[There are no radio stations in the database]

Anulohen disa fluturime mes Shqipërisë dhe Izraelit

Për shkak të zhvillimeve të fundit pas sulmeve të ndërsjella midis Izraelit dhe Iranit, disa fluturime mes Shqipërisë dhe Izraelit dhe anasjelltas janë anuluar, transmeton Anadolu.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në uebfaqen e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë, për 13 qershor janë anuluar disa fluturime mes dy vendeve.

Sipas aeroportit, janë anuluar dy fluturime nga Tel Avivi drejt Tiranës dhe një fluturim nga Tirana drejt Tel Avivit, ndërkohë ende nuk ka ndonjë deklaratë zyrtare për fluturimet në ditët e ardhshme.

Gjithashtu raportohet se Izraeli ka urdhëruar mbylljen e të gjitha misioneve diplomatike dhe pezullimin e shërbimeve konsullore në mbarë botën, përfshirë edhe ambasadën në Shqipëri.

Izraeli filloi një operacion ushtarak sot herët, duke shënjestruar objektet bërthamore dhe ushtarake të Iranit dhe duke vrarë komandantë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë.

Ndërkohë, Irani ka nisur një sulm hakmarrës ndaj Izraelit, me raketa iraniane që goditën disa lokacione në të gjithë vendin.


[There are no radio stations in the database]