Kolonët izraelitë raportohet se kanë sulmuar shumë shtëpi palestineze në dy ditët e fundit në qytetin Nablus të Bregut Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu Agency (AA).
Ghassan Daghlas, një zyrtar i ngarkuar me dosjen e vendbanimeve në Bregun Perëndimor verior pranë Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), për AA tregoi për sulmet në rritje.
Ai tha se kolonët sulmuan 40 shtëpi palestineze në Nablus dhe vuri në dukje se sulmet janë intensifikuar në fshatrat përreth Nablusit.
Daghlas vuri në dukje se kolonët përdorën armë, gurë dhe shkopinj në sulme.
Më herët, Presidenca e Palestinës paralajmëroi se përshkallëzimi i sulmeve nga kolonët hebrenj në Bregun Perëndimor do të çonte në një cikël dhune.
Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare tha se nga janari deri në nëntor, kolonët hebrenj kryen 427 sulme në Bregun Perëndimor, duke përfshirë Kudsin Lindor.
Në Bregun Perëndimor, i cili u pushtua nga Izraeli në vitin 1967, ka më shumë se 250 vendbanime të paligjshme hebreje.
Më shumë se 500.000 kolonë hebrenj që jetojnë në këto vendbanime e bëjnë jetën më të vështirë për palestinezët që jetojnë nën okupim.
Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet hebraike në territoret e pushtuara konsiderohen të paligjshme.