htfrthththth

Kurani i rrënon dyshimet (HUTBE)

Mësimet e Kuranit ndahen në tri pjesë:

  1. Teuhid ose njësimi i Allahut,
  2. Tregime, dhe

Kur jemi te tregimet, do të shohim dialogun që e bënë pejgamberët e Allahut me jobesimtarët. Kur jemi tek ajetet e teuhidit, do të shohim se flasin për madhështinë e Allahut, për cilësitë e larta dhe emrat e bukur të Allahut, njohja e mirëfilltë e Allahut e kështu me radhë.

Në Kuran përmenden dyshimet e jobesimtarëve dhe Allahu u përgjigjet atyre. Këto dyshime përsëriten në të gjitha kohët. Pra, këto dyshime nuk janë diç e re, përkundrazi janë të vjetra, porse mund të ndryshojnë në nuanca, ndërsa në vija të gjera dyshimet që i shfaqnin idhujtarët e hershëm dhe jobesimtarët bashkëkohorë janë të njëjta.

Madje, është e çuditshme se idhujtarët e së kaluarës, kur ishin në rehati, adhuronin idhujt, ndërsa në kohë krizash i ktheheshin Allahut. Ndërkaq, jobesimtarët e së sotmes fare nuk kthehen tek Allahu, madje as në kohë vështirësish.

Në Kuran do të hasim ajete që i rrënojnë dyshimet e ateistëve. Po ashtu do të shohim ajete që i rrënojnë dyshimet e idhujtarëve. Pastaj, ajete që i rrënojnë dyshimet e atyre që e mohojnë profecinë e Muhamedit ﷺ , madje vetë Kurani u përgjigjet atyre që e teprojnë në lavdërimin e Muhamedit ﷺ , saqë i atribuojnë cilësi hyjnore dhe e kundërshton bindjen e tyre.

Kur Xhubejr ibn Mutimi ishte idhujtar, e tregon këtë rast: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke lexuar suren et Tur në namazin e akshamit dhe, kur arriti tek ajetet: “A mos vallë, ata janë krijuar prej hiçit apo mos janë ata krijues të vetvetes?! A mos vallë ata kanë krijuar qiejt dhe Tokën?! Nuk është kështu, por ata nuk janë aspak të bindur. A mos zotërojnë thesaret e Zotit tënd?! Apo mos janë ata sunduesit (e gjithçkaje)?!”, (Et Tur, 35-37) zemra desh më fluturoi.[1]

Ne e dimë logjikisht se asgjë nuk krijohet prej asgjësë. Pra, çdo gjë ka një bazë, një esencë, një bërthamë. Ndërkaq, Ai që krijon vetëkuptohet se është shumë i Fuqishëm, ka urtësi absolute, nuk gabon, porse çdo gjë e përsos dhe sigurisht se nuk është i llojit njerëzor.

Mospajtimin që e kemi me fetë e tjera ne nuk guxojë të bëjmë dallime mes pejgamberëve të Zotit se ky apo ai është më mirë, ndërsa profeti tjetër është gabim. Jo, nuk guxojmë të bëjmë kësi lloj krahasimesh.

Atë që kemi të drejtë ta bëjmë është të sjellim argumente se cili libër i Zotit nuk ka pësuar ndryshime, cili Libër i Zotit është i ruajtur ashtu siç ka zbritur. Pra, tërë këtë e bëjmë me argumente.

Pastaj, dialogun me ateistët mund ta bëjmë rreth prijësve shpirtërorë të tyre. Sigurisht, edhe ata kanë njerëz që i pasojnë, prej të cilëve frymëzohen. Nëse shikojmë në biografitë e atyre ose në cilitdo prej tyre, bie fjala, Karl Marksi, ishte racist, ndërsa sot bota mundohet ta luftojë racizmin. Lenini ishte tiran dhe njeri që sillej keq me prindin e vet. Ngjashëm i kemi edhe biografitë e ateistëve të tjerë, ku do të shohim se bënë vrasje masive të njerëzve të pafajshëm.

Ndërkaq, nëse e shikojmë biografinë e Muhamedit ﷺ , do të shohim se edhe vetë jomuslimanët e vendosin të parin në listën e njerëzve të dalluar dhe më me ndikim në historinë e mbarë njerëzimit.

Tek ai do të gjejmë trimëri, bamirësi, burrni e modesti. Do të shohim se i nderonte të vjetrit e të vegjlit, trajtimin e mirë që i bënte familjes, robërve ose shërbëtorëve, pastaj edhe me kafshët ishte shumë i butë e i mëshirshëm. Po ashtu, sjelljen madhështore që e kishte me jomuslimanët.

Shikoje këtë përshkrim që e bëri Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të‎‎) për Pejgamberinﷺ : “Ditën kur Pejgamberi ﷺ  hyri në Medinë ndriçonte çdo gjë, kurse ditën kur vdiq çdo gjë dukej e errët.”[2]

Nëse ndalemi te Faraoni, do të shohim se ai dhe përkrahësit e tij i mohonin të gjitha argumentet dhe mrekullitë e Musait ﷺ , por Allahu na tregon çfarë fshihte Faraoni dhe ata që ishin me të:

﴿وَجَحَدُواْ بِهَا وَٱسۡتَيۡقَنَتۡهَآ أَنفُسُهُمۡ ظُلۡمٗا وَعُلُوّٗاۚ ١٤﴾

“Dhe i mohuan ato (argumentet e Zotit) me arrogancë e tirani, ani pse në vete besonin bindshëm.” (En Neml, 14)

Po, pra ata ishin të bindur në argumentet e Musait ﷺ , porse i mohuan për shkak të arrogancës që e kishin, gjë që u kushtoi shtrenjtë, sepse të gjithë së bashku përfunduan të përmbytur në ujë.

Vëllezër, ne nuk guxojmë të luajmë me besimin, herë të besojmë, herë jo! Me besimin në Allahun nuk ka lojë, nuk ka shaka.

Nëse dikush shkon në gjykatë, a bën shaka atje? Përkundrazi, sjelljet i ka shumë në nivel dhe fjalët i ka jashtëzakonisht të matura. Madje, kur të hyjë, hyn duke u dridhur nga frika. Nëse jemi shumë serioz në gjykatë, përse të mos jemi seriozë në çështjen e besimit tonë, prej të cilit varet ardhmëria jonë në dynja e në ahiret?! Ka njerëz që kanë luajtur me argumentet e Zotit, por asnjëri prej tyre nuk ka parë ditë të bardhë.

Kur jemi te besimi në ringjalljen, Allahu na e përshkruan dyshimin që e kanë disa nëpër histori:

﴿وَضَرَبَ لَنَا مَثَلٗا وَنَسِيَ خَلۡقَهُۥۖ قَالَ مَن يُحۡيِ ٱلۡعِظَٰمَ وَهِيَ رَمِيمٞ٧٨ قُلۡ يُحۡيِيهَا ٱلَّذِيٓ أَنشَأَهَآ أَوَّلَ مَرَّةٖۖ وَهُوَ بِكُلِّ خَلۡقٍ عَلِيمٌ٧٩﴾

“Ai na solli Neve shembull, e harroi krijimin e vet e tha: “Kush i ngjall eshtrat duke qenë ato të kalbura?” Thuaj: “I ngjall Ai që i krijoi për herë të parë, e Ai është shumë i dijshëm për çdo krijim.” (Jasin, 78-79)

Eshtrat për herë të parë janë krijuar prej ujit, e përse të mos rikrijohen pasi të jenë të kalbura?! Madje, në mendjen tonë a është më i lehtë krijimi për herë të parë apo rikrijimi, përkatësisht krijimi herën e dytë? Sigurisht, krijimi për herë të parë është më i vështirë. Këtë na e thotë edhe Kurani:

﴿وَهُوَ ٱلَّذِي يَبۡدَؤُاْ ٱلۡخَلۡقَ ثُمَّ يُعِيدُهُۥ وَهُوَ أَهۡوَنُ عَلَيۡهِۚ ٢٧﴾

“Dhe Ai është që e shpik jetën dhe pastaj e përsërit atë, e ajo (përsëritja) është edhe më e lehtë për Të (sipas mendimit tuaj).” (Er Rum, 27)

A e dini përse njerëzit dyshojnë në ringjalljen e në botën tjetër? Ç’është e vërteta, ata dyshojnë në fuqinë e Allahut.

Mu për këtë, Allahu në suren Kaf, prej argumenteve që ua përmendi atyre që i kanë zemrat të mbushura me dyshime, i kthen në bazë ose në ajkë të besimit: Allahu ka mundësi të krijojë, ka Fuqi të krijojë. Pra, nëse ne jemi të bindur se Allahu krijoi Tokën e Qiellin, bimët e njeriun, malet e ujërat, atëherë ne besojmë se qenka e lehtë për të edhe ta ringjallë këtë njeri.

I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Njeriun të tërin do ta tretë toka, përveç kërbishtit[3]: prej tij është krijuar dhe prej tij do të ringjallet.”[4]

Njeriu nuk tretet i tëri, por mbetet edhe kjo pjesë e vogël e quajtur kërbisht, prej të cilit do të ringjallet. Disa persona, të gjitha argumentet që flasin për Allahun e për botën tjetër, i refuzojnë e nuk i pranojnë, me pretekstin se ai nuk i ka parë këto gjëra! A është ky argument? Unë i besoj vetëm asaj që e kam parë, përndryshe nuk besoj. A është argument ky pretendim?

Neve si besimtarë na mjafton të na tregojë ose të na informojë një njeri besnik, që nuk gënjen, ne i besojmë sakaq. Kur jemi te pretendimi “se nuk e kam parë, andaj nuk besoj”, ka shumë gjëra që ekzistojnë që dikush nuk i ka parë.

Fëmija në barkun e nënës nuk sheh asgjë, por a do të thotë kjo se nuk ekziston një botë jashtë barkut të nënës dhe rrethit ku ai tanimë jeton?

Peshku në ujë nuk sheh çfarë ka në tokë, por a do të thotë se asgjë nuk ekziston mbi tokë?

Madje, shpirti, o vëllezër, të gjithë njerëzit besojnë se shpirti ekziston, porse askush nuk e sheh atë.

Mos harroni vëllezër se njeriu në këtë botë është në provim, ndërsa në botën tjetër do t’i zbulohet çdo gjë, porse atëherë bëhet vonë.

 

Pjesa e dytë e hutbes

Kurani fisnik është Fjalë e Allahut të Madhëruar, rrjedhimisht është kundërpërgjigje ndaj çdo dyshimi. Pejgamberi ﷺ  nuk shtoi në Kuran as një fjalë të vetme.

Çdo gjë është vetëm prej Allahut, prandaj Kurani mbetet mrekullia më e madhe e njerëzimit.

Ibn Atije, një prej burrave të parë, kur e përshkroi Kuranin dhe madhështinë gjuhësore që e ka, thotë: “Sikur të hiqej një shprehje nga Kurani, pastaj të shikohej në tërë gjuhën arabe (që llogaritet se i ka rreth 12 milionë fjalë), në mënyrë që të vendoset në vend të fjalës kuranore, nuk do të gjeje dot.”[5]

Nuk mund të gjesh ndonjë fjalë më të mirë sesa atë fjalë që e ka thënë Allahu.

Mos u lodh të gjesh më mirë, por besoji Zotit tënd dhe Fjalës së Tij, se aty ke zgjidhje dhe përgjigje për çdo gjë.

Përgatiti: Flamur Kabashi

[1] Buhariu nr.4854.

[2] Tirmidhiu nr.3618 dhe thotë se është sahih garib, po ashtu hadithin e saktëson shejh Albani.

[3] Kërbisht: ashti i vogël në fund të boshtit kurrizor, që në anatomi njihet me termin coccyx.

[4] Muslimi, 2955.

[5] Nebeul adhim, f.147.