Rtv Pendimi

HATIBI I DOMOSDOSHMËRISË

Një shok imi shumë i respektuar më autorizoi ta zëvendësoja për hutben e xhumasë. Ishte hera e parë që në atë xhami do ta mbaja hutben e xhumasë. Atë ditë isha i zënë me shumë punë dhe nuk pata mundësi të përgatitesha si duhet. Prandaj vendosa ta mbaja një hutbe që e pata ligjëruar më herët, e kisha të shkruar në fletë dhe titullohej Të kapurit për dynjanë.

I mora fletët dhe hipa në minber. Ezani thirrte, a unë i vëzhgoja me kujdes fytyrat e namazfalësve. Vërejta që shumica prej tyre ishin punëtorë të thjeshtë me të hyra mujore të ulëta. Shumica prej tyre, mund të themi, ishin të huaj, kishin ardhur në këtë vend të punonin, me shpresë që, nëse do të tubonin të ardhura të mjaftueshme, të ktheheshin në vendlindjet e tyre.

– Në vete thashë: Si t’u flas këtyre se është rrezik të lidhesh për jetën e kësaj bote kur këta janë më pak të lidhur për dynja? A nuk është më e mira që t’u flas diçka tjetër që kanë nevojë për të? Më e mira është t’u flas për përgjegjësinë e tyre për ta fituar riskun hallall dhe t’ua kujtoj se shpenzimi për veten dhe për familjet e tyre është sadaka për hir të Allahut. Po qe se ju flas për lidhshmërinë për dynjanë, kjo do t’i çojë ta refuzojnë fjalimin tim në përgjithësi, madje mund të ndikojë që në të ardhmen mos ta dëgjojnë asnjë fjalim timin e, ndoshta, qëndrimin e tyre do ta përgjithësojnë duke e përfshirë çdo hatib dhe ligjërues tjetër. Tema për rrezikun e lidhshmërisë për dynjanë mund ta çojë dikë prej tyre të mendojë për të ardhurat që i fiton nga puna dhe ta shtyjë ta braktisë punën e tij.

Dikush prej tyre mund të hyjë në betejë të brendshme me veten në momentin kur e ndien se po e humb kohën e tij duke vrapuar pas kafshatës për jetesë; kjo e demoralizon dhe e bën të ndihet pishman, edhe nëse nuk e ndal punën dhe vazhdon me punën e tij.

Të gjitha këto rezultate ishin të papranueshme dhe të urryera. Shumë shpejt e mora vendimin ta ndërroja temën, ndërkaq filluan idetë të më vinin një pas një.

Në kësi raste ligjëruesi duhet patjetër të ketë në mendje tema të përgjithshme që u përshtaten të gjithëve, duke qenë i bindur se ka aftësi ta ligjërojë temën rrjedhshëm dhe pa ngurrim. Myezini e thërret ezanin e xhumasë, ai nuk të pret derisa ti të vendosësh për temën apo ta kryesh përgatitjen e temës.

Vendosa të flisja për vlerën e dhikrit (përmendjes së Allahut), sepse është temë që nuk ka shumë nevojë për përgatitje e, sidomos, për atë që ligjëron shpesh. Argumentet dhe citatet nga Kurani dhe Suneti janë me bollëk dhe të gatshme.

Përfundova me hutben. Pas namazit e pyeta një mik timin i cili ishte prezent në xhami për mendimin e tij rreth temës që e ligjërova. Ai e lavdëroi dhe më tha: “Dukej qartë se e kishe përgatitur mirë temën!” Unë qesha dhe i thashë: Besomë që hutben e nisa pa e caktuar paraprakisht temën që do ta ligjëroja.”

Rastin që e rrëfeva dhe situatën që e përjetova nuk është ftesë për tjerët që të merret si metodologji veprimi, sepse assesi nuk është e përshtatshme që hatibi (ligjëruesi) ta vonojë përcaktimin e temës së hutbes, e mos të flasim të fillojë me hutben pa e ditur paraprakisht se çfarë teme do të ligjërojë.

– Synimi i përmendjes së rastit të mëhershëm është për ta tërhequr vërejtjen rreth një gjëje me rëndësi e ajo është ta kemi parasysh gjendjen e audiencës apo xhematit para se ta zgjedhim temën e ligjëratës.

Një tjetër herë më pati ndodhur të ligjëroja në hutbe rreth poligamisë (martesës me më shumë se një grua). Qëllimi im pse e zgjedha këtë temë atëkohë ishte ta vërtetoja se martesa me më shumë se një grua është rregull fetar dhe se ne nuk duhet të ndikohemi nga ajo që përflitet rreth kësaj teme nëpër mjetet e informimit. Mirëpo, shumë shpejt e zbulova se kisha gabuar atë ditë me zgjedhjen e temës. Menjëherë pasi e përfundova hutben dhe dola nga xhamia, m’u afrua një i ri, më ndali dhe më tha: “Jam një i ri, e kam arritur moshën për t’u martuar, mirëpo ende jam i pamartuar. Për mua dhe çiftin tim, më e udhës është të flasim për problemin tonë sesa për ata që janë të martuar dhe dëshirojnë të martohen edhe me një grua tjetër.”

I thashë:

– Çfarë të pengon të martohesh?

– Mehri i shtrenjtë, kam nevojë për më shumë se 200 000 rialë (diku 40 000 euro), – m’u përgjigj.

I thashë:

– E pse?

– Me vajzën që dua të martohem, familjarët e saj e kanë caktuar këtë shumë, – më tha.

Kështu zbulova që paskam gabuar keq në zgjedhjen e temës për këtë grup të namazfalësve. Ata nuk kanë nevojë për t’u folur rreth dyshimeve të cilat diskutohen për poligaminë dhe as për vlerën e poligamisë, apo të nxiten për ta zbatuar atë dhe për t’u angazhuar me të, sepse shumica prej tyre, në esencë, janë të pamartuar, ndërsa i martuari prej tyre ka telashe për ta mirëmbajtur gruan dhe familjen e të mos flasim për grua tjetër.

Këto dy raste ishin krejtësisht të kundërta; në rastin e parë pata mbarësi, me lejen e Allahut, ta kuptoja situatën dhe t’ia qëlloja temës, ndërsa në rastin e dytë, e kuptova vonë se gabova me zgjedhjen e temës.

– Megjithatë, në të dy rastet mësova se me rëndësi është që kur flasim në vendtubime publike, kur nuk e njohim natyrën e vendit dhe nevojat e publikut, tema e fjalimit tonë të jetë e përshtatshme për të gjithë, qoftë ajo ligjëratë, apo hutbe e xhumasë, apo në mjetet masive të informimit. Mësova, po ashtu, se duhet t’i largohemi ligjërimit të temave që i përshtaten vetëm një grupi njerëzish dhe nuk i përshtaten masës.

Kjo gjë nuk përkufizohet te tema e fjalimit dhe te titulli, sepse një temë mund të trajtohet dhe ta ligjërojmë sipas mënyrës që i përshtatet masës, apo një grupi të veçantë njerëzish.

– Mësova se e domosdoshme për ligjëruesin është të ketë në memorien e tij një saldo temash të gatshme dhe të përshtatshme për të gjitha situatat, qoftë për në xhami apo qoftë për pjesëmarrje në ndonjë lloj manifestimi dhe kërkohet prej tij të ligjërojë, ai duhet të jetë i përgatitur ta përcjellë mesazhin i cili u përshtatet njerëzve.

– Mësova se duhet të jem i vëmendshëm në zgjedhjen e temës për ta ligjëruar në vendtubime publike, sidomos kur ligjërata përcillet nëpërmjet mjeteve të informimit të ndryshme si radio, televizion etj., prej nga nuk kemi mundësi ta kontrollojmë publikun të cilit i flasim, ndërsa mundësia për ta detajuar hollësisht fjalimin dhe për t’i plotësuar nevojat e tyre është gati e pamundur. Për këtë shkak duhet t’i largohemi fjalimit që ka të bëjë me nevojat e një grupi të caktuar apo ato personale.

Si shembull, të mbash fjalim për asketizëm dhe të sjellësh detaje rreth saj nga jeta e selefit (gjeneratat e para të drejta), është temë që nuk i duhet publikut të televizionit apo të radios. Ata kanë nevojë t’u flasësh për largimin nga gjynahet, të jenë të kujdesshëm ndaj obligimeve fetare etj., sepse shumica prej tyre fjalimin për asketizëm në detaje do ta shohin si diçka të tepërt dhe ekzagjerim, madje, ndoshta, kjo mund t’i çojë edhe deri në dëshpërim dhe rënie.

Ajo që po më kujtohet në këtë kontekst është se kur isha i ri, diku në moshën madhore, xhumanë e falja te një xhami, ku imami i saj më vonë u bë mësuesi im. Ishte i njohur për këshillat që ta zbutnin zemrën. Allahu më begatoi duke ma mundësuar të përfitoja nga këshillat e tij gjatë xhumasë dhe nga mësimet që i merrja prej tij. Megjithatë, kur fliste në hutbe për gjëra të hollësishme që lidheshin me trajtimin e gjynahqarit, apo fliste për gjëra të hollësishme rreth asketizmit, atëkohë fjalimi i tij përçonte tek unë mesazhe të rënda zhgënjimi dhe, mendoj, që këtë ndjenjë nuk e kisha veç unë, por edhe shumë të tjerë nga të pranishmit në xhuma.

Fjalimi për meseletë në mënyrë të detajuar për të cilat njerëzit nuk kanë nevojë për to, nuk çon me çdo kusht në motivimin e tyre, bile, ndoshta, mund t’i çojë të krijojnë ndjenja të zhgënjimit dhe të dëshpërimit te ta.

– Po ashtu mësova se me rëndësi është ta bëjmë dallimin mes dy elementeve: saktësisë e asaj që e themi dhe mes vendit e audiencës ku e themi. E sakta apo e vërteta që ne e shpjegojmë në detaje nuk nënkupton patjetër se është e përshtatshme të demonstrohet para publikut i cili na dëgjon, pavarësisht a jemi para tyre direkt, apo na dëgjojnë dhe na shohin nëpërmjet rrjetit.

Dr. Muhamed Duvejsh

Nga arabishtja: Irfan Jahiu

Pjesë nga libri: “Gabimet më mësuan”

 

 

 

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH