319e50f1-919f-4b8d-9552-df9bf7cc232f-890x501

“Besimtari nuk thumbohet (pickohet) dy herë nga e njëjta vrimë”

“Besimtari nuk thumbohet (pickohet) dy herë nga e njëjta vrimë.”[1]

Vrima në fjalë është vrima e insekteve.

Po vëllezër, besimtari nuk mashtrohet dy herë as për punët e dynjasë e as për punët e ahiretit.

Nuk është i shkujdesur që të mashtrohet lehtë.

Besimtari duhet të jetë syçelë dhe i kujdesshëm.

Nuk gabon dy herë në të njëjtën çështje. Nuk gabon dy herë me të njëjtin person.

Besimtari mëson, sepse jeta është shkollë dhe përvojë.

Madje, besimtari merr mësim e përvojë edhe nga jeta e të tjerëve dhe sprovat e të tjerëve.

Muaviu (Allahu qoftë i kënaqur me të‎‎) thoshte: “Nuk ka njeri të urtë, përpos nëse është me përvojë.”

Pra përvoja të mëson që të mos biesh as dy herë në të njëjtin gabim, ndërsa ta biesh në të njëjtin gabim disa herë kjo nuk vjen në shprehje.

Këtë ua tha Jakubi ﷺ  të bijve të vet, kur ata i kërkuan leje Jakubit që t’ua lejë vëllain e tyre, Binjaminin të shkoj me ta, me atë rast Jakubi u tha:

﴿قَالَ هَلۡ ءَامَنُكُمۡ عَلَيۡهِ إِلَّا كَمَآ أَمِنتُكُمۡ عَلَىٰٓ أَخِيهِ مِن قَبۡلُ ٦٤﴾

“A t’ju besojë juve për këtë (Binjaminin) ashtu siç ju besova për vëllain e tij më herët.” (Jusuf, 64)

Porse kur iu betuan ata se do ta kthejnë Binjaminin, me atë rast Jakubi u dha leje që ta marrin atë.

Kështu edhe ndodhi, në herën e dytë, Binjaminin nuk e humbën vëllezërit, siç e humbën për herë të parë Jusufin, porse Jusufi i cili ishte ministër ua ndali Binjaminin për të arritur te qëllimi që e synonte, bashkimin me babanë e me familje.

Pra nga e tërë kjo kuptojmë se Jakubi ﷺ  u kafshua një herë, me rastin kur e mashtruan të bijtë e vet, ndërsa herën e dytë nuk pranoi të kafshohet, andaj i detyroi ata të betohen.

Allahu i Madhëruar i qorton munafikët (hipokritët) ngase ata nuk marrin mësim nga sprovat që i godasin ata:

﴿أَوَلَا يَرَوۡنَ أَنَّهُمۡ يُفۡتَنُونَ فِي كُلِّ عَامٖ مَّرَّةً أَوۡ مَرَّتَيۡنِ ثُمَّ لَا يَتُوبُونَ وَلَا هُمۡ يَذَّكَّرُونَ١٢٦﴾

“A nuk shohin ata se goditen për çdo vit, nga një apo dy herë, dhe prapë ata nuk pendohen e as nuk marrin mësim.” (Teube, 126)

Kjo rregullë, për të mos ra dy herë në të njëjtin gabim vlen edhe për:

1.Shpirtin dhe veten tonë; Sa herë nefsi jonë na thotë: ‘Fli edhe pak,’ kur ja koha e sabahut ka kaluar. Nëse një herë je mashtruar mos e përsërit prapë.

‘Vitin e ardhshëm do ta bëjë haxhin’.

Po qe dhjetë vite kështu thua në vete, por prapë se ke bërë haxhin. A po e sheh se t’i po kafshohesh qe shumë herë nga e njëjta vrimë; të njëjtin gabim e përsëritë dhe nuk po e kupton.

2.Me njerëzit e tjerë; Nëse me filan personi ke pasur ndonjë punë, me filan mjeshtri, me filan tregtari, dhe nuk të ka dalë në fjalë (në kushte normale), mos hyjë prapë me te, mos, sepse ai prapë do të të kafshojë, e do të të mashtrojë.

Kjo vlen edhe kur ta falësh dikë që ka gabuar ndaj teje. Nëse e sheh se nuk ai prapë do të të bëjë zullum, prapë do të të dëmtojë, mos ia falë. Po, ka të tillë që nuk dinë të ndalen, njëherë ta merr një pëllëmbë tokë, e pastaj një metër, e dikur krejt shtëpinë.

  1. Po ashtu kjo rregull vlen edhe me shejtanin: Shejtani ka shumë kurthe, nëse ti nuk rrëzohesh në të parën, ai do të mundohet që të të rrezojë në të dytën, e në të tretën e kështu me radhë.

Shejtani na nxit që ta bëjmë të njëjtin gabim disa herë. Sa herë që dikush fillon të falet, shejtani ia bënë njëqind kurthe.

Ky hadith na mëson se besimtari duhet të jetë i fuqishëm, duhet të ketë personalitet të fuqishëm, duhet të jetë i kthjellët e jo shkujdesur.

Po gjithsesi prej besimtarit kërkohet të jetë bamirës, i ndershëm, i urtë, të ketë zemër të pastër, porse jo ta kafshohemi nga mbrapa.

Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të‎‎) thoshte: “Nuk jam mashtrues, por as nuk lejoj që të mashtrohem.”

Po besimtari duhet të ketë fe, e edhe mendje që nuk e lejon të mashtrohet.

Shikoni hadithi me çfarë shprehje të sakta na drejtohet. Nuk po thotë “nuk kafshohet në të njëjtën varrë apo plagë (xhurh)” por po thotë “nuk kafshohet nga e njëjta vrimë (xhuhër).

Dy shprehje arabe shumë të afërta në shqiptim, por me domethënie të ndryshme.

Besimtari mund të kafshohet në të njëjtën plagë disa herë, sepse e keqja mund t’i vjen pa e pyetur atë fare. Ndërsa “nuk kafshohet nga e njëjta vrimë” do të thotë se ky peron për t’u kafshuar nga e njëjta vrimë duhet të shkoj tek ajo vrimë. Kështu që po na thotë, nëse ti je kafshuar apo ke gabuar, mos shko aty prapë! Mos shko te e njëjta vrimë, mos shko te i njëjti gabim, te i njëjti shok, te i njëjti vend.

Ky hadith po ashtu na mëson që t’i njohim gjërat që na bëjnë dëm, e të largohemi prej tyre.

Ka gjëra aq të dëmshme që nuk ka nevojë ta kafshohem as njëherë, e jo dy apo tri herë. Nëse e sheh se kjo punë apo kjo gjë apo kjo sheqeri është krejtësisht e dëmshme, mos e provo të kafshohesh asnjëherë!

Kështu Hudhejfe, sahabiu i njohur, që i dinte disa sekrete të Pejgamberit ﷺ , thoshte se unë e pyesja Pejgamberin ﷺ  për sherr, që të mos bija në të.

Në këtë mënyrë besimtari merr mësim, jo vetëm prej përvojës së vet, por merr mësim edhe nga të tjerët. Nëse dikush është kafshuar, besimtari merr mësim dhe nuk lejon që edhe ky të kafshohet sikurse ai tjetri.

Ndërsa personi i cili lejon të kafshohet disa herë nga e njëjta vrimë, ky ka përfundim të keq.

 

Hutbeja e dytë:

Ne më së shumti që kafshohemi është se ‘kafshohemi’ nga shejtani. Po ai na i përsëritë kurthet shumë herë e nuk lodhet, na i bënë vrimat, ndërsa ne vetëm shkojmë aty dhe biem në to.

Madje jo vetëm dy herë, porse edhe me dhjetëra apo qindra herë kafshohemi në vrimat e tij.

Po, ai qe gjashtëdhjetë vite, i thotë ndonjërit prej neve: mos u falë, ende  je i ri.

Zhvishu se ende je e re i thotë grave, ndoshta ato tani i kanë pesëdhjetë apo gjashtëdhjetë vjet.

Sa herë na thotë shejtani: Po të gjithë more po marrin kredi me kamatë!

Kështu ai na i përsëritë këto gjeta ndoshta edhe me mijëra herë, derisa t’i bindemi, ose t’ia këpusim rrugën atij. Nuk ka zgjidhje tjetër.

Rruga e vetme për t’i shpëtuar shejtanit është të lidhemi me Allahun, sepse ne nuk kemi ndonjë fuqi kundër tij, përpos lidhjen tonë me Allahun.

Thjeshtë, Allahu na thirr, e edhe shejtani na thirr, por mos lejo që t’i japësh përparësi thirrjes së shejtanit ndaj thirrjes së Allahut.

Përgatiti: Mr. Flamur Kabashi

 

 

 

 

[1] Buhariu nr.6133.