Borrell: Kosova dhe Serbia të tregojnë urgjentisht gatishmëri për uljen e tensioneve

Borrell: Kosova dhe Serbia të tregojnë urgjentisht gatishmëri për uljen e tensioneve

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për çështjet e jashtme, Josep Borrell, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia fleksibilitet për çështjen e targave ilegale që ende qarkullojnë në pjesën veriore të Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media pas përfundimit të takimit me ministrat evropianë, Borrell tha se Kosova dhe Serbia duhet të tregohen të gatshme për të gjetur një rrugë përpara për të ulur tensionet, si dhe shtoi se nuk është e pranueshme që asnjëra palë të shkelë a të injorojë obligimet që kanë marrë përsipër nga procesi i dialogut.

Borrell bëri thirrje që midis dy shteteve fqinje të Ballkanit Perëndimor duhet të bëhet një zgjidhje praktike për çështjen e targave deri para datës 21 nëntor, kur sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës do të fillohet me ndëshkime për të gjithë ngasësit e veturave me targa të cilat nuk janë legale (RKS).

“Mund të them se po përballemi me krizën më të rëndë, më të rrezikshme në dhjetë vitet e fundit. Të dyja palët duhet të tregojnë urgjentisht gatishmërinë për të gjetur një rrugë përpara për të ulur këto tensione. Nuk është e pranueshme që asnjëra palë të shkelë ose të injorojë detyrimet e dala nga Dialogu”, theksoi Borrell.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së tha se tërheqja e serbëve nga institucionet kosovare ka krijuar një vakum në veri të Kosovës ku mund të ndodhë edhe ndonjë përshkallëzim i situatës.

“Mesazhi nga Këshilli është i qartë, ne kemi nevojë për përparim të qartë. Ne kemi paraqitur një propozim. Falënderoj Gjermaninë dhe Francën që e mbështetën fuqishëm këtë propozim. Serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucione. Autoritetet e Kosovës duhet të tregojnë fleksibilitet në targa dhe të punojnë në zbatimin pa vonesë të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, tha Borrell.

Më tej, ai tha se partnerët që aspirojnë në një të ardhme evropiane duhet të kenë sjellje evropiane. Sipas tij ka dy rrugë, ajo drejtë BE-së apo rruga drejt të kaluarës.

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, kanë udhëtuar sonte drejt Brukselit ku me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të diskutojnë për një zgjidhje praktike për çështjen e targave.

Qeveria e Kosovës mori vendim që prej 1 nëntorit deri më 21 nëntor veturat me targa ilegale që ende qarkullojnë në territorin e Kosovës do të marrin fleta qortuese në kuadër të fazës së parë të vendimit. Në fazën e dytë, qeveria parasheh që nga 21 nëntori deri më 21 janar 2023 të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të ketë targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill, nuk mund të ketë më targa tjera përpos atyre “RKS”.

Ky vendim bëri që më 5 dhe 6 nëntor zyrtarët e Listës Serbe të japin dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë qeverinë, parlamentin, pozitat e kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe, policia, gjyqësori, prokuroria dhe administrata.