Hena_Vjeshtes01-750x500-1

Dhjetëshi i fundit i Ramazanit (HUTBE)

Allahu i Madhëruar na ka treguar se prej cilësive të muajit Ramazan është se këto ditë janë:

﴿أَيَّامٗا مَّعۡدُودَٰتٖۚ ١٨٤﴾

“Ditë të numëruara.” (El Bekare, 184)

Ne po shohim se këto ditë pothuajse shkuan dhe ka mbetur vetëm dhjetëshja e fundit.

Në këtë dhjetëshe është nata më e madhe e vitit. Në këtë natë ka filluar zbritja e shpalljes, Kuranit. Në këtë natë, ka ndodhur bashkimi mes tokës dhe qiellit. Me zbritjen e Kuranit ka zbritur edhe Xhibrili ﷺ. Vëllezër, njerëzimi përgjatë gjithë historisë nuk ka parë sikurse kjo natë. Tërë kjo natë është dritë, është selam – paqe, është qetësi. Allahu ka zbritur sure të Kuranit me emrin “Surja el Kadër”, për të treguar për këtë natë.

Ne duhet ta kemi parasysh se në Islam nuk ka kot diçka madhështore, thjesht pa asnjë arsye. Andaj, edhe kjo natë, në gjatësi kohore është sikurse netët e tjera, përafërsisht tetë orë, gjë që ndryshon varësisht prej stinës. Pra, tetë orë është nata e Kadrit, e edhe netët e tjera janë nga tetë orë. Mirëpo, ndryshimi është shumë i madh:

﴿لَيۡلَةُ ٱلۡقَدۡرِ خَيۡرٞ مِّنۡ أَلۡفِ شَهۡرٖ٣﴾

“Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj.” (El Kadër, 3)

Pra, ne nuk i shikojmë gjërat në sasi, porse në bereqet dhe me vepra të mira, sepse kështu na rritet vlera, e jo thjesht me jetëgjatësi e sasi.

Kësaj nate iu rrit vlera sepse në këtë natë zbriti Kurani. Në këtë kohë nuk kishte Islam, nuk kishte Pejgamber, nuk adhurohej Allahu, prandaj ndodhi ky ndryshim i madh te mbarë njerëzimi.

Pastaj nga kjo pjesë e ajetit: “… më e mirë se një mijë muaj.” (El Kadër, 3), kuptojmë se Allahu po dëshiron të na falë e të na fus në Xhenet.

Ta përafrojë këtë me një shembull, edhe pse Allahut i takon shembulli më i lartë. Nganjëherë ndodh që dikush ka dëshirë t’i ndihmojë dikujt ose t’i jap diçka prej pasurisë, porse nuk dëshiron t’ia jap drejtpërdrejtë, pa asnjë lodhje, pa asnjë sakrificë, por kërkon prej tij, qoftë edhe një punë të vogël, që ta arsyetoj këtë dhuratë që ka dëshirë t’ia jap, e pastaj pasi ta mbarojë punën, ky i pasuri i jep shumë më shumë sesa haku që e meriton punëtori në fjalë. Pra, në njëfarë forme nuk po ia jap kështu krejt falas që të mos e bëjë dembel, por po i kërkon qoftë edhe një punë të vogël.

Kështu Allahu dëshiron të na nderojë e të na shpërblejë, porse me pak punë, ashtu që të na shoh se ne e falënderojmë.

Në këtë natë shkruhen kaderet – përcaktimi vjetor se çfarë do të ndodhë brenda vitit.

Pejgamberi ﷺ  nuk na ka treguar prerazi se kur është kjo natë. Pejgamberi ﷺ  ka thënë: “Kërkojeni natën e Kadrit në dhjetëshen e fundit të Ramazanit.”[1]

Pastaj na e ka treguar edhe një detaj të rëndësishëm, që të kërkohet: “… Në netët tek të dhjetëshes së fundit të Ramazanit.”[2]

Pejgamberi ﷺ  i ngjallte këto net me adhurim, e shtrëngonte mesin, e zgjonte familjen.

Vëllezër, nëse na ka ikur diç prej këtyre ditëve të kaluara, së paku këto ditët e fundit të mos na ikë asgjë. Përfundimi gjithmonë është më i rëndësishëm. Minutat e fundit gjithmonë janë më të rëndësishme. Tani gjithsesi duhet të këndellemi, t’i përvjelim duart. Këtu nuk kemi kohë të hamendemi.

Shikoje sesi gjatë Ramazanit, sahabët i ndryshonin edhe njësitë matëse. Zejd ibn Thabiti tregon: “Njëherë hëngrëm syfyr me Pejgamberin ﷺ , pastaj ai u ngrit për namaz (të sabahut).” Enesi e pyeti: “Sa ishte distanca kohore mes ezanit (namazit të sabahut) dhe syfyrit?”

  • Aq sa t’i lexoje pesëdhjetë ajete, – i tha Zejdi.[3]

Kur arabët donin të tregonin sa ka zgjatur ndonjë takim, ndonjë punë etj., thoshin: “Sa milet një dele”, pra, një kohë e shkurtër, 5-10 min.; “Sa theret një deve”, për një orë. Ndërkaq, në Ramazan, aq shumë ishin të lidhur me Kuranin, saqë edhe njësitë matëse të kohës i ndryshuan dhe i bënë aq sa lexohen kaq e aq ajete.

Te ne do të ishte shumë e bukur sikur edhe ne njësitë matëse t’i bënim me Kuran, me sadaka, me syfyr e të ngjashme.

Kujtoje edhe këtë hadith: “Aroma e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu sesa parfumi i myshkut (miskut).”[4]

Rreth këtij hadithi dijetarët kanë thënë: Pasi që agjërimi i këtij personi ishte i fshehtë, vetëm për Allahun, dhe askush nuk ka mundësi ta dijë se është duke agjëruar, atëherë Allahu i Madhëruar si shpërblim për të do ta bëjë që kjo aromë e këtij agjëruesi të ndihet nga njerëzit e tjerë në Ditën e Kiametit. Po ashtu disa dijetarë kanë thënë se kjo aromë e gojës të cilën e do Allahu është një aromë shpirtërore, përmes së cilës Allahu ia jap agjëruesit një prani dhe një dashuri në zemrat e njerëzve. Për këtë arsye ne e shohim në praktikë sesi njerëzit i duan agjëruesit.

 

Pjesa e dytë e hutbes

Pejgamberi ﷺ  ka thënë: “Nëse ha e pi nga harresa, le ta plotësojë agjërimin, se Allahu e ka ushqyer dhe i ka dhënë të pijë.”[5]

Ky hadith na tregon lehtësimin që e ka feja islame.

Po ashtu personi i cili nuk di, ose personi i cili harron ose gabon, atij nuk i shkruhet si mëkat.

Po ashtu nga ky hadith kuptojmë se harresa qenka edhe prej Allahut, e jo vetëm prej shejtanit. Madje, harresa paska raste kur qenka mëshirë prej Allahut, sepse, kur ne e harrojmë të kaluarën e keqe që e kemi pasur, kjo është mëshirë.

Prej këtij hadithi kuptojmë se agjërimi është i saktë dhe është i plotë, e jo i cunguar.

Prej këtu dijetarët e kanë sjellë një rregull në fikh:

“Nëse gjatë adhurimit bëhet një gjë e ndaluar, porse me harresë, atëherë ky adhurim është i saktë” siç është rasti kur personi ha dhe është agjërueshëm, e vazhdon agjërimin sepse ka bërë gjë të ndaluar, porse me harresë. Po ashtu, ai që thotë ndonjë fjalë të dynjasë gjatë namazit, porse me harresë, atëherë themi se ka bërë gjë të ndaluar, por me harresë, kështu që namazi është i saktë.

Në të kundërtën, nëse gjatë adhurimit lihet një urdhër, qoftë dhe me harresë, adhurimi duhet përsëritur. Për shembull, ne jemi të urdhëruar që të marrim abdes për namaz, por ja që dikush ka harruar të marrë abdes. Këtu ne i themi që namazin duhet ta falësh përsëri, sepse ke lënë një urdhër, ndërsa harresa këtu nuk nënkupton që të lirohesh prej namazit.

Përgatiti: Mr. Flamur Kabashi

 

[1] Buhariu nr.2020.

[2] Buhariu nr.2017.

[3] Buhariu nr.575.

[4] Buhariu nr.1904.

[5] Buhariu nr.1933.