Kryeministri Rama për fitoren në zgjedhje: Fitoi forca më e madhe demokratike

Kryeministri Rama për fitoren në zgjedhje: Fitoi forca më e madhe demokratike

Partia Socialiste e Shqipërisë (PS), e cila nga rezultatet paraprake ka fituar zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, ka mbajtur një miting me pjesëmarrjen e simpatizantëve dhe drejtuesve të saj, raporton Anadolu Agency (AA).

I pranishëm në mitingun e organizuar në sheshin “Skënderbej” në Tiranë ishte edhe kryeministri i Shqipërisë dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili në fjalën e tij theksoi se kjo është fitorja më e vështirë, më e madhe dhe më e bukur e Partisë Socialiste të Shqipërisë.

“Ky është rekordi historik i kësaj skuadre të madhe njerëzish të zakonshëm me fuqinë e jashtëzakonshme të ambicies për Shqipërinë dhe të një shpirti gare. Shqipëria votoi, Shqipëria vendosi, Shqipëria fitoi. Fitoi karakteri ynë si një forcë e pathyeshme edhe përballë fatkeqësive natyrore. Fitoi besimi ynë se ky vend bëhet dhe bindja jonë se është misioni jonë ta bëjmë këtë vend”, u shpreh kryeministri Rama.

Rama theksoi se fitoi forca më e madhe demokratike, qytetare, politike, sipas tij, “që shqiptarët kanë krijuar ndonjëherë për Shqipërinë, Partia Socialiste e Shqipërisë”.

“Kjo fitore duhet merituar në çdo ditë të katër viteve që kemi përpara. Është një fitore e madhe dhe e bukur”, theksoi më tej kryeministri Rama.

Partia në pushet fitoi në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 25 prill mandatin e tretë qeverisës, e cila konkurroi më vete me sloganin “Shqipëria e ardhmja jonë”.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në uebfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga numërimi i votave të 5.089 qendrave të votimit ose rreth 97 për qind nga 5.199 gjithsej, kryeson PS-ja me 48,63 për qind të votave apo 74 mandate.

Në vend të dytë renditet koalicioni i udhëhequr nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), me 39,46 për qind të votave ose 59 mandate.

Partia tjetër opozitare, Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), renditet në vend të tretë me 6,83 për qind, duke siguruar 4 mandate.

Ndërkohë, 3 mandate i ka siguruar edhe Partia Socialdemokrate (PSD), cila ka konkurruar më vete duke marrë në rang vendi deri tani 2,24 për qind të votave.