[There are no radio stations in the database]

Kosova shpall zonë të mbrojtur Malin Mokna dhe Liqenin e Ujmanit

Kosova ka shpallur zonë të mbrojtur Malin Mokna dhe Liqenin e Ujmanit me qëllim të mbrojtjes së natyrës në Kosovë, transmeton Anadolu.

Zv/ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur se vendimin për mbrojtje paraprake të “Malit Mokna dhe Liqenit të Ujmanit” e ka nënshkruar javën e kaluar. Sipas tij, ky është një nga vendimet më të rëndësishme për mbrojtjen e natyrës në Kosovë.

“Me këtë vendim, Kosova bëhet shteti me përqindjen më të lartë të territorit nën mbrojtje të natyrës në gjithë Ballkanin Perëndimor. Pas një studimi njëvjeçar në terren, është konstatuar se kjo zonë përbën pasuri të rrallë natyrore, me biodiversitet të pasur dhe peizazhe me rëndësi të veçantë ekologjike e shkencore”, ka shkruar Durmishi në rrjetet sociale.

Ai njoftoi se zona me sipërfaqe prej 192.19 kilometra katrorë tashmë vihet nën mbrojtje paraprake, siç tha, duke e ngritur në 12,4 për qind zonën e territorit të Kosovës që mbrohet ligjërisht.

Më tej, zv/ministri Durmishi tha se ky hap përfaqëson një arritje të madhe në drejtim të përmbushjes së objektivave kombëtare dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës, si dhe një angazhim të vendosur për ruajtjen e ekuilibrave natyrorë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Liqeni i Ujmanit (i njohur edhe si Gazivoda), i shtrirë në pjesën veriore të vendit, është një nga pasuritë më strategjike të Kosovës, si në aspektin ekonomik, energjetik, ujësjellës, ashtu edhe atë politik dhe gjeostrategjik.


[There are no radio stations in the database]