KEK: Rikthehet në funksion blloku B2

KEK: Rikthehet në funksion blloku B2

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar mbrëmë pas mesnate se njësia B2 prodhuese për energji elektrike është rikthyer në funksion.

Kështu është bërë e ditur nga stafi i KEK-ut përmes një njoftimi në Facebook.

“Njësia prodhuese B 2 pas testimeve starton me sukses”, thuhet në njoftim.

Zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Skënder Bucolli tha se B2 do të startojë sot në mëngjes me funksion të plotë.

“Pas një angazhimi të jashtëzakonshëm të punëtorëve të KEK0ut dhe termocentralit Kosova B, blloku B2 ka startuar me punë. Në këto orë ku po flasim janë ndarë megavatet e parë dhe qysh nesër në mëngjes do të startoj me funksion të plotë”, tha Bucolli.

Kujtojmë që në dhjetor të vitit që lamë pas KEK-u ka angazhuar ekspertë të huaj për inspektimin dhe riparimin e dëmeve të krijuara nga avaria në turbinën e shtypjes së ulën, në Njësinë B2 të ‘Termocentralit B’.

Kosova është duke u përballur me një krizë energjetike që nga muaji dhjetor për çka tani ZRRE ka paralajmëruar edhe shtrenjtim të çmimit të energjisë, e cila është pranuar edhe nga Qeveria e Kosovë.