
A do të shuhet Windows 10-ta me të vërtetë në Tetor?
Bizneset dhe konsumatorët do të mund të përfitojnë mbështetje me përditësime sigurie por duhet të paguajnë deri në 30 dollarë.
Në më pak se 6 muaj Microsoft ka planifikuar të “vrasë” Windows 10-ën. Por kompania përballet me një problem madhor: është ende sistemi operativ desktop më i përdorur në botë.
Microsoft planifikon ti japë fund mbështetjes pa pagesë të Windows 10-ës më 14 Tetor duke lënë të ekspozuar miliona në mos miliarda kompjuterë përballë kërcënimeve të sigurisë.
Bizneset dhe konsumatorët do të mund të përfitojnë mbështetje me përditësime sigurie por duhet të paguajnë deri në 30 dollarë.
Popullariteti i Windows 10-ës
Vetëm Microsoft e di numrin e vërtetë të kompjuterëve Windows 10 të cilët janë në përdorim por nuk është një shifër që kompania publikisht e ka zbuluar. Megjithatë një analizë e një pale të tretë thotë se është më i përdorur sesa Windows 11 lançuar në Tetor të 2021.
StatCounter – firmë e cila mbledh të dhëna rreth përdorimit të sistemeve operative nga kompjuterë që vizitojnë më shumë se 1.5 milionë uebsajte – raportoi se Windows 10-ta ishte e instaluar në 54.2 përqind të të gjithë kompjuterëve Windows deri në Mars të 2025.
Windows 11, edhe pse ka filluar ngjitjen me shpejtësi në muajt e fundit, mbetet në vendin e dytë me 42.7 përqind të instalimeve.
Në disa vende perëndimore Windows 11 e ka kaluar Windows 10 si SHBA, Britania dhe Kanadaja. Por vende të botës në Azi dhe Afrikë janë kontributorët kryesorë në diferencën në përdorim mes Windows 10-ës dhe Windows 11-ës.
Në Indi përshembull Windows 10-ta është e instaluar në 62.1 përqind të kompjuterëve ndërsa Windows 11-ta vetëm në 36.2 përqind.
Në Nigeri Windows 10-ta gjendet në 64.9 përqind të kompjuterëve ndërsa përdorimi i Windows 11-ës është nën 30 përqind. Madje ka kompjuterë që përdorin Windows 7-ën ende duke zënë 5 përqind.
Microsoft nuk ka qenë asnjëherë në një situatë të tillë. Kur Windows 7 u braktis në Janar të 2015-ës, ishte sistemi operativ më popullor me 60 përqind të instalimeve. Por kur mbështetja e zgjeruar përfundoi në 2020-ën, ishte e instaluar në vetëm 5 përqind të kompjuterëve.
Windows 10-ta nga ana tjetër do të jetë ende e instaluar në gjysmën e kompjuterëve kur mbështetja e zgjeruar të përfundojë në Tetor të 2025. Por pse Windows 10-ta është kaq popullore? Pjesërisht për shkak të kërkesave harduerike të Windows 11-ës ku shumica e kompjuterëve ekzistues Windows 10 nuk kalojnë dot në versionin më të fundit të sistemit operativ.
Gjithashtu paqartësia rreth planeve të Microsoft, nëse një Windows 12 do të lançohet, ka bërë që bizneset dhe konsumatorët të jenë të pasigurtë rreth kalimit në Windows 11.