thumbs_b_c_c229e27d5e6172f5d98aa2c734e907fd

Kosovë, Kurti takoi ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së BE-së

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, takoi ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, transmeton Anadolu.

Siç njofton Zyra e Kryeminsitrit, në takim u diskutua mbi zhvillimet aktuale dhe rreth procesit të anëtarësimit në Këshill të Evropës, ku Kurti tha se deri më tani tri instanca të rëndësishme të Këshillit të Evropës (Juristët Eminentë, Raportuesja Dora Bakoyannis dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës) kanë konfirmuar se Kosova plotëson standardet dhe kriteret për të qenë anëtare e plotë e kësaj organizate.

“Kushtet dhe parakushtet për anëtarësim, u vendosën në raportin e raportueses Dora Bakoyannis të cilat Republika e Kosovës i plotëson, duke përfshirë këtu edhe vendimin prej vitesh në pritje për Manastirin e Deçanit. Për më tepër, si shenjë gatishmërie dhe hap para, tre krerët shtetëror i dërguan letër të garancisë raportueses Dora Bakoyannis për adresimin e çështjeve të pas anëtarësimit të identifikuara nga Këshilli i Evropës”, thuhet në njoftim.

Kryeministri theksoi se Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, me një kushtetutë të avancuar e cila ofron të drejta të garantuara dhe zgjeruara për komunitet joshumicë, dhe tejkalon standardet ndërkombëtare, e vlerësuar kështu edhe nga Juristët Eminentë të Këshillit të Evropës.

Kryeministri kujtoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg; se procesi i anëtarësimit në Këshill të Evropës është çështje e respektimi të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, vlera këto që Kosova i përqafon.

“Këto dy procese nuk duhet të përzihen pasi nuk e ndihmojnë njëra-tjetrën. Në rast se këto përzihen, kjo do t’i bënte dëm të pariparueshëm në njërën anë dialogut në Bruksel dhe në anën tjetër Këshillit të Evropës si institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, tha Kurti sipas komunikatës.

Tutje, ai i bëri thirrje shteteve aleate të Kosovës, shteteve të QUINT-it që të mbështesin anëtarësimin e Kosovës me 17 maj në përputhje me vlerësimet nga vetë institucionet e Këshillit të Evropës, dhe mbi bazën e arritjeve meritore në zhvillimin e demokracisë, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe linjëzimit të saj me vlerat dhe qëndrimet perëndimore.

Më 16 prill Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështeti me shumicë votash anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Çështja tashmë kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës. Ministrat do të takohen më 17 maj në Strasburg.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022.