Ayesha Bilal, një vajzë 7-vjeçare në Kashmirin e administruar nga India, po mbledh librat dhe lodrat e saj në shtëpinë e saj në fshatin Heff, që ndodhet rreth 16 kilometra nga qyteti në rrethin jugor Shopian.
Ayesha, një nxënëse e klasës së parë, jeton me gjyshërit dhe xhaxhain e saj pasi humbi nënën dhe babanë në konfliktit që ka tërbuar rajonin për më shumë se tre dekada.
Në prag të Ditës Botërore për Jetimët e Luftës, që shënohet çdo vit më 6 janar, Anadolu Agency (AA) rishikoi rastin e 7-vjeçaes.
“Ajo shpesh pyet për prindërit e saj dhe insiston që ta çojmë tek ata. Por ne krijojmë histori të tjera për ta kthyer vëmendjen e saj drejt disa gjërave të tjera”, tha gjyshi i saj, Mohammad Yousuf.
– Tragjedia
Ayesha ishte vetëm një vjeçe kur babai i saj, Bilal Ahmad Mohand, në vitin 2016 iu bashkua militantëve në Kashmir. Para se të bashkohej, ai punonte me pagesë ditore në departamentin e inxhinierisë së shëndetit publik të rajonit.
Familja Ahmad tha se para se ai t’i bashkohej militantëve, fillimisht u dënua në bazë të ligjit të sigurisë publike se gjoja ka ndihmuar militantët, gjë të cilën sipas tyre ai nuk e bëri.
“Ishte shumë i matur dhe besimtar ndaj Zotit, por ngacmimet e vazhdueshme e çuan t’i bashkohet militantëve”, tha babai i tij.
Më 6 maj të vitit 2018, Ahmad u vra së bashku me katër bashkëpunëtorë, përfshirë krye-komandantin Saddam Padder.
Megjithatë, me kalimin e viteve gruaja e tij, Shaheena Akhter, e cila kujdesej për dy vajzat e tyre në mungesë të babait, pati probleme të rënda shëndetësore.
Në atë kohë, Ayesha ishte vetëm 5-vjeç, ndërsa motra e saj e madhe ishte 14-vjeç.
– Kostoja e konfliktit
Ayesha i mbledh lodrat e saj në një kuti dhe luan me to në një cep të dhomës në shtëpinë e saj. Në bisedë ajo shpesh flet për babain e saj, por akoma nuk e ka kuptuar se ai është larguar.
“Ajo ndonjëherë insiston që t’ia shpjegojmë pse babai i saj nuk është këtu. Ne nuk kemi përgjigje”, tha xhaxhai i saj, Adil Ahmad.
Një studim i vitit 2014 i kryer nga organizata humanitare “Save the Children” me bazë në Londër, thekson se numri i vlerësuar i jetimëve në Xhamu Kashmir për shkak të konfliktit dhe vdekjeve natyrore të prindërve është rreth 214 mijë, prej të cilëve 15 për qind jetojnë në jetimore në mbarë rajonin.
Raporti thotë se 37 për qind e jetimëve humbën njërin ose të dy prindërit për shkak të konfliktit, 55 për qind mbetën jetimë për shkak të vdekjes natyrore të prindërve të tyre, ndërsa 8 për qind mbetën jetimë për arsye të tjera.
Sipas ekspertëve të fëmijëve, humbja e prindërve tek një fëmijë është pengesa më e madhe psikologjike.
Isha Malik, e cila merret me rastet e fëmijëve të konfliktit, tha se ekzistojnë probleme të ndryshme me të cilat ballafaqohen fëmijët pas humbjes së prindërve.
“Nga vështirësitë ekonomike deri te humbja e arsimit dhe traumat e llojeve të ndryshme, këta fëmijë e shohin veten shumë të pafuqishëm”, tha Malik.
Një studim i kryer nga sociologu i njohur i Kashmirit, Bashir Ahmad Dabla, i cili anketoi 300 jetimë, zbuloi se 48 për qind e këtyre fëmijëve jetimë u përballen me vështirësi ekonomike pas vdekjes së baballarëve të tyre.
“Më shumë se 13 për qind kanë raportuar mohim të dashurisë dhe dhembshurisë, ndërsa 22 për qind e tyre janë përballur me pengesa psikologjike”, thuhet në raport.
Ayesha dhe motra e saj e madhe po përpiqen të kalojnë dhimbjen e ndarjes nga prindërit, por motra e vogël akoma nuk e ka kuptuar realitetit se prindërit e saj nuk janë më aty.
“Ne po përpiqemi të jemi sistemi i tyre mbështetës, por atyre u mungojnë prindërit”, tha gjyshi i tyre.