
Sulmohet drejtori i AKU në Shkodër, goditet me mjete të forta në kokë
Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) në Shkodër, Ramir Haderi, është sulmuar mbrëmjen e sotme nga disa persona ende të paidentifikuar.
Sipas informacioneve të para, ai po ecte në këmbë së bashku me bashkëshorten e tij kur është afruar nga disa persona që e kanë goditur me mjete të forta në kokë.
Si pasojë e sulmit, Haderi ka pësuar lëndime dhe është dërguar menjëherë në urgjencën e spitalit të Shkodrës, ku po merr trajtim mjekësor.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Dyshimet e para lidhen me detyrën e tij zyrtare, ndërsa ende nuk ka një konfirmim zyrtar për motivin e sulmit.