Largohen krejtësisht bllokadat në veri, tërhiqet njësia speciale e Policisë së Kosovës

Largohen krejtësisht bllokadat në veri, tërhiqet njësia speciale e Policisë së Kosovës

Janë larguar bllokadat me kamionë dhe automjete të rënda në pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak, bashkë me çadrat e vendosura nga qytetarët serbë, për t’i lëshuar rrugë edhe largimit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Së fundmi dhjetëra serbë lokalë me kamionin e fundit pjesë e bllokadës në pikën kufitare në Jarinjë në të cilin shkruante “Mirë se vini në Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, qëndruan pa u larguar për një kohë duke bllokuar procesin e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit midis Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

Si pasojë e mos-largimit të tyre bashkë as njësia speciale policore e Kosovës nuk largohej nga kjo pjesë e territorit, ku qëndroi nga 20 shtatori, kur u vendos masa e reciprocitetit për targat e përkohshme me Serbinë.

Nga ora 7 e mëngjesit të sotëm, serbët lokalë lëshuan një korsi të rrugës në Jarinjë po ashtu në Bërnjak.

Së fundmi qytetarët u shpërndanë nga pika kufitare afër Jarinjës, duke larguar edhe çadrat e tyre ndërsa në Bërnjak vazhdojnë të qëndrojnë dhjetëra qytetarë të grumbulluar, por që, situata është e qetë nën kontrollin e KFOR-it tashmë dhe rruga është e qarkullueshme.

Ushtarët e KFOR-it erdhën që në orët e para të mëngjesit dhe ishin të pranishëm dhe të gatshëm gjatë gjithë kohës për të marrë përgjegjësinë për sigurinë dhe paqen në këtë pjesë.

Sipas marrëveshjeje së arritur në Bruksel të enjten e 30 shtatorit, KFOR-i do të qëndrojë në pikat kufitare në veri të Kosovës, Jarinjë dhe Bërnjak për rreth dy javë, deri në qetësimin e plotë të situatës.

Afati i fundit për tërheqjen e të dyja palëve ishte deri sot, jo më vonë se ora 16:00.

Negociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian (BE) për Dialogun Miroslav Lajçak, ranë dakord në Bruksel më 30 shtator që të dyja vendet të fillojnë aplikimin e regjimit të letrave ngjitëse (mbulimin e simboleve shtetërore në targa) gjatë hyrjes dhe qarkullimit tek shteti tjetër nga 4 tetori, duke e larguar përdorimin e targave të përkohshme.

Arsyet që çuan deri në tensionimin e situatës në veri?

Në 10 vjetët e fundit, qytetarëve të Kosovës iu është dashur të paguajnë për targat e përkohshme dhe të heqin targat e tyre “RKS” për të qarkulluar në territorin e Serbisë. Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës filloi të aplikonte të njëjtën masë për automjetet nga Serbia, duke shkaktuar reagime nga popullata serbe.

Gjithashtu, në Kosovë që nga 15 shtatori, kur skadoi marrëveshja pesëvjeçare e Brukselit, targat “KS” nuk janë më të vlefshme.

Që nga viti 2011 kur u arrit marrëveshje për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë, targat me shkurtesa të qyteteve të Kosovës të lëshuara nga Serbia nuk vlejnë në Kosovë, por ato u lejuan në veri të vendit ku shumica e popullatës i përket etnitetit serb.

Çështja e targave ngriti tensionet midis Kosovës dhe Serbisë dhe Serbia kreu manovra ushtarake pranë kufirit me Kosovën fundjavën e kaluar, ndërsa aeroplanët ushtarak serbë fluturuan mbi zonën kufitare.

Gjithashtu të dielën, persona ende të paidentifikuar i vunë zjarrin me bomba dore Qendrës për Regjistrimin e Automjeteve në Zubin Potok, ndërsa tentuan të njëjtën gjë edhe me qendrën e njëjtë në Zveçan, por bombat e dorës nuk shpërthyen.

Këto u bënë arsyeja që përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së kërkuan nga Prishtina dhe Beogradi zyrtar një marrëveshje për shtensionimin e situatës.