
Ish-polici serb dënohet me 15 vjet burgim për krime lufte në Kosovë
Ish-polici serb në Kosovë, Zoran Vukotiq, është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 15 vjet burgim për krime lufte, transmeton Anadolu.
Trupi gjykues mori vendim që Vukotiq të dënohet me 15 vjet burgim për shkak se më 12 prill të vitit 1999 rreth orës 15:00, në afërsi të varrezave të qytetit të Vushtrrisë, i pandehuri, në bashkëkryerje edhe me persona tjerë, i uniformuar me uniformë policie, vrau djaloshin 13 vjeçar të nacionalitetit shqiptar, Burim Muli.
Gjykatësi tha se viktima Burim Muli bashkë me djalin e axhës kishin dalë me biçikletë në afërsi të varrezave të qytetit, atëherë kur u sulmuan me armë automatike nga një afërsi prej 30-40 metra.
Gjykatësi tha se Faton Muli, djali i axhës së viktimës, arriti të shpëtojë nga ky sulm duke u fshehur në një mur që gjendej në afërsi.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit, nuk ishin të pranishëm i akuzuari Zoran Vukotiq dhe avokati i tij, Nebojsha Vllajiq.
Ish-pjesëtari i policisë serbe akuzohej për katër aktakuza për krime lufte në Kosovë, por për pikat tjera të aktakuzës, gjykatësi tha se Gjykata nuk ka gjetur prova se i njëjti është fajtor për krime lufte, andaj e ka liruar nga këto akuza dhe me propozimin e avokatit të të akuzuarit, Nebojsha Vllajiq, ishte bërë bashkimi i çështjes.