[There are no radio stations in the database]

Fëmija palestinez që po shkonte për të marrë ndihma në Gaza, humb këmbën në sulmin izraelit

Palestinezi 10-vjeçar Muhammed Omer Selim Muslih u plagos në një sulm të kryer nga ushtria izraelite, ndërsa ai ishte duke ndjekur të atin për t’i çuar ndihmë familjes së tij në Korridorin Netzarim në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.

Muslih, i cili u amputua pasi një copëz e predhës goditi këmbën e tij, u bë një nga qindra fëmijë të Gazës që kanë humbur gjymtyrët në sulme. Ai jeton me familjen e tij në një tendë në Kampusin e Universitetit Islam në qytetin e Gazës.

Në një deklaratë me shkrim nga Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza thuhet se më shumë se 16 mijë fëmijë janë vrarë në sulmet izraelite ndërsa rreth 1.000 fëmijë kanë përfunduan me gjymtyrë të amputuar.

Palestinezët luftojnë për të mbijetuar në kushte të vështira në Gaza, të privuar nga nevojat themelore si strehimi, ushqimi dhe uji i pastër për shkak të luftës dhe bllokadës së vazhdueshme.

Të paktën 6.964 palestinezë janë vrarë ndërsa 24.576 të tjerë janë plagosur në sulmet që ushtria izraelite ka kryer që nga 18 marsi e deri më tani, duke shkelur armëpushimin e arritur më 19 janar.

Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 është rritur në 57.523 ndërsa numri i të plagosurve në 136.617.


[There are no radio stations in the database]