“Bashkëpunimi rajonal në këtë kohë është më i rëndësishëm se kurrë më parë”

“Bashkëpunimi rajonal në këtë kohë është më i rëndësishëm se kurrë më parë”

Në Shqipëri po mbahet Forumi Ekonomik i Tiranës, me pjesëmarrjen e zyrtarëve nga disa vende dhe diplomatëve, si dhe përfaqësuesve të organizatave të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).

I ndarë në disa penale diskutimi, forumi njëditor ka mbledhur së bashku zyrtarë të ndryshëm nga disa vende, si ministra, zv.ministra, diplomatë, ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të shoqatave të biznesit, ndërsa në fokus të tij janë diskutimet mbi bashkëpunimin rajonal, investimet e huaja, sfidat në sektorin energjetik dhe të shëndetësisë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, gjatë fjalës në forum tha se gjatë 20 viteve të fundit nisma të ndryshme ndërkombëtare dhe rajonale janë krijuar për t’i shërbyer qëllimit të rritjes së bashkëpunimit rajonal dhe ekonomik.

“Bashkëpunimi ekonomik dhe rajonal në këtë kohë është më i rëndësishëm se kurrë më parë, pasi kriza që po përballemi aktualisht nuk është thjesht çështje krizash, çështje çmimesh, por është më shumë se kaq. Puna që kemi bërë në bashkëpunim me vendet e tjera të rajonit gjatë viteve të fundit na ka ndihmuar që të kapërcejmë disa nga sfidat”, tha ajo.

Ibrahimaj theksoi se situata me të cilën po përballen vendet aktualisht që është sipas saj një tjetër krizë ekonomike në mbarë globin “sjellë vështirësitë e veta sa i përket sfidave të reja dhe çmime të rritura në mbarë botën”.

– “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy vende miqësore që duhet të integrohen në Bashkimin Evropian”

Pjesë e forumit ishte edhe Filip Nikoloski, zëvendësministër i Financave i Maqedonisë së Veriut, i cili në fjalën e tij, duke iu referuar nismës së “Ballkanit të Hapur”, tha se sipas marrëveshjeve që janë nënshkruar, ka disa rezultate dhe përfitime të prekshme për qytetarët në rajon.

“Dua të them që nisma ‘Ballkani i Hapur’ mbështetet plotësisht nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nuk dua të lë pa përmendur as faktin që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë të hapura, çka do të thotë që edhe BE-ja duhet t’i hap dyert për Ballkanin Perëndimor, për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, tha ai.

Nikoloski theksoi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy vende miqësore që duhet të integrohen në Bashkimin Evropian, duke shtuar se “Neve na nevojitet BE-ja dhe BE-së i nevojitemi ne”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se është shumë e rëndësishme të kuptohen fqinjësitë sa të rëndësishme janë. “Besoj se ky është një moment të reflektojmë mbi fqinjësinë këtu në Ballkan”, tha ai, duke iu referuar forumit.

“Ky është një moment i mirë për të reflektuar, ky është një moment i mirë ndoshta për të bërë pak llogaritë me kontekstin e gjërave që po ndodhin, sidomos një kontekst lokal këtu pas tërmetit, pas pandemisë, apo dhe me një kontekst global, siç është agresioni rus mbi Ukrainën dhe mënyra sesi e gjithë bota po adaptohet me këtë realitet të ri”, u shpreh Veliaj.

Forumi Ekonomik i Tiranës është një takim i nivelit të lartë i liderëve politikë dhe zyrtarëve të tjerë për të adresuar sfidat me të cilat përballet aktualisht Shqipëria dhe bota. Forumi ofron një mundësi për të identifikuar dhe vlerësuar sfidat kryesore dhe për të mësuar nga përvojat e politikave në vende të tjera.