thumbs_b_c_4cc10ed8670c68c55e80cbe545fa66b8

KFOR-i Turk rinovon nëntë klasa në shkollën “Ymer Prizreni”

Nëntë klasa të shkollës së mesme “Ymer Prizreni” në qytetin e Prizrenit, janë rinovuar dhe vënë në shërbim nga Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë (KFOR-i Turk) që vepron në kuadër të Misionit të NATO-s në Kosovë, raporton Anadolu.

Në ceremoninë me rastin e përfundimit të rinovimit të klasave shkollore mori pjesë Ambasadori i Türkiye-s në Prishtinë Sabri Tunç Angılı, Konsulli i Përgjithshëm i Prizrenit Celal Doğan, Shefi i Delegacionit të Përfaqësuesit të Türkiye-s në KFOR, kolonel Recai Yılmaz, Koordinatori i Institutit Yunus Emre për Kosovën Ramazan Yılmaz, Koordinatori i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Prishtinë Cihan Dinçer, si dhe mësues, nxënës dhe të ftuar të tjerë.

Ambasadori Angılı në fjalën e tij tha se Prizreni është një qendër e rëndësishme për turqishten.

Angılı tha se ai beson që Prizreni me kulturën e tij të thellë dhe të pasur do të jetë në të ardhmen një nga kryeqytetet kulturore të Evropës.

“Prizreni, ku jetojnë bashkë shqiptarët, boshnjakët dhe turqit, nuk është vetëm kryeqyteti kulturor i Kosovës, por edhe një nga qendrat kulturore më të rëndësishme të Ballkanit. Pranimi i turqishtes si gjuhë mësimi ishte një arritje e rëndësishme për Türkiye-n këtu në ish-Jugosllavi dhe Kosovë. Türkiye në atë kohë luftoi për këtë dhe jam i sigurt se ju do ta mbroni këtë trashëgimi, për të mbajtur gjallë turqishten në të ardhmen”, theksoi ai.

Koloneli Yılmaz, tha se me projektet e realizuara, janë forcuar marrëdhëniet e miqësisë dhe vëllazërisë që kanë ekzistuar ndër shekuj mes Türkiye-s dhe Kosovës.

“Ne jemi krenarë që realizojmë projekte që Kosova të ketë një të ardhme të ndritur në fusha të ndryshme si arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura”, tha Yılmaz.

Pas fjalimeve, të ftuarit prenë shiritin e hapjes së projektit të rinovimit dhe vizituan klasat e shkollës.

Në kuadër të projektit janë rinovuar nëntë klasat e shkollës ku janë blerë tavolina, karrige dhe pajisje tjera të nevojshme.