Rtv Pendimi

HALIME, ALLAHU TË MËSHIROFTË!

Një motër myslimane franceze e cila emigroi për hir të Allahut, ndërroi jetë këto ditë.

Kjo motër myslimane u sprovua me sprova të ndryshme dhe të llojllojshme dhe ishte shembull në durim dhe në kërkimin e kënaqësisë së Allahut. E pranoi Islamin në moshë të re dhe për këtë arsye fa­milja e saj e larguan nga shtëpia. I mori rrobat e saj dhe doli nga shtëpia me shpresë se do të gjejë strehim në një vend tjetër dhe Allahu ia mundësoi të martohet me një algjerian i cili ishte emigrant në Francë, mirëpo familja e saj e lajmëruan në organet shtetërore dhe shteti e akuzoi se është terrorist dhe e larguan nga Franca. U detyrua që ta divorcojë gruan e tij, kurse ajo për hir të Allahut u shpërngul në Egjipt. Me vete nuk kishte as të holla e as pasuri dhe nuk e kishte askënd përveç se Allahun e Madhëruar. Jetoi me vite të tëra nga lëmoshat e njerëzve, e mësoi përmendsh një pjesë të madhe të Kuranit dhe përshkruheshte me cilësi të larta fetare dhe njihej si adhuruese e madhe.

Allahu pas një kohe ia mundësoi të martohet me një djalë algjerian i cili jetonte në Egjipt dhe gjendja e tij ishte e njëjtë si e gruas, nuk kishte asgjë nga kjo dynja. Kjo nuk ishte pengesë për motrën franceze ta vazhdojë kërkimin e diturisë dhe ta mësojë Kuranin përmendësh dhe të prezantojë nëpër ligjërata dhe të marrë pjesë në thirrjen e fesë së Allahut.

Allahu i furnizoi me një djalë dhe dita e lindjes së tij ishte dita më e lumtur e jetës së saj, por caktimi i Allahut ishte që fëmija pas dy ditë lindjeje të vdesë. Ajo aspak nuk u zemërua nga ky caktim i Allahut, por ishte e kënaqur me caktimin e Tij dhe e falënderonte Allahun shumë. Pas një periudhe e lindi një vajzë, por pas një muaji lindjeje, Allahu ia mori shpirtin nënës së fëmijës, pra motrës franceze.

Pas vete nuk la pasuri e as të holla, por e la një vajzë e cila ishte gjëja më e shtrenjtë që  kishte. Ia lanë xhenazen dhe e qefinosën disa gra të ndershme, kurse e varrosën burri i saj dhe xhemati i një xhamie, të cilët kur e kuptuan se nuk kishte as familje as të afërm, ia falën xhenazen dhe prezantuan në varrimin e saj.

Allahu qoftë i Lartësuar! E huaj qe në femohim, pastaj e huaj në Islam, në shtëpinë e familjes së saj, pastaj e huaj pasi që e larguan familja e saj nga shtëpia, pastaj padrejtësi e divorc dhe shpifje, pastaj emigrim nga vendi i femohimit në një vend ku nuk e njihte askënd edhe atë e varfër pa pasuri. Pastaj u sprovua me një sëmundje të keqe nga e cila më vonë u shërua, pastaj vdiq fëmija i saj e pastaj vdiq ajo papritmas. E huaj kur iu la xhenazja, e huaj gjatë vdekjes, e pastaj e huaj në “varrezat e lëmoshës”.

E gjithë kjo, vetëm për ta kënaqur Zotin e saj, për arsye se tek ajo depërtoi drita e besimit dhe ia ndriçoi zemrën dhe e kuptoi se ia vlen të sakrifikosh çdo gjë për Allahun dhe për fenë e Tij.

E lus Allahun që ta shpërblejë me Xhenetin më të lartë për durimin e saj, shpresën e shpërblimit tek Allahu dhe për kënaqësinë e saj me caktimet e Allahut dhe e lus Allahun që ta ringjallë me durimtarët Ditën e Kiametit!

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH