
DISA RREGULLA SI TË MBROHEMI NGA EPSHI I NDALUAR (4)
MOS I SHNDËRRONI SHTËPITË TUAJA NË VARREZA
Bëje shtëpinë tënde vendadhurim e jo vendmëkatim. Ai që bën gjynah në dhomën e tij, krijon një lloj lidhshmërie mes dhomës dhe gjynahut. Kjo e shtyn të bjerë prapë në gjynah; një, dy ose tri herë, sepse çdoherë kur hyn në dhomë e kujton gjynahun dhe e shtyn që sërish të bjerë në të. E, nëse dhoma dhe shtëpia bëhen vendadhurim, besoj që kjo e shtyn të kryejë adhurime të tjera. Hyn brenda dhe e sheh mus’hafin që lexon, i kujtohet namazi i natës, namazet vullnetare që i fal në këtë dhomë, adhurimet e ndryshme që praktikohen në shtëpi; e tëra kjo e lidh të mirën me shtëpinë e tij dhe e nxit t’i shtojë adhurimet, më pak të mendojë për gjynahet dhe ia ul vrullin e epshit të tij.
NËSE NUK E ANGAZHON VETEN ME ADHURIME, AJO DO TË TË ANGAZHOJË ME GJYNAHE
Koha është dhunti e madhe prej mirësive të Allahu që ia dha robit, por megjithatë shumica e njerëzve janë të pakujdesshëm kundrejt kohës së lirë.
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ndaj dy mirësive shumica e njerëzve janë të shkujdesur:
- Ndaj shëndetit, dhe
- Kohës së lirë.”[1]
Fjala arabe “el gabnu (në shqip në këtë rast e ka kuptimin: i shkujdesur e i mashtruar”, që është përmendur në hadithin e sipërpërmendur, e ka kuptimin: humbje në shitblerje, njeriu e blen mallin shumëfish më shtrenjtë se çmimi real ose e shet shumë më lirë se çmimi real.
Pra, shumicën e njerëzve Allahu i begatoi me mirësinë e shëndetit dhe të kohës së lirë.
Njeriu mund të ketë shëndetin, por jo edhe të jetë i lirë, për shkak të angazhimeve të tij jetësore. Mund të jetë i pasur, por jo edhe të ketë shëndetin. Por, kur te njeriu bashkohen shëndeti e koha e lirë dhe ato nuk i shfrytëzon në gjërat që i bëjnë dobi në ahiret, atëherë vërtet është i shkujdesur, i mashtruar dhe i humbur në veprat e tij.
Për këtë shkak një prej emrave që Allahu e quajti Ditën e Kiametit është “Dita e Tegabunit (Dita e Humbjes)”: “Dita, kur Ai do t’ju mbledhë, dita, kur të gjithë do të grumbulloheni, do të jetë Dita e Humbjes.” (Tegabun, 9) Domethënë, atë ditë del në pah mashtrimi dhe humbja e secilit.
Jobesimtari humbi, sepse nuk e besoi Allahun dhe kjo pa dyshim që është humbja më e madhe.
Edhe besimtari do të ndiejë keqardhje për kohën e humbur kur nuk arriti ta adhurojë më tepër Allahun. Pa dyshim që nuk diti të shfrytëzojë mundësinë e dhënë dhe për të është humbje e madhe.
Pejgamberi ﷺ tha: “Banorët e Xhenetit nuk ndiejnë keqardhje për diçka sikur për kohën që u kaloi dhe nuk e përmendën Allahun në të.”[2] Keqardhja e banorëve të Xhenetit do të jetë për kohën që u iku pa e përmendur emrin e Allahut në dynja. E si do jetë keqardhja e atyre që u ikën ditët, javët, muajt e vitet duke i bërë gjynah Allahut e duke u dhënë pas epsheve në luginat e gjynaheve të ndryshme. S’ka dyshim se humbja më e madhe do të jetë ndjenja e tij se ka qenë i mashtruar.
Njeriu duhet të rikujtojë shpeshherë hadithin e Pejgamberit ﷺ: “Nuk i lëvizin këmbët birit të Ademit në Ditën e Kiametit derisa të merret në llogari për pesë gjëra: për jetën e tij se ku e kaloi, për rininë e tij si e shfrytëzoi, për pasurinë e tij se si e fitoi e ku e harxhoi, si dhe për dijen e tij se a punoi me të.”[3]
“Fjalët në hadith: “derisa të merret në llogari për pesë gjëra: për jetën e tij se ku e kaloi”; nënkuptojnë se si e kaloi jetën në përgjithësi.
Fjalët: “për rininë e tij si e shfrytëzoi”; rininë e tij në veçanti se si e shfrytëzoi. Rimarrja në llogari për rininë e tij pasi të merret në llogari për gjithë jetën e tij është tregues për rëndësinë e kohës në rini dhe se shkujdesja në të është humbje e madhe, sepse njeriu gjatë rinisë e ka gjallërinë dhe fuqinë që të kryejë sa më shumë adhurime, të cilat nuk do të mund t’i kryejë në moshë të thyer dhe në pleqëri.
Fjalët: “për pasurinë e tij se si e fitoi”; në hallall apo në haram.
Fjalët: “dhe ku e harxhoi”; në gjëra që e kënaqin Allahun apo në gjynahe.
Dhe fjalët: “dhe për dijen e tij se a punoi me të” a punoi në përputhje me atë që e mësoi.”[4]
Po ashtu le të kujtojë edhe hadithin tjetër që e përcjell Ibn Abasi h se Pejgamberi ﷺ këshilloi njërin me fjalët: “Shfrytëzoji pesë para se të vijnë pesë të tjera: rininë para pleqërisë, shëndetin para sëmundjes, pasurinë para varfërisë, kohën e lirë para angazhimit dhe jetën para vdekjes.”[5]
Imam Munaviu (Allahu e mëshiroftë!) thotë:
“Fjalët: “shfrytëzoji pesë para se të vijnë pesë të tjera: rininë para pleqërisë” nënkuptojnë: shfrytëzoje fuqinë tënde në rini për sa më shumë adhurime para se të vijë dobësia e pleqërisë, ku trupi nuk ka fuqi ta përballojë adhurimin e shpeshtë, e më pas të ndiesh keqardhje për kohën e humbur në rini.
Fjalët: “shëndetin para sëmundjes” nënkuptojnë: shfrytëzoje punën e mirë kur ke shëndet, sepse vjen dita kur të del një pengesë në rrugë, – sikurse sëmundja, – e të privon nga kryerja e veprave të mira.
Fjalët: “pasurinë para varfërisë” nënkuptojnë: shfrytëzoje pasurinë për të dhënë lëmoshë e për t’u ndihmuar njerëzve para se të vijë një ditë kur mund të varfërohesh e të mbetesh i varfër në dynja dhe ahiret.
Fjalët: “kohën e lirë para angazhimit” nënkuptojnë: shfrytëzoje kohën e lirë në këtë dynja para se të angazhohesh me vështirësitë e Ditës së Kiametit.
Fjalët: “jetën para vdekjes” nënkuptojnë: shfrytëzo çdo mundësi që të lësh gjurmë të mirë që mbetet dhe shpërblimet e saj vijnë pas vdekjes sate, se, kur njeriu vdes, i ndërpritet mundësia për të vepruar vepra.
Këtyre pesë gjërave nuk ua di njeriu vlerën vetëm se atëherë kur i humb ato ose nuk i posedon.”
Mosangazhimi është i dëmshëm për nefsin, sepse ia neutralizon potencialin e grumbulluar pa pasur nevojë. Dëmi i parë i dembelizmit është shpenzimi i energjisë për të plotësuar kohën e lirë. Pastaj i bën shprehi disa adete të këqija që t’ia plotësojnë zbrazëtirën e kohës.
Islami i shfuqizoi adetet e xhahilietit, si: festat, sezonet dhe mënyrat e jetesës që kundërshtoheshin me Islamin dhe u dha alternativë të menjëhershme me festa dhe sezone të tjera në vend të tyre. Kësisoj, nuk u la hapësirë myslimanëve për boshllëqe dhe humbje të kohës. Arabët e periudhës paraislame e kishin zakon të mblidheshin nëpër vendtubime për të pirë alkool, lozur bixhoz ose për të dëgjuar poezi me fjalë të devijuara. E gjithë kjo u zëvendësua me mbledhjen e tyre për adhurimin e Allahut, për namazin me xhemat dhe për festimin e festave islame.
“Kjo është metoda më e suksesshme në edukimin e nefsit, veçanërisht kur nefsi nuk dëshiron të braktisë diçka nga dëshirat e saj të ndaluara. Andaj, mënyra e saktë për të plotësuar këtë boshllëk është ringjallja e aktivitetit të ri e të lejuar që përputhet me dëshirën e nefsit.”[6]
Të riut, nëse mashtrohet me veten në kohën e tij të lirë, do t’i vijnë mendime të lira, pëshpëritje të pakontrolluara dhe iluzione erotike që ia ngacmojnë epshin. Më pas, e vëren te vetja se vrulli i epshit është rritur dhe instinkti seksual është trazuar para dallgëve të mendimeve dhe dëshirave. Atëherë, me patjetër e ka të strehohet te harami, që t’ia lehtësoje vetes vrullin e epshit dhe të frenojë kontrollin e tij.
Abdullah Ulvani (Allahu e ruajttë!) thotë: “Merr mësim prej këtij shembulli: “Ibn Nexhari tregon se e ka dëgjuar fqinjin tonë, i cili ishte njeri mirë, Ebu Kasim Mukriun, të ketë thënë: “Hazimi (Allahu e mëshiroftë!) ishte stacionuar te Bediu. Për çdo natë hynte në shtëpinë e tij, hulumtonte libra dhe shkruante deri në agim. E Bediu i tha një ditë shërbëtorit të tij: “Sonte mos i jep vaj Hazimit për fenerin, që të pushojë natën.” Kur erdhi nata, shërbëtori i kërkoi falje se nuk kishte vaj për fenerin. Hazimi hyri në shtëpi e nisi me namazin dhe me recitim të Kuranit deri në agim. Kur Bediu hyri brenda t’i tregonte si qëndronte realiteti për mungesën e vajit për fenerin, Hazimin e gjeti në namaz!”[7]
Kush e angazhon veten me vepra të mira, a do të gjejë kohë ta angazhojë atë me harame?
Prej shembujve bashkëkohorë e veçojmë rastin e Abdulaziz ibn Bazit (Allahu e mëshiroftë!), ish-myftiut të Arabisë Saudite, se si e ruante kohën e tij. Atë nuk e shihje veçse prej adhurimit në adhurim tjetër, prej në mësimdhënieje te kryerja e nevojave të njerëzve, prej të këshilluarit të të vjetrit dhe të riut te falja e namazit farz ose vullnetar, prej nderimit të mysafirit te mësimi dhe qëndrimi me familjen e tij. I kryente dy hatme të Kuranit për një muaj: njërën në namaz nate, kurse tjetrën gjatë ditës. Kështu ishte me Kuranin jashtë Ramazanit, edhe pse kishte shumë angazhime dhe ishte në moshë të thyer. Allahu na bashkoftë me të në Xhenetin e Tij!
Pra, patjetër kërkohet vazhdimësi në rrugën e adhurimit vullnetar, prej adhurimit në adhurim tjetër; prej leximit të librit… në nxënien përmendsh të ndonjë sureje…, prej dëgjimit të ligjëratës fetare… në përsëritjen e mësimit…, prej shkrimit të ndonjë ideje… te prezenca në ligjëratë fetare…, prej mësimit të ndonjë hadithi… te shkrimi i ndonjë studimi…, prej vizitimit të vëllait mysliman… te vizita e farefisit…, prej vizitimit të të sëmurit… te shkrimi i ndonjë artikulli…, prej përgatitjes së ndonjë projekti daveti… te meditimi në shenjat dhe begatitë e Allahut…, prej llogaritjes së vetvetes… te falja e namazit…, prej përmendjes së Allahut… te lutja…, prej leximit të ndonjë revistës së dobishme… te vizita e bibliotekës… e kështu me radhë.
Qëllimi është që jeta të angazhohet me atë që i bën dobi. Kur nefsi angazhohet me adhurime, i ndihmon vetes që të largohet prej asaj që e ndaloi Allahu. Andaj, nëse nefsin nuk e angazhon me adhurime, ai do të të angazhojë me gjynahe.
– Këshilla për të rinjtë si t’u largohen shkaqeve që i çojnë në epshin e ndaluar
- Shoqëria keqe
O ti i ri, Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të vet, andaj shikoni çdonjëri prej jush se kë po shoqëron.”[8]
Në një studim që e realizoi revista “Enba” nga Kuvajti tregohet për një të ri shtatëmbëdhjetëvjeçar, i cili tha: “Herën e parë që shikova filma pornografikë ishte para disa vjetësh kur isha në vizitë te shoku. Ai kishte filma të tillë në dhomën e tij dhe e lëshoi ta shikojmë.”
Paramendoje se si ishte gjendja e tij më vonë!
- Koha lirë
Koha lirë të jep hapësirën për mendime derisa ato shndërrohen në dëshira e më pas në vendosmëri. Ku mendon se do të jetë përfundimi! Do të mjaftonte të llogaritej për rrezik të madh sikur të përfundonte veç me masturbim duke marrë në konsideratë pasojat e tij. Po sikur ta çonin deri në zina?!
- Lehtësimi në raport me gjërat e ndaluara
Shumë lehtë vëren te disa të rinj se shkaku i rënies në zina dhe epsh të ndaluar ishte marrja me lehtësi e shikimit në foto të ndaluara ose e zhvillimit të bisedave në haram, ku ndoshta në fillim i nisin me qëllim të mirë, por shejtani është i treti i tyre.
- Duhet të largohet nga gjërat dhe vendet që e nxisin epshin
Pejgamberi ﷺ paralajmëroi nga ulja dhe qëndrimi në rrugë, që mund të jetë shkak për lirimin e shikimit në haram. Paralajmërimi erdhi në kohën e tij kur dihet se rrugët e Medinës nuk kishin fitne e harame sikurse gjendja jonë sot. Pejgamberi ﷺ tha: “Kini kujdes, mos u ulni nëpër rrugë!”
Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kini kujdes, mos u ulni nëpër rrugë!”
– Nuk kemi zgjidhje tjetër, sepse aty i bëjmë ndejat dhe bisedojmë mes vete, – i thanë.
– Atëherë, nëse tuboheni për ndeja, respektoni rregullat e rrugës, – u tha Pejgamberi ﷺ.
– Cilat janë rregullat e rrugës?
– Të ulet shikimi, të mos pengohet tjetri, të kthehet selami, të urdhërohet në mirësi dhe të ndalohet e keqja, – u tha Pejgamberi ﷺ.”[9]
Në ditët e sotme gjërat që e nxisin epshin janë shumë:
- Revistat.
- Gazetat me fotot që i shfaqin në to.
- Interneti.
- Mediet, rrjetet sociale dhe kanalet televizive.
- Përzierja e burrave dhe grave në tregje dhe qendra tregtare.
Islami u kujdes të ndalojë çdo gjë që e nxit epshin dhe çon në rënie në gjynah, madje edhe në adhurime. Për shembull, në namaz i nxiti gratë që të falen pas rreshtave të burrave. Rreshtat më të mirë të burrave janë të parët dhe më të këqijtë janë të fundit, ndërsa te gratë rreshtat më të mirë janë të fundit, ndërsa më të këqijtë të parët.
Pasi e përfundonte namazin, Pejgamberi ﷺ i urdhëronte burrat të qëndronin pakëz derisa të dalin gratë njëherë, që të mos përziheshin me burrat në rrugë.
Po ashtu ndaloi që gruaja të parfumohet kur del nga shtëpia. Zejnebja, gruaja e Abdullahut (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur ndonjëra prej jush të shkojë në xhami, të mos parfumohet.”[10]
Ibn Dakiku (Allahu e mëshiroftë!) thotë se dispozitës së parfumimit të grave i bashkëngjitet çdo gjë që është në domethënien e tij. Ndalesa ka ardhur për shkak se parfumimi nxit epshin; andaj të ngjashme në dispozitë janë edhe veshja me zbukurime, shfaqja e stolive, zbukurimi luksoz dhe përzierja e burrave me gratë.
- Të vetmuarit e burrit me grua të huaj.
- Të folurit e llastuar në celular mes dy gjinive.
- Muzika.
Jezid ibn Velid Nakisi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “O ju beni umejë, ruajuni nga muzika, sepse ajo e pakëson turpin, e shton epshin, e rrënon autoritetin, e zëvendëson alkoolin dhe deh ashtu siç deh alkooli.”
I riu që dëshiron të shpëtojë veten e ka të domosdoshme të largohet nga fotografitë e fëlliqura, filmat, gratë e zhveshura, muzika, faqet e fëlliqura në internet, nga vendet ku tubohen gratë, përveç në raste nevoje. Kush sillet rreth këtyre gjërave, shumë lehtë e ka të bjerë në to.
– Rreziku që u kanoset burrave kur qëndrojnë lirshëm kundrejt epshit të tyre
Pejgamberi ﷺ thotë: “Ajo që frikohem për ju janë joshja nga epshet e barkut dhe organit gjenital si dhe dëshirat që ju largojnë prej Allahut.”[11]
Pejgamberi ﷺ thotë: “Xheneti është i rrethuar me vështirësi, kurse Xhehenemi është i rrethuar me epshe.”[12]
Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë!) për domethënien e këtij hadithi thotë: “Me një fjalë, sikur ka dashur të thotë se në Xhenet shkohet vetëm me tejkalimin e vështirësive, ndërsa në Xhehenem shkohet duke u marrë me epshet që feja i ndalon. Të dytë, edhe Xheneti, edhe Xhehenemi, janë të mbuluar, e kush e shqyen mbulesën e ndonjërit prej tyre, hyn në të. Shqyerja e mbulesës së Xhenetit bëhet me kalimin e vështirësive, ndërsa shqyerja e mbulesës së Xhehenemit bëhet me rënien në epshet e ndaluara.
Sa u përket vështirësive, në të përfshihet përpjekja për në adhurime, vazhdimësia në adhurime, durimi në përjetimin e vështirësive të adhurimeve, mposhtja e zemërimit, falja dhe butësia, mirësia kundrejt atij që të lëndon, durimi përballë epsheve etj.
Sa u përket epsheve, me sa duket janë për qëllim epshet e ndaluara, si: alkooli, zinaja, shikimi i ndaluar, përgojimi, përdorimi i gjërave që humbin kohën etj. Ndërkaq, sa u përket epsheve të lejuara, aty nuk përfshihen gjërat e lartpërmendura, por urrehet teprimi i tyre, ngase ekziston frika ta çojnë njeriun në harame ose t’ia ngurtësojnë zemrën, ta largojnë nga adhurimi, ta nxisin të merret me dynjanë për të arritur deri tek ato etj.”[13]
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) përcjell se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur Allahu e krijoi Xhenetin, Xhibrilit i tha: “Shko dhe shikoje.” Shkoi dhe, pasi shikoi se çfarë kishte në të, u kthye dhe tha: “O Zot! Pasha madhërinë Tënde, çdokush që do të dëgjojë për të, do të hyjë në të.” Pastaj Allahu e rrethoi me vështirësi dhe Xhibrilit i tha: “Shko dhe shikoje.” Shkoi dhe, pasi shikoi se çfarë kishte në të, u kthye dhe tha: “O Zot! Pasha madhërinë Tënde, kam frikë se nuk do të arrijë askush të hyjë në të.”
“Kur Allahu e krijoi Xhehenemin, tha: “O Xhibril, shko dhe shikoje.” Shkoi dhe, pasi shikoi se çfarë kishte në të, u kthye dhe tha: “O Zot! Pasha madhërinë Tënde, nuk ndodh që dikush të dëgjojë për të e pastaj të hyjë në të.” Pastaj Allahu e rrethoi me epshe dhe Xhibrilit i tha: “Shko dhe shikoje.” Shkoi dhe, pasi shikoi se çfarë kishte në të, u kthye dhe tha: “O Zot! Pasha madhërinë Tënde, kam frikë se nuk do të mbetet askush pa hyrë në të.”[14] Kjo, sepse përjetohen vështirësi të mëdha nga përgjegjësitë e rënda, kundërshtimi i shpirtit dhe thyerja e epsheve.[15]
Kur Ebu Muslim Haulani (Allahu e mëshiroftë!) afrohej te ndonjë vend i shkretë e i pabanuar, ndalej dhe thoshte: “O ti vend i shkretë! Ku i ke banorët? Ikën dhe mbetën veprat e tyre, u shkëputën prej epsheve dhe u mbetën gjynahet. O biri i Ademit, lënia e gjynahut është më e lehtë se kërkimi i pendimit!”[16]
– Kundërshto çdo gjë që të fton të kthehesh në të kaluarën para udhëzimit
Në vazhdim do të sjell një shembull si kundërshtohen dëshirat dhe kujtimet e vjetra të së kaluarës për të mos iu kthyer veprave të së kaluarës:
Disa nga sahabët, në kohën e xhahilietit, para se të bëheshin myslimanë, i afroheshin zinasë dhe imoralitetit. Por, kur Islami ua ndriçoi zemrat, epshi u mposht dhe iu përgjigjën urdhrit të Allahut. Në mesin e tyre ishte edhe Merthed ibn Ebi Merthedi h. Komentuesit e Kuranit sqaruan se rasti i tij ishte shkaku i zbritjes së ajetit: “Laviri mund të martohet vetëm me laviren ose idhujtaren, kurse laviren mund ta marrë vetëm laviri ose idhujtari. Këto janë të ndaluara për besimtarët.” (Nur, 3) Tregohet për Merthedin se, pasi e pranoi Islamin, u ndihmonte myslimanëve të zënë peng nga idhujtarët e Mekës. I rrëmbente fshehurazi dhe i bartte prej Mekës për në Medinë. Një natë, kur shkoi të kryente misionin e tij, takoi një lavire të quajtur Anak. Ajo ishte një zinaqare me të cilën Merthedi kishte qenë në lidhje dashurie para se të bëhej mysliman. Nga rrethanat e asaj nate ajo e kuptoi se ai i bartte pengjet për në Medinë. Prandaj, deshi ta shfrytëzonte rastin dhe i tha: “Qëndro sonte tek unë dhe e kalojmë natën bashkë.” Merthedi tha: “O Anak! Nuk dua të të afrohem, sepse Allahu e ndaloi zinanë.” Ajo, nga inati, bërtiti: “O banorët e Mekës! Ky është personi që po i merr pengjet dhe po i dërgon për në Medinë!” Merthedi, me shumë vështirësi arriti të ikte së bashku me pengun që e mori me vete. Sapo arriti në Medinë, shkoi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! A më lejohet ta martoj Anakun?” Pejgamberi ﷺ nuk ia ktheu përgjigjen derisa zbriti ajeti: “Laviri mund të martohet vetëm me laviren ose idhujtaren, kurse laviren mund ta marrë vetëm laviri ose idhujtari. Këto janë të ndaluara për besimtarët.” (Nur, 3) Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Mos e marto atë!”[17]
KAPU PËR ARMËN E BESIMTARIT
Arma që e përdor besimtari në çdo kohë dhe situatë është duaja. Ajo asnjëherë nuk e tradhton, as në rehati e as në vështirësi.
Allahu thotë: “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, u përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.” (Bekare, 186)
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk ka mysliman në Tokë që i lutet Allahut veçse ia pranon lutjen atij ose i largon një të keqe të ngjashme në sasi me lutjen e tij; përderisa nuk lutet për të vepruar ndonjë gjynah ose për t’i shkëputur lidhjet farefisnore.” E një i pranishëm i tha: “Atëherë po u dashka t’i shpeshtojmë lutjet?!” Pejgamberi ﷺ tha: “Sado që robi lutet, aq më tepër Allahu i jep, bujaria e Tij nuk ka kufi dhe nuk shteron asnjëherë.”[18]
Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ tregon se Allahu i Lartësuar ka thënë:
“O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar Vetes padrejtësinë dhe e kam bërë të ndaluar edhe ndërmjet jush, andaj mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit.
O robërit e Mi! Të gjithë jeni të devijuar, përveç atij që Unë e udhëzoj, andaj më kërkoni udhëzim, që t’ju udhëzoj.
O robërit e Mi! Të gjithë jeni të uritur, përveç atij që Unë e ushqej, andaj më kërkoni ushqim, që t’ju ushqej.
O robërit e Mi! Të gjithë jeni të zhveshur, përveç atij që Unë e vesh, andaj më kërkoni veshmbathje, që t’ju furnizoj me të.
O robërit e Mi! Ju bëni gabime natë e ditë, ndërsa Unë i fal të gjitha mëkatet, andaj më kërkoni falje, që t’ju fal.
O robërit e Mi! Ju kurrë nuk mund të arrini në shkallë që të bëni dëm e të më dëmtoni e as që mund të arrini në shkallë që të më bëni dobi e të më bëni mirë.
O robërit e Mi, po qe se të gjithë ju, i pari e i fundit, njerëz e xhinë, bëheni si njeriu më zemërmirë prej jush, kjo gjë aspak nuk do ta shtonte pushtetin Tim.
O robërit e Mi, po qe se të gjithë ju, i pari e i fundit, njerëz e xhinë, bëheni si njeriu më zemërprishur nga mesi juaj, kjo aspak s’do ta pakonte pushtetin Tim.
O robërit e Mi, po qe se të gjithë ju, i pari e i fundit, njerëz e xhinë, tuboheni në një vend, më drejtoheni me kërkesa e Unë ia jap gjithsecilit atë që kërkon, kjo nuk do të pakësonte asgjë nga ajo që gjendet tek Unë, aq sa pakon gjilpëra kur futet në det.
O robërit e Mi! Janë veprat tuaja, të cilat i ruaj e më pas jua shpërblej, kështu që, kushdo që gjen mirë, le ta falënderojë Allahun, ndërkaq, ai që gjen keq, le ta qortojë vetëm vetveten.”[19]
Meditoje rastin e Jusufit n, i cili tha: “O Zoti im, më shumë e dua burgun se atë ku më shtyjnë ato. Nëse Ti nuk e largon prej meje dredhinë e tyre, unë do të prirem drejt atyre dhe do të bëhem nga ata që nuk (i) dinë (ligjet e Tua).” Dhe Zoti e plotësoi lutjen e tij dhe e shmangu nga dredhitë e tyre. Me të vërtetë, Ai dëgjon dhe di çdo gjë.” (Jusufi, 33-34)
Andaj, ktheju Allahut dhe lutu me lutje si këto.
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “I Dërguari i Allahut ﷺ e shpeshtonte lutjen: “O Rrotullues i zemrave, përqendroma zemrën në fenë Tënde.” I thashë: “O i Dërguar i Allahut! Ne ty të besuam dhe i besuam asaj që ti erdhe me të (Islamit), a frikohesh për ne?” Tha: “Po. Me të vërtetë, zemrat e njerëzve janë mes dy gishtërinjve prej gishtërinjve të Allahut: i rrotullon si të dojë Ai.”[20]
Abdullahu ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ thoshte: “Allahume ini eselukel huda, ve tuka, vel afafe, vel gina (O Allah, kërkoj të më japësh udhëzimin, devotshmërinë, ndershmërinë dhe pavarësinë (nga krijesat)!”[21]
Shekel ibn Humejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka pyetur Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, më mëso një lutje?” Atëherë Pejgamberi ﷺ i tha: “Thuaj: “O Allah, kërkoj mbrojtjen Tënde nga sherri i dëgjimit tim, shikimit tim, gjuhës sime, zemrës sime dhe nga sherri i organit tim (gjenital).”[22]
Andaj, kujdes nga vetëpëlqimi! Të të mos mashtrojnë veprat e të mendosh se ke bërë shumë e kjo të bëhet shkak që të ndalesh së punuari. Përkundrazi, kujtoje sa i dobët dhe nevojtar që je për udhëzimin e Allahut. Meditoje gjendjen e Ibrahimit n: “(Kujtoje) kur Ibrahimi tha: “O Zoti im, bëje të sigurt këtë qytet (Mekën) dhe më ruaj mua e pasardhësit e mi nga adhurimi i idhujve!” (Ibrahim, 35)
Meditoje gjendjen e Pejgamberit tonë, Muhamedit ﷺ: “Dhe sikur të të mos kishim forcuar Ne, gati do të kishe anuar pak nga ata.” (Isra, 74)
MOS U DËSHPËRO
I riu dhe e reja mund të bien në gjynah sikurse çdo njeri tjetër dhe vrulli i epshit t’ua hutojë mendjen e të bien në ndonjërën prej degëve të zinasë. Por, megjithatë, dera e pendimit mbetet e hapur. Dëshpërimi dhe demoralizimi në këso rastesh vetëm e përkeqëson gjendjen shpirtërore. Njeriu, sado që bën gjynahe, nëse pendimi i tij është i sinqertë, Allahu e pranon pendimin dhe ia fshin gjynahet. Allahu thotë: “Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.” (Zumer, 53)
Ka njerëz që bënë një e dy-tri gjynahe, bile më pas vazhduan me gjynahe të tjera, sepse u dëshpëruan nga mëshira e Allahut. Çdoherë që u shkonte mendja të pendoheshin, vetja u pëshpëriste: “Shpirtprishur…, shpirtprishur…, çfarë dobie ke tani të pendohesh?!”
Gabim i madh! Ne e kemi shembullin më të mirë të asaj gruaje prej benu israilëve, e cila merrej me prostitucion. Asaj i rastisi të shihte një situatë që ia ngacmoi ndjenjat përbrenda dhe reagoi menjëherë me një vepër të mirë, për të cilën Allahu ia fali mëkatet. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Teksa një qen po sillej rreth e përqark një pusi, e veç sa nuk kishte ngordhur nga etja, e pa një zinaqare e benu israilëve dhe, në vend, e hoqi këpucën e i dha qenit ujë për të pirë. Kështu, Allahu, për këtë vepër, ia fali mëkatet.”[23]
Shejtani është i kujdesshëm që njeriun ta çojë në dëshpërim derisa të largohet nga pendimi dhe gjendja t’i duket aq e rëndë sa nuk mund të tejkalohet asnjëherë. Dëshira për pendim, në vend se të ishte fuqi që e shtyn të marrë vendim të prerë për të ndryshuar gjendjen e tij, i shndërrohet në shpresë iluzionare. Ky është mashtrim i shejtanit dhe mendimi i tillë duhet të luftohet. Kishte njerëz që e pinin alkoolin, i afroheshin zinasë, shkonin pas çdo dëshire e epshi, por erdhi një kohë kur Allahu ua ndriçoi zemrat me iman e i mposhtën epshet dhe pasionet. Ata u kapën për fenë e Allahut dhe u përqendruan në urdhrat e Allahut.
Epshi, prej të cilit ankohet i riu dhe e reja, nuk është krijuar enkas vetëm për ta. Edhe të devotshmëve dhe të devotshmeve, që karakterizohen nga ndershmëria e virtytshmëria, nefsi u thotë të shkojnë pas epsheve. Madje, te disa ndoshta epshi dhe pasioni janë më të larta se te të tjerët që nuk janë në nivelin e fetarisë së tyre, por ata luftojnë me veten dhe kërkojnë ndihmën e Allahut. S’ka dyshim që Allahu e ndihmon robin që kërkon përkrahjen e Tij. Pra, suksesi është argument për të tjerët se, kur duan, kanë vullnet, besojnë dhe këmbëngulin, me lejen e Allahut, mund të arrijnë atë që e dëshirojnë.
Çdoherë që biesh në gjynah, kujtoje pendimin dhe nxito të pendohesh. Ruaju të mos biesh në dëshpërim e të humbësh shpresat në mëshirën e Allahut dhe kjo të të shtyjë të këmbëngulësh në kryerjen e gjynahut. Kjo është prej cilësive të jobesimtarëve, ndërsa besimtari reflekton me optimizëm dhe asnjëherë nuk e humb shpresën në mëshirën e Allahut.
Po sjell një hadith, që shpirtrat e të penduarve të sinqertë i mbush më kënaqësi dhe gëzim. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcjell se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur robi bën gjynah dhe thotë: “O Zot, më fal se bëra gjynah!”, Allahu tha: “Robi Im e di që ka Zot i Cili e fal gjynahun dhe e merr në llogari për të, prandaj e fala robin Tim.” Pastaj, për aq kohë sa deshi Allahu, ai nuk bëri gjynah, e, kur bëri sërish, robi tha: “O Zot, më fal, se bëra një gjynah tjetër!” Allahu tha: “Robi Im e di që ka Zot i Cili e fal gjynahun dhe e merr në llogari për të, prandaj e fala robin Tim.” Pastaj për aq kohë sa deshi Allahu, ai nuk bëri gjynah, e, kur bëri sërish, robi tha: “O Zot, më fal, se bëra një gjynah tjetër!” Allahu tha: “Robi Im e di që ka Zot i Cili e fal gjynahun dhe e merr në llogari për të, prandaj e fala robin Tim.” Dhe tha: “Le të veprojë çfarë të dëshirojë (përderisa çdoherë që bën gjynah të ri, kërkon falje dhe pendohet nga gjynahu).”[24]
Ki parasysh që dhembja e përkohshme në dynja është më e mirë se rënia në dhembjen e përhershme të ahiretit.
Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Nëpërmjet kësaj dere hyjnë dy lloje njerëzish:
- Atij që imani ia preku zemrën, beson në ahiretin, beson që për adhurimin e tij e merr shpërblimin e Allahut dhe për mosbindjen e tij e merr ndëshkimin e Allahut. Ky i jep përparësi së përhershmes (Xhenetit) dhe nga dy ndëshkimet (e dynjasë dhe ahiretit) e zgjedh atë që dhemb më pak (të dynjasë).
- Atij që epshi ia mposhti mendjen, e kuptoi shëmtirën e zinasë dhe iu bë e qartë rreziku i rënies në zina. Kështu, i dha përparësi asaj së lartës (ahiretit) para së poshtmes (kënaqësisë së dynjasë).
Allahu te Jusufi n bashkoi dy çështje: Jusufi zgjodhi ndëshkimin e dynjasë me burgim dhe jo kënaqësinë e rënies në gjynahun e zinasë, saqë gruaja e ministrit tha: “Por, nëse ai nuk bën atë që e urdhëroj unë, me siguri që do të burgoset dhe do të poshtërohet.” Ai tha: “O Zoti im, më shumë e dua burgun se atë ku më shtyjnë ato. Nëse Ti nuk e largon prej meje dredhinë e tyre, unë do të prirem drejt atyre dhe do të bëhem nga ata që nuk (i) dinë (ligjet e Tua).” (Jusuf, 32-33) Ai zgjodhi burgun dhe jo zinanë, pastaj tregoi se veç fuqia e Allahut e largoi nga zinaja, sepse vetja asnjëherë nuk ka fuqi ta bëjë vetë, por patjetër duhet kërkuar ndihma e Allahut që njeriu të mos rrëshqasë në zina. Jusufi tha: “Nëse Ti nuk e largon prej meje dredhinë e tyre, unë do të prirem drejt atyre dhe do të bëhem nga ata që nuk (i) dinë (ligjet e Tua).” (Jusuf, 33)
Prandaj, njeriu nuk duhet t’i mbështetet vetes, durimit, gjendjes dhe virtytshmërisë së tij, sepse, nëse sfidohet me situata të tilla, le të llogaritë se nuk e ka ndihmën e Allahut. Kështu, shumë lehtë e përfshin poshtërimi. Allahu iu drejtua krijesës më të ndershme dhe më të dashur tek Ai e i tha: “Dhe sikur të të mos kishim forcuar Ne, gati do të kishe anuar pak nga ata.” (Isra, 74) Për këtë shkak i Dërguari i Allahut ﷺ e shpeshtonte lutjen: “O Rrotullues i zemrave, përqendroma zemrën në fenë Tënde”, dhe betimi më i shpeshtë që e bënte i Dërguari Allahut ﷺishte: “Jo, pasha Atë që i rrotullon zemrat.”
E si mos të jetë ashtu kur Allahu ia zbriti atij fjalët: “Dhe ta dini se Allahu ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij!” (El Enfal, 24) Prej ligjeve të pandryshueshme të Allahut te krijesat e Tij është se, kush e preferon dhembjen e durimit para kënaqësisë së gjynahut, do ta përfshijë atë në dynja lumturia e plotë. Por, edhe sikur të dëmtohet, s’ka dyshim se një ditë do të vijë fitorja dhe ajo do të jetë shumë e madhe. Allahu nuk ia humb mundin atij robi që duroi për hir të Tijin.”[25]
Muhamed el Munexhidi
Nga arabishtja: Irfan Jahiu
(Pjesë nga libri i përkthyer në gjuhë shqipe “BETEJA ME EPSHET”)
[1] Buhariu (6412).
[2] Taberaniu, ndërsa Sujuti dhe Munaviu e vlerësuan hadithin si të mirë. Hejthemiu tha se transmetuesit e hadithit janë besnikë. Albani e përmendi hadithin në “Sahih el Xhami’ ”(5446), por tha se më afër së vërtetës është të jetë hadith i dobët.
[3] “Silsiletu es Sahiha” (946).
[4] “Tuhfetu el Ehvedhij” hadithi numër (2416).
[5] Irakiu e vlerësoi hadithin si të mirë në vlerësimet e haditheve të librit “Ihja Ulumi ed Din” të Gazaliut, (459).
[6] “Menhexh et Terbije el Islamije”, Muhamed Kutbi (f. 253-258).
[7] “Menhexh et Terbije el Islamije” (f. 253-255).
[8] Tirmidhiu (2378), shejh Albani hadithin e vlerësoi të mirë.
[9] Buhariu (2465).
[10] Muslimi (443).
[11] Ahmedi në “Musned” (18937), Albani e saktësoi në “Sahih Tergib” (2143).
[12] Buhariu (6487), Muslimi (2822).
[13] “Sahih Muslim me komentimin e Neveviut” hadithi numër (2823).
[14] Tirmidhiu (2560), Albani e saktësoi në “Sahih Tirmidhiu” (2075).
[15] “Tuhfetu El Ehvedhij” (7/237).
[16] “Zuhd” Ibn Ebi Asim (1/393).
[17] Tirmidhiu (3177), Nesaiu (3228), Ebu Davudi (2501), hadithi është i saktë.
[18] “Sahih Sunen Tirmidhiu” (2827).
[19] Muslim (2577).
[20] Tirmidhiu (2140), shejh Albani e saktësoi në “Sahih Tirmidhiu” (2792).
[21] Muslimi (2721).
[22] Ebu Davudi (1551).
[23] Buhariu (3467), Muslimi (2245).
[24] “Tergib ve Terhib” (3140).
[25] “Revdatu Muhibin” (f. 465).