
Kosovë, vihen gurthemelet për dy ura të reja mbi Lumin Ibër
Mbi Lumin Ibër, i cili ndan pjesën veriore me shumicë të popullatës serbe me atë jugore me shumicë shqiptare të qytetit të Mitrovicës, u vendosën gurthemelet për dy ura të reja, njëra për këmbësorë dhe tjetra për automjete, raporton Anadolu.
Rreth 100 metra nga ura kryesore mbi Ibër fillimisht u hodhën lopatat me beton në themelin e urës që do të përdoret për automjete, e më pas edhe në themelin e urës për këmbësorë, në krahun tjetër të urës aktuale e cila ruhet nga KFOR-i Italian.
Në vendosjen e gurthemeleve të këtyre urave mori pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministra të kabinetit qeveritar, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, dhe të tjerë.
Në fjalën e tij pas vendosjes së gurthemeleve, kryeministri në detyrë Kurti tha se është gjithmonë për ura të bashkëpunimit dhe këto ura tregojnë përkushtimin që ndërmjet veriut dhe jugut të ketë sa më shumë komunikim, qarkullim, bashkëpunim dhe shkëmbime.
“Këto dy ura, të cilat janë në dy anët e urës kryesore mbi Ibër, njëra prej tyre do të jetë edhe për automjete e këmbësorë, ndërkaq tjetra do të jetë vetëm për këmbësorë. Ajo që do të jetë për automjete dhe këmbësorë është e gjatë 51 metra, e gjerë 10 metra, me ç’rast nga 1,5 metër trotuar i ka në të dyja anët. Ndërkaq, kjo ku jemi tash këtu, do të jetë vetëm për këmbësorë me gjatësi 41 metra, ndërsa gjerësi 37 metra”, theksoi Kurti.
Kurti tha se mbi Lumin Ibër gjithsej janë 77 ura, në tri shtete: Malin e Zi, Republikën e Kosovës dhe në Serbi, prej tyre 35 janë në Kosovë, ndërsa urat e reja do ta bëjnë 37 numrin e urave mbi Lumin Ibër në territorin e Kosovës.
I pyetur se a po fillon ndërtimi i këtyre urave në koordinim me Bashkimin Evropian, i cili ka kërkuar që Kosova të mos marrë veprime të njëanshme në veri dhe në koordinim në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, Kurti tha se ai është kryeministër i Kosovës dhe gjithçka që bën “është në përputhje me planet tona, sipas ligjit dhe për të mirën e gjithë qytetarëve”.
Kurti tha se nga 79 ura, vetëm njëra urë mbi Ibër ka policë të uniformuar, në qendër të Mitrovicës, dhe presin që edhe kjo urë të hapet për qarkullimin e automjeteve.
“Ka kaluar koha e barrikadave, është koha e bashkëpunimit, e qarkullimit të lirë, e shkëmbimeve sa më të mëdha të mallrave, të kapitalit, të shërbimeve. Prandaj, unë besoj se këto ura do t’i shfrytëzojnë jo vetëm shqiptarët, por që të gjithë nga pjesa veriore, posaçërisht serbët, që dihet që, në komunën veriore të Mitrovicës ata janë shumicë”, theksoi Kurti.
Punimet e këtyre urave planifikohet të përfundojnë më së largu në tetor të vitit 2025.