mbretereshe-34ragygu7y6ss9csl1qebk

AJO ËSHTË MBRETËRESHË

Është një rrëfim i vërtet, të cilin na e rrëfen një mjek musliman prej Arabisë Saudite, ku një periudhë të jetës së tij e kaloi në studime në Angli. Gjatë studimeve jetonte me familjen e tij në një lagje të qetë, ku lëvizjet e njerëzve dhe makinave ishin aq të rralla, saqë i huaji dallohej shumë lehtë.

Ky vëlla musliman na rrëfen dhe thotë: Fqinji im më i afërt ishte një plakë jomuslimane, e cila i kishte kaluar të shtatëdhjetat. Jetonte e vetmuar në një shtëpi të qetë, asaj nuk i trokiste askush në derë dhe nuk e vizitonte njeri. Hynte dhe dilte prej shtëpisë e vetmuar, s’kishte askënd prej të afërmeve për ta ndihmuar dhe për të përkujdesur për të. Ushqimin dhe rrobat çka i nevojiteshin i blinte vet, saqë kur e shikonte njeri e kaplonte keqardhje për gjendjen e saj. Një ditë prej ditëve kërkoi prej meje t’ia kryej një nevojë që e kishte, dhe unë padyshim pranova që me plotë dëshirë t’i ndihmoj, pasi që Islami na urdhëron që t’i respektojmë dhe ndihmojmë fqinjët tanë edhe nëse janë jomuslimanë. Plaka aq shumë u habit, edhe pse nuk bëra ndonjë vepër të madhe, ngaqë pranova t’i ndihmoj edhe atë pa të holla.

Të nesërmen erdhi plaka në shtëpinë tonë, i solli disa ëmbëlsira për fëmijët tanë dhe me vete kishte sjellë një mirënjohje, e cila përdoret në raste manifestimi, ku ishte shprehur me fjalë falënderimi dhe respekti për atë vepër që e bëra për të. Nuk duhet të çuditemi në reagimin e saj, pasi që ajo jetonte në një shoqëri ku s’njihet fjala mirësi dhe humanitet, dhe s’dinë se çka është mëshira dhe keqardhja, marrëdhëniet mes fqinjëve në shumicën e rasteve mbarojnë me përshëndetjen e mëngjesit dhe mbrë­mjes. E nxita që ta viziton më shpesh shtëpinë dhe gruan time, dhe me të vërtet kohë pas kohe na vizitonte. Gjatë vizitave që na bënte, e kuptoi plaka se tek ne muslimanët burri është përgjegjës i shtëpisë dhe i familjes së tij. Ai përkujdeset për blerjen e ushqimit dhe rrobave dhe të gjitha nevojave familjare. Vërejti se respekti i gruas ndaj burrit është i lartë dhe po ashtu respekti i burrit ndaj gruas është i madh, pa marrë parasysh se a është vajzë, grua apo nënë, sidomos kur ajo moshohet dhe të gjithë garojnë për shërbimin dhe respektimin e saj. Kurse ai i cili s’i përfill këto ligje dhe s’e posedon këtë moral është i urryer në shoqëri. Po ashtu e vërejti sjelljen e prindit me fëmijët e tij, dhe sjelljen e fëmijëve me prindërit e tyre dhe sakrificën e nënës për burrin e saj dhe fëmijët e saj.

Plaka e mjerë pasi që e vërejti këtë familje musli­mane, filloi ta krahasojë jetën e saj, se si jeton ajo dhe si jetojnë muslimanët në familjet e tyre. Iu rikujtuan fëmijët dhe nipat e saj për të cilët s’dinë e mjera se ku jetojnë dhe asnjëri prej tyre s’e viziton, ndoshta edhe vdes apo varroset e ata s’dinë asgjë për të. Pastaj, filloi t’ia rrëfejë gruas sime vështirësitë me të cilat ballafaqohet gruaja perëndimore në punë dhe në kryerjen e nevojave shtëpiake, ku edhe e mbaroi fjalimin e saj duke thënë se: “Gruaja muslimane qenka mbretëreshë, dhe po mos të isha në mo­shën e shkuar, do të isha martuar me një burrë musli­man sikurse burri yt dhe do të jetoja sikurse jetoni ju”.

Pra, kjo është një dukuri që e dallon dhe e kupton çdo njeri i cili jeton dhe punon në perëndim dhe botën jomuslimane. Megjithatë disa prej muslimanëve të hu­tuar, s’iu vjen turp të vazhdojnë në imitimin e jomus­limanëve në çdo sferë të jetës dhe publikimin e librave, revistave dhe gazetave që flasin me mahnitje për drej­tat e gruas perëndimore!

O Allah, falënderimi të takon vetëm Ty që na begatove me begatinë më të madhe, e ajo është Islami: Ata të shprehin ty mirënjohje (ta përmendin) që u bënë muslimanë. Thuaj: “Pranimin tuaj të fesë islame mos ma njihni (mos ma përmendni) mua, por nëse jeni të sinqertë Allahu juve ju bëri mirë, kur ju udhëzoi për besim.”(El-Huxhurat: 17)

Nga arabishtja: Irfan JAHIU