[There are no radio stations in the database]

Hajnat thyejnë depon në Mazgit dhe marrin 32 mijë euro nga kasaforta e murit

Një vjedhje e rëndë është raportuar në Obiliq, ku persona ende të panjohur kanë depërtuar në një depo dhe kanë marrë mijëra euro para të gatshme nga një kasafortë e montuar në mur, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.

Ngjarja ka ndodhur më 12 maj 2026 rreth orës 11:50 në fshatin Mazgit.

Sipas informatave, pronari B.B., rreth 45-vjeçar ka raportuar në Polici se depoja e tij ishte thyer dhe nga aty ishte marrë një shumë e madhe parash.

Burimet bëjnë të ditur se në depo ndodhej një kasafortë e vendosur në mur, nga e cila dyshohet se janë marrë rreth 32 mijë euro para të gatshme.

Sinjali mëson se ankuesi ka deklaruar para hetuesve se paratë ishin kursime nga biznesi familjar dhe nga qiraja e lokaleve.

Në vendngjarje kanë dalë njësitë relevante policore dhe hetuesit rajonalë, të cilët kanë kryer ekzaminimet fillestare.

Sipas burimeve, hetimet rajonale kanë kërkuar që ankuesi të sigurojë dokumentacionin që mbulon shumën e raportuar të parave, pas së cilës pritet të intensifikohen veprimet hetimore.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”.

Hetimet janë në vazhdim.


[There are no radio stations in the database]