Biden: SHBA anulon marrëdhëniet normale tregtare me Rusinë

Biden: SHBA anulon marrëdhëniet normale tregtare me Rusinë

Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi se SHBA ka hequr marrëdhëniet normale tregtare me Rusinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kjo masë do të rrisë presionin ekonomik ndaj presidentit rus Vladimir Putin dhe do ta izolojë më tej Moskën nga skena globale, tha Biden në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë.

“Më vonë sot me aleatët e tjerë të NATO-s dhe anëtarët e G7, Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë, Britaninë e Madhe dhe BE-në, ne do të shpallim së bashku disa hapa të rinj për të ushtruar presion ndaj Putinit”, tha ai.

“Fillimisht, secili nga vendet do të ndërmarrë hapa për t’i mohuar Rusisë statusin e kombit më të favorizuar”, tha ai, që nënkupton se dy vendet kishin një marrëveshje për të tregtuar me njëri-tjetrin me tarifa të ulëta, me pak barriera në tregti dhe importe më të larta të lejuara.

Në SHBA, kjo quhet Marrëdhënie Tregtare Normale e Përhershme (PNTR), theksoi Biden.

Ai gjithashtu u shpreh se revokimi i PNTR-së për Rusinë do ta bëjë më të vështirë për tregtinë e saj me SHBA-në, ndërsa sipas tij, bashkëveprimi me shtetet e tjera që përbëjnë gjysmën e ekonomisë globale do të jetë një tjetër goditje dërrmuese për ekonominë ruse që tashmë po vuan shumë nga sanksionet.