado që të jetë numri i ajeteve, çdoherë janë më të mirë se numri i deveve.”[14]
Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Shembulli i besimtarit që e lexon Kuranin është si shembull i qitros, me shije të mirë dhe me erë të këndshme.
Shembulli i besimtarit që nuk e lexon Kuranin është si shembulli i hurmës, me shije të ëmbël, por pa erë.
Shembulli i hipokritit që e lexon Kuranin është si shembulli i borzilokut, me erë të këndshme e me shije të hidhur.
Shembulli i hipokritit që nuk e lexon Kuranin është si shembulli i kungullit të egër, me shije të hidhur dhe pa erë.”[15]
Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Zilia nuk lejohet përveç në dy raste: T’ia kesh zili një njeriut që Allahu ia ka mësuar Kuranin, atë e lexon gjatë natës dhe gjatë ditës, e kur e dëgjon fqinji i tij thotë: ah, sikur të më ishte dhënë edhe mua kjo dhunti sikurse iu dha filanit dhe të punoja me të sikurse punon ai. Dhe t’ia kesh zili një njeriut që Allahu i dha pasuri dhe atë e shpenzon në rrugë të drejtë, e tjetri kur e sheh veprimtarinë e tij thotë: ah, sikur të më ishte dhënë edhe mua pasuria sikurse iu dha filanit dhe të punoja sikurse punon ai.”[16]
Zilia e përmendur në këtë hadith nuk e ka për qëllim zilinë që ndalohet, sepse ai lakmon t’i posedojë ato begati sikurse tjetri dhe të veprojë me to sikurse vepron tjetri, por nuk e dëshiron largimin e tyre prej pronarit. Zilia e cila ndalohet është ajo kur njeriu dëshiron largimin e begative nga tjetri dhe zhdukjen e tyre. Kjo lloj zilie është e pëlqyer në fushën e ibadetit. Kuptimi i përgjithshëm është që nuk ka zili që pëlqehet, përveç këtyre dy cilësive dhe të ngjashmeve me to në kuptim.[17]
Hadithi nënkupton që, nëse Kurani vendoset në zemrën e njeriut, pra do të thotë që e mëson atë përmendsh, shpresohet që të mos e prekë zjarri i Xhehenemit. Prandaj, ai që Kuranin e mëson përmendsh dhe e lexon atë, nuk do ta prekë zjarri në Ditën e Kiametit.[19]
Pëlqehet që Kuranin ta lexojë rrjedhshëm dhe ngadalë që kjo t’i ndihmojë në kuptimin dhe përsiatjen e tij, të kujdeset për rregullat e texhvidit dhe të leximit, ta zbukurojë zërin gjatë leximit, të mos e ngrejë zërin shumë e as të mos e u ulë shumë, por niveli i zërit të jetë mesatar.
Gjatë leximit të ndalet te kuptimi i ajeteve, t’i lexojë me përulje, t’i rrënqethet lëkura gjatë dëgjimit të tyre dhe t’i lotojnë sytë nga ndikimi i tyre në zemrën e tij.
Gjatë leximit të ndalet tek ajetet dhe t’i meditojë; kur të kalojë tek ajeti ku përmendet lavdërimi i Allahut, pëlqehet të thotë subhanallah, kur të kalojë tek ajeti ku përmendet mëshira, pëlqehet të ndalet dhe të kërkojë mirësinë nga Allahu. Kur të kalojë tek ajeti ku kërkohet mbrojtje ose tek ajeti ku përmendet ndëshkimi i Allahut, pëlqehet ta kërkojë mbrojtjen e Allahut. Tek ajetet ku përmenden begatitë e Allahut dhe Xheneti, pëlqehet t’i kërkojë ato nga Allahu, ndërsa tek ajetet e ndëshkimit dhe zjarrit pëlqehet të kërkojë mbrojtjen e Allahut nga zjarri i Xhehenemit.
Pëlqehet që të lexojë herë nga Mus’hafi e herë nga hifzi i tij, e herë pas here pëlqehet të lexojë nga Mus’hafi dhe hifzi duke i bërë bashkë të dyja mirësitë.
Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thoshte: “Në kohën tonë kur i mësonim dhjetë ajete, nuk i tejkalonim ato derisa nuk e mësonim kuptimin e tyre dhe nuk punonim me to.”[21]
Seid ibën Xhubejr, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Kush e lexon Kuranin e pastaj nuk ia mëson kuptimin, është sikur i huaji (joarab) ose sikur earabiu (nomadi që nuk arrin ta kuptojë Kuranin sh.p.).”[22]
Allahu thotë: “Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët.” (Sad: 29)
Dhe thotë: “Vallë, a nuk përsiatin ata për Kuranin apo i kanë zemrat të kyçura?!” (Muhamed: 24)
Dhe thotë: “Vallë, a nuk kanë medituar ata mbi Fjalën (Kuranin) apo atyre u ka ardhur ajo që nuk u kishte ardhur të parëve të tyre?” (El-Muminun: 68)
Dhe thotë: “Në të vërtetë, Ne e kemi shpallur Kuranin në gjuhën arabe, për ta kuptuar ju.” (Ez-Zuhruf: 3)
Allahu thotë: “Vallë, a nuk përsiatin ata për Kuranin apo i kanë zemrat të kyçura?!” (Muhamed: 24)
Muhamed El-Emin Esh-Shenkiti, Allahu e mëshiroftë, në komentin e ajetit thotë: “Është e ditur se çdonjëri i cili nuk angazhohet me meditimin e ajeteve të Kuranit të Madhërishëm, me shfletimin dhe kuptimin e tyre, njohjen më thelbësore të tyre dhe të punuarit me to, llogaritet që ia kthen shpinën dhe është prej atyre që nuk e meditojnë Kuranin. Nëse Allahu ia ka dhënë dijen dhe kuptimin që t’i meditojë ajetet, por ai nuk e bën këtë, e meriton qortimin dhe kërcënimin e përmendur në ajete. Ajetet e përmendura aludojnë që meditimi i Kuranit, kuptimi, mësimi dhe të punuarit me të, është çështje që myslimanët patjetër duhet ta veprojnë.”[23]
Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Feja është dashamirësi (këshillë)!” I thamë, për kë o i Dërguar i Allahut? Tha: “Për Allahun, për Librin e Tij, për të Dërguarin e Tij, për prijësit e myslimanëve dhe myslimanët në përgjithësi.”[24]
Dashamirësia për Librin e Tij nënkupton dashurinë e madhe për të, madhërimin e vlerës së tij, ngase është fjala e Allahut, të lexuarit e drejtë të tij, dëshirën e madhe për ta kuptuar dhe përkujdesjen e madhe për ta medituar, kuptimi i qëllimeve të tij, respektimin e këshillave të tij, meditimi i dispozitave të tij, të punuarit me urdhrat që i urdhëron dhe largimin nga ndalesat që ai i ndalon.”[25]
Një njeri kur e takoi Ibën Abasin, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i tha: “Kuranin e lexoj shumë shpejt derisa e përfundoj për tri ditë! Ibën Abasi i tha: “Ta lexoj suren Bekare për një natë, me meditim dhe lexim të rrjedhshëm, për mua është më e dashur se të lexojë si thua ti.”[26]
Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Leximi i një ajeti me meditim dhe përsiatje është më i mirë sesa ta bësh hatme Kuranin pa meditim. Leximi me meditim është më i dobishëm për zemrën, e rrit imanin dhe e mundëson shijimin e ëmbëlsisë së Kuranit. Kjo ishte tradita e gjeneratave të para, prej tyre kishte që një ajet e përsëriste deri në mëngjes.”[27]
Po ashtu thotë: “Leximi i një surje me meditim, me dije dhe me kuptim të thellë, me zemër dhe me përkushtim, është më e dashur tek Allahu sesa të bësh hatme me lexim të shpejtë, edhe pse fitohen shumë shpërblime për këtë lexim.
Edhe dy rekate të namazit kur robi i fal me përulje në zemër dhe në gjymtyrë, me përkushtim të plotë për Allahun, janë më të dashura tek Allahu sesa dyqind rekate pa përulje dhe pa përkushtim, edhe pse fitohen shumë shpërblime me faljen e shumë rekateve.”[28]
Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Leximi shkurt dhe me meditim, është më i mirë sesa leximi i gjatë dhe pa meditim. Argumentet janë të qarta për sahabët se kështu vepronin.”[29]
Prandaj Ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thoshte: “Lexojeni Kuranin dhe me të lëvizni zemrat. Nuk duhet që brenga juaj të jetë që sa më shpejt të arrini te fundi i sures.”[30]
Po ta dinin njerëzit vlerën e leximit të Kuranit me meditim, do të angazhoheshin me të dhe do t’i braktisnin të gjitha të tjerat.
Nëse Kuranin e lexon me meditim dhe kalon tek ajeti që zemrës sate i nevojitet për shërim, përsërite ajetin qoftë edhe njëqind herë ose tërë natën! Leximi i një ajeti me meditim dhe përsiatje është më i mirë sesa të bësh një hatme pa meditim.”[31]
El-Hasan ibën Ali, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, përcillet që ka thënë: “Ata që ishin para jush Kuranin e shihnin mesazhe nga Zoti i tyre; i meditonin ato gjatë natës dhe kujdeseshin për to gjatë ditës.”[32]
Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tha: “Kur të dëgjosh që Allahu po thotë: “O besimtarë”; vërja veshin dhe dëgjoje mirë, sepse pas këtyre fjalëve Allahu urdhëron për ndonjë hair të punohet me të, ose paralajmëron për ndonjë sherr, që duhet të largohet prej tij.”[33]
Nëse kërkon udhëzim, meditoje Kuranin,
sepse dija është brenda meditimit të Kuranit.
Kjo ndihmon për kuptimin dhe meditimin e Kuranit. Allahu thotë: “Ky është një Kuran, që Ne e kemi ndarë pjesë-pjesë, që ti t’ua mësosh njerëzve pak nga pak, duke e shpallur atë kohë pas kohe.” (El-Isra: 106)
Do të thotë me qetësi dhe pa u ngutur, që ata ta meditojnë dhe të mendojnë për kuptimet e tij, të nxjerrin nga ajetet dijen dhe shkencat e tij.[34]
Hudhejfe, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Një ditë u fala me të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe në rekatin e parë e lexoi suren El-Bekare. Në vete thashë se kur t’i lexojë njëqind ajete do të bjerë në ruku, por vazhdoi dhe nuk u ndal. Pastaj thashë se do ta lexojë krejt suren El-Bekare në një rekat, por nuk u ndal dhe vazhdoi me lexim. Pas sures El-Bekare filloi me leximin e sures En-Nisa derisa e përfundoi. Pastaj filloi me leximin e sures Ali Imran derisa e përfundoi. Lexonte në namaz ngadalë dhe rrjedhshëm. Kur kalonte tek ajeti ku kishte tesbih bënte tesbih (thoshte subhanallah), kur kalonte tek ajeti me lutje, i lutej Allahut, kur kalonte tek ajeti ku kërkohej mbrojtje, kërkonte mbrojtje nga Allahu.”[35]
Një njeri i tha Ibën Abasit: “Kuranin e lexoj një ose dy herë për një natë!” Ibën Abasi iu përgjigj: “Për mua më e dashur është që brenda një nate ta lexoj vetëm një sure dhe jo të lexoj sikurse ti. Por, nëse e ke patjetër të lexosh ashtu, atëherë lexo me lexim që veshi yt e dëgjon dhe zemra jote e kupton.”[36]
Imam Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nëse dëshiron që të përfitosh nga Kurani, mblidhe zemrën tënde gjatë leximit dhe dëgjimit të tij. Allahu thotë: “Vërtet, këtu ka këshillë për këdo që ka zemër, dëgjon me vëmendje dhe dëshmon.” (Kaf: 37)
Ndikimi i plotë vjen atëherë kur ndalesh te faktori ndikues, vendi i zgjidhjes, kushti për arritjen e ndikimit dhe largimin e pengesës; ajeti i përmban të gjitha këto:
– Fjala e Allahut: “Vërtet, këtu ka këshillë”; është faktori ndikues.
– “për këdo që ka zemër”; është vendi i zgjidhjes.
– “dëgjon me vëmendje”; do të thotë e drejtoi dëgjimin e tij dhe dëgjoi me vëmendje.
– “dhe dëshmon”; do të thotë është dëshmues i zemrës dhe nuk është i shkujdesur dhe neglizhent. Ky është treguesi i pengesës që e pengon arritjen e ndikimit, e ajo është zemra e shkujdesur.”[37]
Si dhe bashkëveprimi me ajetet; kur kalon tek ajeti ku ka tesbih (lavdërim të Allahut), e lavdëron Allahun (duke thënë subhanallah), kur kalon te ajeti i mëshirës e kërkon atë, kur kalon tek ajeti i ndëshkimit, e lut Allahun për mbrojtje nga ndëshkimi.
Leximi i Kuranit në namazin e natës më shumë e koncentron mendjen, si dhe më fort merren vesh dhe bien në ujdi zemra me gjuhën.
Lum për atë që e mëson Kuranin përmendsh në gjoksin (në zemrën) e tij,
e shkëlqen sikurse ylli ndriçues.
Allahu ekber (Allahu është më i Madhi), sa begati e madhe!
Atëherë kur (hafëzit) i thuhet lexo dhe ngrihu!
Dhe Kurani shfaqet në moralin dhe veprat e tij,
dhe zemra lidhet për të.
E lexon në errësirën e natës me meditim,
kurse lotët i rrjedhin nëpër qerpikët e syrit.
Këto janë cilësitë e vërteta të atyre që e mësojnë përmendsh (hafëzëve) Kuranin,
andaj me cilësitë e tyre, cilësohu.
E lusim Allahun që të na bëjë nga ithtarët e Kuranit, të cilët e kuptojnë, punojnë me dispozitat e tij, i meditojnë ajetet e tij, i respektojnë kufijtë e tij. Amin.
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.
[1] Tefsir Et-Taberij (16/191), Ibën Kethir (5/322).
[2] Buhariu (5027).
[3] Ibën Maxhe (215), hadithi është edhe në Sahih El-Xhami’ (2165).
[4] Muslimi (2699).
[5] Muslimi (817).
[6] Shih: El-Fevaid, Ibën El-Kajim (fq.82).
[7] Tirmidhiu (2910), hadithi është në Sahih Et-Tergib ue Et-Terhib (1416).
[8] Muslimi (804).
[9] Imam Ahmedi (6589), shejh Albani e saktësoi në Sahih El-Xhami’ (3882).
[10] Buhariu (4937), Muslimi (798).
[11] Ebu Davudi (1464), Tirmidhiu (2914), hadithi është në Sahih El-Xhami’ (8122).
[12] Vend në xhami ku strehoheshin nevojtarët, të huajt që nuk kishin familje dhe vendbanim. (sh.p.)
[13] Janë dy vende më afër Medinës që kishte treg për shitblerjen e deveve. (sh.p.)
[14] Muslimi (803).
[15] Buhariu (5020), Muslimi (797).
[16] Buhariu (5026) nga hadithi i Ebu Hurejrës, (7529), Muslimi (815), nga hadithi i Ibën Omerit.
[17] Shih: Sherh En-Nevevij ala sahih Muslim (6/97).
[18] Imam Ahmed (17365), shejh Albani e vlerësoi të mirë në Es-Sahiha (3562).
[19] Sherh Es-Suneh, El-Bagavij (4/337).
[20] El-Itkan fi ulumil Kuran, Es-Sujutij (1/369).
[21] Tefsir Et-Taberij (1/74).
[22] Tefsir Et-Taberij (1/80).
[23] Edvau El-Bejan (7/257).
[24] Muslimi (55).0.
[25] Sherh En-Nevevij ala sahih Muslim (2/38), Xhamiul Ulumi uel Hikemi, Ibën Rexheb (1/221).
[26] Fadail El-Kuran, Ebu Ubejd (fq. 157).
[27] Miftah Darus Seadeh (1/535).
[28] El-Minar El-Munif fi Es-Sahih ue Ed-Daif (fq. 29).
[29] Mexhmual Fetava (5/334).
[30] Shuabul Iman, El-Bejhakij (3/408).
[31] Miftah Darus Seadeh (1/535).
[32] Et-Tibjan fi adabi hameleti Kuran, imam Neveviu (fq. 54).
[33] Tefsir Ibën Ebu Hatim (3/718).
[34] Tefsir Et-Taberij (17/575), Tefsir Ibën Kethir (3/85), Tefsir Es-Sadij (fq. 468).
[35] Muslimi (772).
[36] Sunnen Seid ibën Mensur (161- Et-Tefsir).
[37] El-Fevaid, Ibën El-Kajim (fq. 3).
Dr. Muhamed Salih el-Munexhid
Nga arabishtja: Irfan Jahiu
Pjesë e librit “UDHËZIME DHE DISPOZITA PËR NDODHITË E NDRYSHME GJATË VITIT”