lutja-640x427

CILIT LLOJ TË GJYNAHQARËVE I TAKON?

Bëjmë krahasimin mes këtyre dy shembujve:

Shembulli i parë: Të riut që gjynahu ia ka pushtuar zemrën dhe mendjen. Për të arritur deri te rruga që e çon te gjynahu, planifikon, jep mund dhe e angazhon trurin. Pastaj i vë në funksion gjymtyrët e tij, madje ndoshta shpenzon një pjesë nga pasuria e tij apo e shfrytëzon autoritetin e tij. Kur gjymtyrët e tij e braktisin gjynahun, vazhdon pamja e gjynahut t’i sillet nëpër mendje dhe ta zotërojë trurin e tij.

Në momentin që i takon shokët, krenohet para tyre me veprën e tij dhe e shpalos gjynahun e tij. Nëse i ikën mundësia ta bëjë gjynahun, atij kjo i shkakton keqardhje dhe i ngjall dëshpërim. E, nëse i shkon mendja të pendohet, sakaq ky mendim i ikën dhe dëshira për të bërë mëkat ia dëbon atë mendim të mirë që kishte.

Shembulli i dytë: I riu që e urren gjynahun dhe gjynahqarin. Kohën e tij e shfrytëzon në ibadet, mirëpo herë pas here e kaplon një dobësi njerëzore dhe e çon në gjynah. Deri të largohet nga gjynahu, zemra e tij përvëlohet nga keqardhja; ndien dhembje dhe ka siklet, i ngre duart e tij kah qielli e i lutet Allahut për pendim dhe falje. Zemra i rrëqethet kur dëgjon çdoherë këshillë. Gjynahu i del para syve dhe vazhdon ta futë në siklet. Më pas pyet, cila është rrugëdalja? Cila është zgjidhja? Dhe nis ta largojë çdo rrugë që e çon deri në gjynah. E tillë është gjendja dhe shprehia e këtij të riu nëse bie në gjynah.

Pas gjithë kësaj fillon ta përbuzë veten. E ndien në vete se është larg rrugës së punëmirëve dhe e fajëson që ka cilësi të të padijshmëve dhe hipokritëve.

I tilli është prej atyre që për ta Allahu thotë: “Për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre – e kush i fal gjynahet përveç Allahut? – dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë.” (Ali Imran: 135)

Për Allahun, a janë të barabartë këta të dy? Dhe cili është më afër mëshirës së Sunduesit, të Gjithëdijshmit, Pendimpranuesit dhe Mëshiruesit?

Rreth këtij botëkuptimi foli Ibn el-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, duke thënë: “Allahu e fal robin i cili ka rënë në gjynah, sepse e ka mposhtur epshi dhe fuqia e karakterit. Ato e çojnë në gjynah, por, megjithatë zemra e tij e urren gjynahun dhe nuk këmbëngul për në gjynah; e këtij shpresohet që Allahu t’ia falë dhe ta mëshirojë, për shkak se Allahu e di që robi ka dobësi dhe e mposht shpeshherë epshi i tij dhe se ky njeri nuk mund t’i bëjë ballë mëkatit, pa rënë në të. Ai edhe kur bie në gjynah, qëndron kokulur dhe i përulur para Zotit, ka siklet dhe frikë. Epshi i nefsit e tërheq kah gjynahu, ndërsa imani tij e urren këtë. Herë i përgjigjet nxitësit të epshit, e herëve të tjera i përgjigjet thirrësit të imanit. E ai që jetën e tij e ndërton mbi gjynahe, nuk e ka frikë Allahun dhe nuk e lufton epshin për hir të Allahut, madje gëzohet dhe qesh kur bën gjynah, pikërisht për këtë njeri duhet pasur frikë se gjynahet do të ndërhyjnë mes tij dhe pendimit, e nuk do t’i jepet mundësia të pendohet prej tyre.”[1]

Me një vend tjetër tha: “Të gëzohesh me bërjen e gjynahut tregon që e dëshiron atë fort dhe po aq je i padijshëm se kujt po i bën gjynah. Po ashtu, tregon se nuk ke njohuri për fundin e keq që e sjell gjynahu dhe rrezikun e tij. Gëzimi me bërjen e gjynahut ia mbulon të gjitha këto fakte njeriut dhe për të është më i rrezikshëm se vetë rënia në gjynah. Asnjëherë nuk plotësohet kënaqësia dhe nuk kompletohet gëzimi te besimtari me bërjen e gjynahut, përkundrazi, kur e bën gjynahun, zemrën e tij e prek pikëllimi, mirëpo këtë ndjenjë ai nuk arrin ta perceptojë sepse ëmbëlsia e epshit e pengon ta ndiejë atë. Kur zemra boshatiset dhe nuk ndien më pikëllim, por shtohet gëzimi dhe kënaqësia me bërjen e gjynahut, atëherë duhet ta rishikojë imanin e tij dhe të shqetësohet për vdekjen e zemrës së tij. Sikur të ishte e gjallë zemra e tij, do të mërzitej, zemërohej dhe do t’i vinte rëndë për bërjen e gjynaheve të tij, por ajo nuk ndien më. Në këtë gjendje ai i përngjason të vdekurit që asnjë plagë më nuk i shkakton dhembje.”[2]

Ibn es-Semaku, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Janë tri lloje njerëzish:

Lloji i parë – ai që pendohet pas gjynahut, i vendosur ta braktisë gjynahun dhe të mos i kthehet sërish. Ky është i mrekullueshëm.

Lloji i dytë – ai që bën gjynah e pastaj pendohet, bën gjynah dhe mërzitet, bën gjynah dhe qan. Këtij shpresohet t’i falet, por edhe frikësohemi për të se do të dënohet.

Lloji i tretë – bën gjynah dhe nuk pendohet apo nuk mërzitet, bën gjynah dhe nuk qan. Ky njeri e ka lëshuar rrugën e Xhenetit dhe është duke e ndjekur rrugën e Xhehenemit.”[3]

Junus ibn el-Avam ibn el-Heusheb, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Në të kaluarën thuhej se gëzimi me bërjen e gjynahut është mëkat më i rëndë se vetë bërja e gjynahut.”[4]

Andaj, rishikoje veten se ku je ti me gjynahun. A je prej atyre që gëzohen kur bëjnë gjynah, e dëshirojnë atë dhe shkojnë pas tij? Apo je prej atyre që e urrejnë dhe nuk duan ta veprojnë atë, përveç kur u dobësohet nefsi dhe i mund epshi, atëherë bien në të!

Kujdes! Mos të të bëjë lezeti i epshit ta harrosh hidhësinë e gjynahut! Kujdes! Mos të t’i djegë zjarri i tekave rrënjët e imanit në zemrën tënde!

[1] Miftah Darus Seade (1/283).

[2] Medarixhus Salikin (1/201).

[3] Shuab el-Iman, Imam Bejhakiu (7156).

[4] Shuab el-Iman, Imam Bejhakiu (7157).

DR. MUHAMED ED DUVEJSH

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

PJESË NGA LIBRI “RRUGA E SHPËTIMIT NGA E KEQJA E GJYNAHUT”

(Libri është i përkthyer në shqip)