Mbretëria e Bashkuar do të dërgojë 350 trupa në Poloni mes tensioneve në rritje me Rusinë

Mbretëria e Bashkuar do të dërgojë 350 trupa në Poloni mes tensioneve në rritje me Rusinë

Qeveria britanike ka njoftuar vendosjen e 350 trupa shtesë në Poloni për të forcuar mbrojtjen lindore të NATO-s në mes të tensioneve në rritje me Rusinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media me homologun e tij polak, Mariusz Blaszczak, sekretari britanik i mbrojtjes, Ben Wallace, theksoi mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për qeverinë polake përballë “qëndrimeve gjithnjë më agresive ushtarake të Rusisë”.

“Në atë frymë solidariteti dhe të ndihmës për të ndarë sfidat e rezistencës së njëri-tjetrit, ne do t’u shtojmë atyre 100 ‘Inxhinierëve Mbretëror’ në Poloni edhe 350 trupa të tjera britanike në një dislokim dypalësh për të treguar se ne mund të punojmë së bashku dhe të dërgojmë një sinjal të fortë se Britania dhe Polonia qëndrojnë krah për krah”, tha Wallace.

Blaszczak, nga ana e tij, shprehu mirënjohje për përforcimet, duke theksuar se ata do të “bashkëpunojnë me forcat e armatosura polake për rritjen e sigurisë, veçanërisht kundër kërcënimit në kufi”.

100 trupa tashmë janë vendosur në Poloni për të ndihmuar në krizën e emigrantëve të viteve të fundit.

Mbretëria e Bashkuar ka bashkuar përpjekjet për zgjidhjen e krizës në rritje të Ukrainës, me kryeministrin Boris Johnson që vizitoi Kievin dhe foli në një konferencë të përbashkët për media me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensku. Sekretarja britanike e jashtme, Liz Truss, po ashtu është planifikuar të vizitojë Kievin në ditët e ardhshme.

Zyrtarët e NATO-s e kanë siguruar Moskën se aleanca nuk synon të zgjerohet më tej në lindje dhe i kanë bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që të tërheq forcat e tij nga Ukraina lindore për të parandaluar kthimin e Evropës në konflikt.

“Rusia ka shprehur shqetësime për agresionin e mundshëm të NATO-s, por ne kemi qenë të qartë se këto shqetësime në thelb janë të pabaza pasi NATO është një aleancë mbrojtëse në zemër të saj”, tha qeveria britanike.

“Por ne duam të punojmë me Rusinë për të garantuar siguri diplomatike në këtë front. Nuk ka të bëjë me lëshime, pasi kryeministri dhe udhëheqës të tjerë perëndimor kanë thënë se të gjitha demokracitë evropianë kanë të drejtë të bashkohen me NATO-s”, thuhet më tej në njoftimin e qeverisë britanike.

Moska ka grumbulluar mbi 100 mijë trupa në kufirin e saj me Ukrainën. Ajo po ashtu ka vendosur forca në jug në Krime dhe në veri në Bjellorusi.

Presidenti Putin këto grumbullime ushtarake i ka quajtur stërvitje ushtarake dhe ka mohuar pretendimet për një pushtim rus, por ka paralajmëruar NATO-n kundër zgjerimit të mëtejshëm në atë që Moska e sheh si faktor që ndikon në rajonin e saj.