[There are no radio stations in the database]

Kosova hap ambasadën në Malajzi

Republika e Kosovës zyrtarisht ka hapur Ambasadën e saj në Kuala Lumpur, në shtetin e Malajzisë, transmeton Anadolu.

Këtë e ka bërë të ditur presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në këtë vend.

“Një dritare e re për vendin tonë, me plot mundësi për bashkëpunim edhe më të thellë me Malajzinë. Një prani edhe më e fuqishme diplomatike në një nga rajonet më strategjike në Azi”, ka shkruar Osmani.

Presidentja kosovare e konsideroi këtë hap si “një shtëpi më shumë e Kosovës”, ku do të avancohen interesat e qytetarëve të Kosovës, do të fuqizohen aleancat e saj si dhe do të mbrohen sakrifica e Kosovës për liri dhe shtet.

Osmani po qëndron në Malajzi për vizitë zyrtare me ftesë të kryeministrit Anwar Ibrahim, i cili e priti presidenten kosovare me ceremoni të lartë shtetërore.

Presidentja Osmani do të zhvillojë gjithashtu takime me përfaqësues të Dhomës Kombëtare të Tregtisë dhe Investimeve të Malajzisë (NCCIM), si dhe me përfaqësues të sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë malajziane, përfshirë prodhimin, teknologjinë dhe turizmin.


[There are no radio stations in the database]