Rtv Pendimi

Kosovë, Qeveria do t’u ndajë nga 100 euro punëtorëve, studentëve dhe kategorive sociale

Kosovë, Qeveria do t’u ndajë nga 100 euro punëtorëve, studentëve dhe kategorive sociale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka prezantuar sot disa masa të reja në kuadër të pakos me qëllim të mbështetjes financiare për qytetarët, në kohën e ngritjes së çmimeve në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin, kryeministri Kurti tha se me nga 100 euro si masë e njëhershme do të ndihmohen familjet me asistencë sociale, pensionistët, punëtorët e sektorit publik dhe atij privat dhe studentët.

Vlera totale e të gjitha këtyre masave, Kurti tha se është mbi 100 milionë euro dhe nga këto masa e kjo shumë do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë ose, praktikisht, secila familje e Kosovës.

“Për muajin prill do ta dyfishojmë vlerën e asisistencës sociale për të gjitha familjet që përfitojnë nga kjo asistencë. Pensionistëve do t’ua ndajmë nga 100 euro shtesë për muajin prill. Nga kjo mbështetje do të përfitojnë të gjithë ata që marrin pension bazik, pension kontributpagues, pension për aftësi të kufizuar, pension të veteranit e kështu me radhë. Për herë të parë do të mbështesim me shumë të njëhershme prej 100 eurove të gjithë punëtorët e sektorit privat, pra rreth 300 mijë punonjës dhe do të ndahet shuma prej 100 eurove edhe për mbi 80 mijë zyrtarë publik”, njoftoi Kurti.

Ai po ashtu bëri të ditur se për herë të parë po ashtu do të mbështeten të gjithë studentët e Kosovës, me një shumë të njëhershme prej 100 eurove ku nga kjo mbështetje do të përfitojnë rreth 80 mijë studentë.

Sa i përket shtresave më të cenueshme të shoqërisë, ai tha se kanë filluar zbatimin e programit për shpërndarjen e mbi 40 mijë pakove ushqimore.

Kurti theksoi se këto ndihma në radhë të parë do t’u ndahen pensionistëve dhe atyre në asistencë sociale, pastaj edhe sektori publik, ndërsa punëtorët e sektorit privat dhe studentët do të njoftohen gjatë ditëve në vijim nga Qeveria.

Në konferencë u bë e ditur se përpos kësaj, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës e cila do të mbahet të mërkurën, do të hapet rrugë edhe për miratimin e projektligjit që synon rritjen e pagës minimale në vend në 264 euro bruto, apo 250 euro neto dhe heqjen e tatimit për 250 euro pagë.

Paga minimale aktualisht në Kosovë është 170 euro ndërsa nuk ka ndryshuar nga viti 2011.

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH