Hamasi dënoi dhunën e kolonëve izraelitë në Sheikh Jarrah

Hamasi dënoi dhunën e kolonëve izraelitë në Sheikh Jarrah

Lëvizja e rezistencës palestineze Hamas ka dënuar sot sulmet e kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve në lagjen Sheikh Jarrah në Kuds Lindor të pushtuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim, zëdhënësi i lëvizjes Mohammad Hamada e quajti dhunën e kolonëve si “agresion të hapur dhe lojë me zjarr”.

Disa palestinezë u lënduan të shtunën mbrëma kur kolonët izraelitë sulmuan shtëpitë palestineze në Sheikh Jarrah.

Hamasi u bëri thirrje palestinezëve “të mbledhin mbështetje për popullin tonë në Sheikh Jarrah” dhe të përballen me dhunën e kolonëve.

Palestinezët në Sheik Jarrah janë ankuar për sulme të përsëritura nga kolonët izraelitë, të cilët banojnë pranë tyre në shtëpitë e marra nga palestinezët gjatë viteve të fundit.

Vitin e kaluar, tensionet u rritën në lagjen Sheikh Jarrah pasi një gjykatë izraelite urdhëroi dëbimin e disa familjeve palestineze në favor të kolonëve izraelitë.

Në vitin 1956, 28 familje u vendosën në Sheikh Jarrah sipas një marrëveshjeje me qeverinë jordaneze, e cila qeveriste Bregun Perëndimor, duke përfshirë Kudsin Lindor, përpara pushtimit izraelit në vitin 1967.

Shoqatat izraelite të kolonëve, megjithatë, pretendojnë se shtëpitë janë ndërtuar në tokë që ishte në pronësi të hebrenjve përpara vitit 1948, një pretendim i hedhur poshtë me forcë nga palestinezët.