Forcat izraelite shkatërruan shtëpinë e familjes Salihiye në lagjen Sheikh Jarrah

Forcat izraelite shkatërruan shtëpinë e familjes Salihiye në lagjen Sheikh Jarrah

Përkundër të gjitha reagimeve ndërkombëtare, ekipet e Komunës së Kudsit të Izraelit rrënuan pas mesnate shtëpinë e familjes Salihiye në lagjen Sheikh Jerrah të Kudsit Lindor të pushtuar dhe policia izraelite arrestoi anëtarët e familjes.

Avokati i familjes Salihiye, Waleed Taye në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tha se “Një forcë e madhe policore izraelite bastisi shtëpinë e familjes Salihiye rreth orës 03:00 të natës. Pasi sulmuan disa nga personat në shtëpi, ata i çuan në stacion policie”.

Taye e përshkroi veprimin që bënë forcat izraelite si “brutale” dhe theksoi se pasi policia arrestoi rreth 20 persona, përfshirë pronarin e shtëpisë, Mahmud Salihiye, ekipet komunale e shkatërruan shtëpinë.

“Është plotësuar vendimi i gjykatës”

Në një deklaratë të përbashkët me shkrim nga policia izraelite dhe Komuna e Kudsit thuhet: “Sot në mëngjes policia izraelite përmbushi vendimin për evakuimin e ndërtesave të paligjshme të ndërtuara në tokat e rezervuara për shkollat ​​për fëmijët me nevoja të veçanta në Lindje të Kudsit”.

“Që nga marrja e vendimit të dëbimit në vitin 2017, familjarëve që jetojnë në ndërtesat pa leje u janë dhënë mundësi të shumta për të dorëzuar tokën me pëlqim, por fatkeqësisht ata kanë refuzuar pavarësisht negociatave dhe përpjekjeve të përsëritura për dialog nga Komuna e Kudsit”, thuhet më tej.

“Shumë njerëz u arrestuan për t’u marrë në pyetje me dyshimin për shkelje të një urdhri të gjykatës, veprim të dhunshëm dhe prishje të rendit publik”, thuhet në deklaratë.

Reagimi i deputetit izraelit për shembjen

Deputeti i Partisë Meretz me prirje të majtë, një nga partnerët e qeverisë së koalicionit në Izrael, në llogarinë e tij në rrjetet sociale reagoi ndaj shkatërrimit të shtëpisë së familjes Salihiye në mes të natës, me mbrojtjen dhe mbështetjen e komunës izraelite.

“Unë shkruaj me turp se forcat izraelite si hajdutë erdhën për të hedhur familjen Salihiye në rrugën e ngrirë në mesnatë. Kështu duket jeta e palestinezëve në Kudsin Lindor”, tha Raz.

Forcat izraelite erdhën në lagjen Sheikh Jerrah me makina ndërtimi për të përzënë familjen Salihiye nga shtëpia e tyre të hënën, më 17 janar, por u larguan nga zona pasi u përballën me rezistencë, duke prishur vetëm një zonë të galerisë së makinave dhe një plantacion që i përkiste familjes.

Babai palestinez u ngjit në çatinë e shtëpisë me tuba të gazit

Policia izraelite erdhi në rajon mëngjesin e së hënës për të larguar me forcë familjen Salihiye nga shtëpia e tyre në lagjen Sheikh Jerrah, pas vendimit të shpronësimit të Komunës së Kudsit.

Derisa ka pasur një përleshje mes familjarëve dhe policisë, babai Mahmud Salihiye ka marrë disa shishe me gaz me anëtarët e tjerë të familjes dhe është ngjitur në çati.

Pajisjet e ndërtimit komunal izraelit shkatërruan një zonë të galerisë së makinave familjare dhe një plantacion.

Në shtëpi jetonin 17 persona

Banorët e lagjes deklaruan se në shtëpinë e familjes Salihiye jetonin 17 persona, fëmijë, të rritur dhe të moshuar.

Ndërsa familja Salihiye deklaroi se prona i përkiste atyre para vitit 1967, kur Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, Komuna e Kudsit njoftoi se kjo tokë i përkiste një fondacioni gjatë administratës jordaneze, kështu që ajo shpronësoi tokën 5 vjet më parë në përputhje me “Ligjin e mungesës”.

Pas këtij vendimi, familja luftoi për 5 vite për të parandaluar dëbimin, por vitin e kaluar gjykata miratoi vendimin e dëbimit.