[There are no radio stations in the database]

Solidaritet i jashtëzakonshëm – arrihet shuma prej 96,000 euro

Aksioni humanitar për grumbullimin e mjeteve financiare në ndihmë të familjes së Avni Llugiqit është përmbyllur me sukses të plotë. Falë ndihmës dhe mëshirës së Allahut, si dhe bujarisë së madhe të kontribuesve, është arritur shuma e synuar prej 96,000 euro.

Ky mobilizim i gjerë dëshmoi edhe një herë nivelin e lartë të solidaritetit dhe unitetit në mesin e komunitetit, ku shumë besimtarë kontribuan me vullnet të plotë për të ndihmuar një familje në nevojë për strehim.

Familja Llugiqi ka shprehur falënderimet dhe mirënjohjen e tyre të thellë ndaj të gjithë kontribuesve, duke theksuar se kjo ndihmë ka sjellë lehtësim dhe shpresë të madhe për të ardhmen e tyre.

Ndërkohë, drejtori i RTV Pendimit, Hevzi Hasani, i cili ishte iniciatori dhe mbikëqyrësi kryesor i këtij aksioni, falënderoi publikisht të gjithë ata që kontribuan, duke e vlerësuar këtë iniciativë si një shembull të shkëlqyer të humanizmit dhe bashkëpunimit.

Një rol të rëndësishëm në realizimin e këtij aksioni ka pasur edhe grupi koordinues, i cili me angazhim të vazhdueshëm dhe organizim të mirë ka siguruar që gjithçka të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe efikase.

Ky aksion mbetet një dëshmi e fuqishme se, përmes bashkimit dhe vullnetit të mirë, është e mundur të arrihen rezultate të mëdha në ndihmë të atyre që kanë nevojë.


[There are no radio stations in the database]