[There are no radio stations in the database]

Mali i Zi i dërgon notë verbale Ambasadës së Kosovës për të shtënat në kufi

Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi i ka dërguar të hënën notë proteste Ambasadës së Kosovës në Podgoricë, transmeton Anadolu.

Siç ka raportuar Radio Evropa e Lirë (REL), reagimi malazez lidhet me të shtënat me armë zjarri që dyshohet se erdhën nga pjesa e Kosovës, në zonën pranë qendrës malazeze të skijimit, Hajlla-Shtedim, afër kufirit mes dy shteteve.

“Nga organet kompetente të Republikës së Kosovës është kërkuar që t’i identifikojnë dhe t’i procedojnë autorët e këtyre incidenteve, si dhe të njoftojnë Malin e Zi për të gjitha masat dhe veprimet e ndërmarra”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Malit të Zi, për REL-in.

Të paktën në dy raste janë regjistruar dëmtime në infrastrukturën e qendrës së skijimit Hajlla-Shtedim në Mal të Zi, e cila ndodhet rreth një kilometër e gjysmë nga kufiri me Kosovën. Në të dyja rastet, organet kompetente malazeze dyshojnë se të shtënat janë shkrepur nga territori i Kosovës.

Incidenti i parë ndodhi në korrik të vitit të kaluar, kur u vërejtën dëmtime në kabinën e qendrës së skijimit. Prokuroria e Rozhajës ka hapur lëndë për këtë rast.

Ndërsa, incidenti i dytë ndodhi më 24 gusht të këtij viti, kur pati të shtëna në drejtim të një objekti të qendrës së skijimit. Prokuroria pritet të hapë lëndë pas përfundimit të hetimeve të Policisë.

Nota e protestës është dërguar pas incidenteve të përsëritura që janë regjistruar nga Policia në Rozhajë, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi, e cila shton se për incidentet u njoftua më 22 shtator edhe ambasadorja e Kosovës në Podgoricë.

“Besojmë se rastet e izoluara nuk e reflektojnë përkushtimin e qartë të dy shteteve tona për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe përmirësimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale”, thuhet tutje në përgjigjen e ministrisë malazeze.

Po ashtu, theksohet se palës kosovare i është tërhequr veçanërisht vëmendja për rëndësinë e zbatimit të tri marrëveshjeve ndërmjet shtetesh – për kufirin shtetëror ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, hapjen e pikës së përbashkët kufitare Kotlovi–Kuqishtë dhe rregullimin e regjimit të qarkullimit kufitar.

Mali i Zi dhe Kosova e nënshkruan Marrëveshjen për demarkacionin në vitin 2015. Mali i Zi e ratifikoi atë në të njëjtin vit ndërsa Kuvendi i Kosovës tre vjet më vonë.


[There are no radio stations in the database]