Komisioni Evropian: Eurozona mund të hyjë në recesion këtë dimër

Eurozona mund të hyjë në recesion këtë dimër

Eurozona mund të hyjë në recesion në tremujorin e fundit të këtij viti në kohën e krizës energjitike dhe shqetësimeve për inflacionin, thuhet në një raport të Komisionit Evropian, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Mes pasigurisë së ngritur, presioneve të larta të çmimeve të energjisë, erozionit të fuqisë blerëse të familjeve, një mjedisi të jashtëm më të dobët dhe kushteve më të shtrënguara financimi, pritet të ndikojnë dhe ta çojnë BE-në, zonën e euros dhe shumicën e vendeve anëtare në recesion”, thuhet në raport.

“Presionet e zgjeruara të çmimeve pritet të kenë lëvizur kulmin e inflacionit në fund të vitit”, thuhet gjithashtu në raport.

Komisioni Evropian ende pret që ekonomia të rritet me 3,3 për qind këtë vit, që është shumë më lart se 2,7 për qind sa u parashikuar në Parashikimin e Përkohshëm Veror.

Megjithatë, Komisioni vlerëson se “përderisa inflacioni vazhdon të zvogëlojë të ardhurat e disponueshme të familjeve, tkurrja e aktivitetit ekonomik është vendosur të vazhdojë në tremujorin e parë të vitit 2023”.

“Rritja pritet të kthehet në Evropë në pranverë, pasi inflacioni gradualisht zbut kontrollin e tij mbi ekonominë. Megjithatë, me ndikimet e forta që ende frenojnë kërkesën, aktiviteti ekonomik pritet të zbutet, me rritjen e PBB-së në 0,3 për qind në vitin 2023 në tërësi, si në BE, ashtu edhe në eurozonë”, thuhet në raport.

Komisioni Evropian parashikon që inflacioni total do të jetë 9,3 për qind në BE dhe 8,5 për qind në eurozonë, dhe se do të ulet vetëm pak vitin e ardhshëm në 7 për qind dhe 6,1 për qind respektivisht.

Lidhur me të dhënat e fundit, komisioneri i ekonomisë Paolo Gentiloni u tha gazetarëve në Bruksel se “ekonomia e BE-së është në një pikë kthese”.

Ai tha se ekonomia e BE-së “humbi vrullin në tremujorin e tretë” dhe parashikimet e fundit tregojnë për një tkurrje në dimër.

“Ne presim që ekonomia e BE-së të tkurret si në tremujorin aktual ashtu edhe në tremujorin e parë të vitit 2023. Ky recesion teknik është vendosur të jetë me bazë të gjerë në të gjithë komponentët e kërkesës, por edhe në të gjithë vendet, me një shumicë të shteteve anëtare që përjetojnë dy tremujorë radhazi tkurrjeje”, tha ai.