“BE duhet të përgatitet për miliona refugjatë të tjerë ukrainas”

“BE duhet të përgatitet për miliona refugjatë të tjerë ukrainas”

Komisionerja e Bashkimit Evropian (BE) për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson, ka deklaruar se BE-ja duhet të jetë e përgatitur për miliona refugjatë të tjerë ukrainas që mund të kërkojnë mbrojtje në bllokun evropian, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë për media pas një takimi të jashtëzakonshëm të ministrave të brendshëm të vendeve anëtare të BE-së, Johansson paralajmëroi se BE-ja duhet të “zhvillojë plane emergjente” edhe nëse numri i refugjatëve që mbërrijnë në BE bie nga kulmi prej 200 mijë në 40 mijë njerëz në ditë.

“Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë nesër, cili do të jetë hapi i radhës nga Putin. Ne nuk e dimë dhe duhet të jemi të përgatitur për shumë miliona të tjerë që mund të kenë nevojë të ikin nga Ukraina”, tha Johansson.

Gjatë takimit të tyre, njoftoi ajo, ministrat e brendshëm të BE-së miratuan një plan 10-pikësh për “nevojat operacionale për ditët dhe javët në vijim” për të strehuar refugjatët ukrainas.

Blloku evropian do të krijojë një platformë regjistrimi të arritshme për të gjitha autoritetet e vendeve anëtare, që do të përmbajë informacione për ata refugjatë ukrainas të cilëve u është dhënë mbrojtje e përkohshme.

BE-ja po ashtu do të krijojë një koordinim për qendrat e transportit dhe informacionit në vende të ndryshme për të ndihmuar refugjatët që dëshirojnë të vazhdojnë udhëtimin e tyre në një vend tjetër të BE-së.

Komisioni Evropian do të zhvillojë edhe udhëzime për vendet kufitare, si dhe një indeks që do të hartojë kapacitetin pritës të secilit vend.

Blloku po ashtu do të zhvendosë drejtpërdrejtë refugjatët nga Moldavia dhe do të punojë me partnerë si Kanada, SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për të ndërtuar shtigje për refugjatët që duan të kërkojnë mbrojtje në ato vende.

Sipas direktivës së mbrojtjes së përkohshme, shtetasit ukrainase, anëtarët e familjeve të tyre dhe banorët e vendit kanë të drejtën e mbrojtjes në BE për të paktën një vit me një zgjatje të mundshme prej dy vitesh.

Skema e mbrojtjes jep të drejtën e punës, qëndrimit, arsimit, mirëqenies sociale dhe të ndihmës mjekësore.

BE-ja strehon shumicën e mbi 3.8 milionë refugjatëve ukrainas që u larguan nga vendi që kur Rusia filloi një luftë kundër Ukrainës më 24 shkurt.

Sipas OKB-së, më shumë se 2.3 milionë ukrainas kanë hyrë në bllokun evropian përmes Polonisë, 596 mijë përmes Rumanisë, 354 mijë përmes Hungarisë dhe 275 mijë përmes Sllovakisë.