96109169-6AA4-4EE8-88B4-F4C2FFD43853

Komiteti i Ministrave përmbyll etapën e parë të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës, i organizatës më të rëndësishme evropiane për të drejtat e njeriut, sundim të ligjit dhe demokraci, me më shumë se 2/3 të votave të shteteve anëtare vendosi në favor të përmbylljes së etapës së pare të anëtarësimit të Republikës së Kosovës, duke ia kaluar kërkesën për anëtarësim Asamblesë Parlamentare “PACE”, transmeton Anadolu.

Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), “ky vendim pozitiv vjen pas një pune të gjatë intensive, koordinimi të brendshëm ndërinstitucional dhe bashkëpunimit të ngushtë me shtetet anëtare të Këshillit të Evropës dhe aleatët e tjerë”.

“Republika e Kosovës është thellësisht mirënjohëse të gjitha shteteve që kanë votuar dhe ndihmuar në votimin pozitiv të Komitetit të Ministrave. Përkundër faktit që proceduralisht Kosova ka kaluar etapën e parë të anëtarësimit, duhet theksuar se kjo ishte ‘finale para finales’ meqë kemi kaluar sfida të rëndësishme ligjore dhe politike. Sigurisht se mbetet shumë punë për t’u bërë deri në anëtarësim”, thuhet në komunikatë.

Ministria bën të ditur se si hap i radhës, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të përgatisë një opinion lidhur me anëtarësimin e Kosovës, ndërsa pas kësaj, opinioni i dërgohet Komitetit të Ministrave i cili pastaj merr vendimin final për anëtarësim.

“Kosova mbetet e përkushtuar thellësisht në respektimin e të drejtave të njeriut, forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, vlerave të përbashkëta mbi të cilat është themeluar Këshilli i Evropës dhe Republika e Kosovës”, përfundon komunikata e ministrisë.

Pas këtij vendimi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se “shteti ynë do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës do t’i shtojë vlerë demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në shtetin tonë”.

Kosova aplikoi zyrtarisht më 12 maj të vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës.