Kosova ka kapacitet shtetëror për akomodimin e rreth 240 refugjatëve

Kosova ka kapacitet shtetëror për akomodimin e rreth 240 refugjatëve

Përfaqësuesi i Agjencisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), Erol Arduc është pritur në takim në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione për të ndarë të dhëna të agjencisë lidhur me refugjatët në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Arduc i cili udhëheqë agjencinë UNHCR në Kosovë nga viti 2018 ka thënë se situata me azilkërkuesit në Kosovë është stabile për arsye të ligjeve të qarta dhe solide që ka vendi në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare, megjithatë ai tha se ka vend për përmirësim.

“Qasja në mbrojtje, e cila për ne është gjithmonë prioritet definitivisht ka nevojë për përmirësim. Nuk është çudi, ngase kufijtë janë kufij të përkatësisë etnike. Ato janë të orientuara shumë më shumë në aspektin e sigurisë dhe jo aq shumë të orientuara në aspektin e të drejtave të njeriut”, tha ai.

Në këtë kuptim, Arduc tha se Kosovës i duhet përmirësim për njerëzit që janë duke “trokitur” në dyer të shteteve dhe dëshirojnë të kalojnë kufijtë.

Po kështu, Arduc tha se në Kosovë nuk ka mjet transporti të veçantë për refugjatët, ndërsa ata shumë shpesh barten me automjete të ndryshme, nganjëherë edhe me automjete me të cilat barten të burgosurit, gjë që atyre mund t’u shkaktojë traumë.

Kryetarja e Komisionit, Duda Balje, e pyeti në këtë takim kreun e UNHCR-së në Kosovë se cila është situata e fëmijëve të cilët janë refugjatë në Kosovë, trajtimi i tyre shëndetësor dhe arsimor si dhe për lindjet e bebeve.

Arduc tha se UNHCR-ja bashkë me institucionet kosovare po punojnë që azilkërkuesit të integrohen sa më shpejtë në shoqërinë kosovare.

“Nuk kanë lindur dhe aq fëmijë këtu. Mendoj se së fundmi kemi një lindje por natyrisht nuk qëndrojnë shumë gjatë këtu. Gjithashtu nuk ka shumë fëmijë të ndarë nga familja këtu, me sa kujtoj janë gjithsej 7. Pra, numri i tyre fatmirësisht nuk është dhe aq i lartë, por pa marrë parasysh, siç e thash, ne duhet të përgatitemi shumë mirë”, tha ai.

Arduc bashkë me anëtarët e Komisionit janë pajtuar në fund që gjatë kësaj jave ta vizitojnë një shkollë fillore në Magurë të Lipjanit, atje ku fëmijë refugjatë po vijojnë mësimin e rregullt në shkolla shtetërore.

Të premten e javës së kaluar në Kosovë për nder të 20 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Refugjatëve u përurua rinovimi i Qendrës së Azilit në Vranidoll të Prishtinës me kapacitet për 140 refugjatë. Përpos qendrës në Vranidoll, Kosova ka edhe një tjetër qendër të azilit në Magurë të Komunës së Lipjanit me kapacitet për akomodimin e rreth 100 refugjatëve.

Sipas raportit vjetor të misionit të UNHCR-së, numri i njerëzve që po ikin nga luftërat, dhuna, persekutimi dhe shkelja e të drejtave të njeriut në mbarë globin në vitin 2020 krahasuar me vitin paraprak është rritur me 4 për qind duke arritur shifrën 82.5 milionë.