[There are no radio stations in the database]

Kosovë, gjykata thërret për dorëzim para autoriteteve të drejtësisë tre të pandehur serbë

Gjykata Themelore në Prishtinë u ka bërë thirrje tre të pandehurve serbë që të paraqiten dhe të dorëzohen tek autoritetet kosovare të drejtësisë pasi ata dyshohen për krime lufte në Kosovë, transmeton Anadolu.

Gjykata nëpërmjet një njoftimi për media ka bërë të ditur se ka caktuar 22 dhjetorin 2025 si datë kur do të mbahet seanca për shqyrtimin fillestar ndaj tre të pandehurve të akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile.

“Të akuzuarit Dushan Gavraniq, Zoran Sharac dhe Zharko Cvetanoviq po përballen me aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 dhjetor 2024, për veprën penale krime lufte kundër popullsisë civile”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të gjykatës, gjykimi do të zhvillohet në mungesë, pasi të pandehurit janë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.

Gjykata po ashtu, u bëri thirrje qytetarëve që posedojnë informacione për vendndodhjen e tyre t’i raportojnë ato tek Policia e Kosovës apo organet kompetente.

Seanca e cila do të mbahet më 22 dhjetor në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali, do të udhëhiqet nga kryetari i trupit gjykues, Leon Përlaska.


[There are no radio stations in the database]